Ndërlidhjet

EKSPERTËT ALARMOJNË PËR RRITJE RAPIDE TË TREGUT TË ZI


Nadie Ahmeti

Ekonomia ilegale është rritur me ritëm shumë të shpejtë në Kosovë dhe kjo ekonomi dita-ditës po shënon rritje, që në masë të madhe pengon dhe çrregullon tregun kosovar, thonë ekspertë për çështje ekonomike. Safet Gërxhaliu, nga Oda Ekonomike e Kosovës, pohon se tregu i zi paraqitet gjithnjë në vendet e tranzicionit apo në vendet në zhvillim. Por, Gërxhaliu thotë se në Kosovë, kjo lloj ekonomie është e ndërlidhur me interesa personale dhe klanore. Arsye tjetër që po lejon zhvillimin e ekonomisë ilegale në Kosovë, sipas tij, është edhe menaxhimi i dobët i kufijve administrativë me vendet e rajonit, e posaçërisht në pikën kufitare në mes të Mitrovicës dhe Serbisë. “E them këtë bazuar në faktin e vrimës së zezë ekonomike, siç quhet në zhargonin ekonomik Mitrovica. Pra, është burimi kryesor që në Kosovë mund të depërtojë dhe të lulëzojë ekonomia informale. E tëra kjo dëshmon se vërtet Kosovës i kanoset një rrezik bukur i madh dhe përmasat e një ekonomie të tillë janë çdo ditë e më tepër në rritje. Kështu që ardhmëria ekonomike e Kosovës do të jetë në shënjestër, në një të ardhme të afërt“, shprehet Gërxhaliu. Musa Limani, udhëheqës i Institutit Ekonomik në Prishtinë, thotë se politikat jo të mirëfillta ekonomike kanë ndikuar në paraqitjen e ekonomisë ilegale. Limani thotë se këtë formë të ekonomisë është duke e favorizuar edhe krimi i organizuar dhe kontrabanda. “Sipas njohurive tona, edhe pse nuk kemi informata publike, mund të konstatojmë se një vlerë shumë e madhe e mallrave në Kosovë hyn në mënyrë ilegale, çka do të thotë se e forcon ekonominë informale, e cila, në një formë apo tjetër, e çrregullon ekonominë e Kosovës, përkatësisht tregun kosovar”, pohon Limani. Kjo formë e veprimit të ekonomisë ilegale në Kosovë ka dëmtuar dhe po dëmton vazhdimisht tregun kosovar dhe ndërmarrjet, të cilat kanë pretenduar të jenë të rregullta për kryerjen e obligimeve ndaj institucioneve tatimore, thotë Gërxhaliu. “Nuk mund të jetë i suksesshëm, në qoftë se je në shënjestër të administratës tatimore. Nga ti kërkohet që ti përmbushësh të gjitha obligimet dhe në të njëjtën kohë, i njëjti produkt, e njëjta konkurrencë jolegale depërton nga vendet tjera dhe në start do të jetë 27 për qind më e lirë. E atëherë për çfarë ekonomie bisedohet, përveç për një ekonomi informale”, thotë Gërxhaliu. Ndryshe, Musa Limani pohon se hapësira e mjaftueshme për zhvillimin e ekonomisë ilegale ndikon negativisht edhe në buxhetin e konsoliduar të Kosovës. “Kjo formë e veprimit, jo vetëm që çrregullon tregun kosovar, por edhe dëmton shumë buxhetin e Kosovës, sepse një pjesë e madhe, 1/3 e mallrave që hyn në Kosovë, sipas njohurive tona, hyn nëpërmes ekonomisë ilegale, që do të thotë se për 1/3 e dëmton buxhetin e Kosovës, që normalisht ka ato anët negative multiplikative të shumëfishta, që shprehen në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror”, thekson Limani. Mallrat që shiten më lirë sesa çmimi i tregut, sipas ekspertëve ekonomikë, zakonisht janë mallra që kanë hyrë në Kosovë përmes rrugëve ilegale dhe nuk kanë kryer obligimet tatimore.
XS
SM
MD
LG