Ndërlidhjet

ANALISTËT: SHBA-TË SËRISH GARANTUAN PAVARËSI - MBETET I PAQARTË ROLI I GK


Albana Isufi

Analistët kosovarë konsiderojnë se takimi i sekretares amerikane, Condoleezza Rice, me anëtarët e Ekipit të Unitetit, tregoi sërish përkushtimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për pavarësinë e Kosovës. Publicisti Shkëlzen Maliqi thotë se me gjithë deklaratat e fuqishme të presidentit amerikan, George Bush dhe zonjës Rice për pavarësinë e Kosovës, Shtetet e Bashkuara duan t’i japin edhe një shans bisedimeve. “Ende ka shpresa që plani i Ahtisaarit ose një formë shumë pak e modifikuar e tij të kalojë përmes Këshillit të Sigurimit, por njëherë duhet të organizohet raundi i ri i bisedimeve, ku besoj se rezultati, megjithatë, do të jetë aty ku jemi sot. Por, duhet të bindet Rusia, që të pajtohet me pavarësimin e Kosovës”, është shprehur Maliqi. Ndërkaq, analisti politik Ilir Dugolli mendon se, përveç garancisë për pavarësinë, takimi i zonjës Rice me Ekipin e Unitetit i ka dhënë një përkrahje liderëve kosovarë dhe sugjerim që të ecin në partneritet me komunitetin ndërkombëtar. “Është mirë; kanë dalë me një zë, lidhur me afatet, lidhur me atë se si do të vazhdojë procesi në të ardhmen, ngase, javëve dhe muajve të fundit, kemi vërejtur te pala kosovare shprehje të nervozizmit, deri diku të pakënaqësisë, e edhe njëfarë tendence për të shkuar kah improvizimet dhe hapat e njëanshëm”, tha Dugolli. Në anën tjetër, përfaqësuesit e serbëve të Kosovës thonë se rezultat kryesor i takimit është fakti se pala shqiptare ka marrë porosinë e qartë, se nuk mund të ketë shpallje të njëanshme të pavarësisë së Kosovës. “Takimet në esencë janë blerje kohe, tendencë që SHBA-të dhe Rusia t’i përafrojnë qëndrimet. Sidoqoftë, procesi i statusit duhet të kthehet në Këshillin e Sigurimit, ku Rusia ka të drejtën e vetos”, tha Rangjel Nojkiq, nga Lista Serbe për Kosovën e Metohinë. Përfaqësuesit kosovarë, në të vërtetë, kanë pritur që nga takimi i Ekipit të Unitetit me sekretaren amerikane Condoleezza Rice të sqarohen hapat e mëtejmë, pasi që procesi i statusit kaloi nga Këshilli i Sigurimit në Grupin e Kontaktit. Sidoqoftë, analistët kosovarë mendojnë se takimi i nesërm i Grupit të Kontaktit do të qartësojë deri diku formatin e negociatave shtesë. Shkëlzen Maliqi mendon se, fillimisht, negociatat do të fokusohen në të ashtuquajturën diplomaci fluturuese. “Thjesht të testohet ose të shikohet disponimi i dy palëve. Vetëm diplomacia mund të jetë pak më intensive. Mendoj se agjenda kryesore e këtyre takimeve të Grupit të Kontaktit do të jetë që të përcaktojnë formën e bisedave dhe temën”, ka thënë Maliqi. Por, janë temat, që, sipas Ilir Dugollit, do të përcillen me një varg pikëpyetjesh. Analistë perëndimorë kanë tërhequr vërejtjen, se negociatat shtesë do të jenë parapërgatitje për copëtim të Kosovës. Dugolli thotë se ky opsion ndoshta nuk do të vihet haptas në tavolinë, por do të jetë i pranishëm nën sipërfaqe. “Ai opsion do të jetë si nën sipërfaqe, në një mënyrë ose tjetër, por po shtyhet nga qarqe të ndryshme. Kështu që është rrezik jashtëzakonisht i madh, për mendimin tim, aq më tepër kur kemi parasysh se vërtet nuk ka më se çfarë të bisedohet mes kosovarëve dhe palës serbe”, u shpreh Dugolli. Ndryshe, zëdhënësi i Zyrës së të Dërguarit të OKB-së për statusin (UNOSEK), Remi Dourlot, thotë se është e qartë, se nga pozicionet e palëve, mundësitë për të nxjerrë diçka më tepër, sesa që ofron plani i Ahtisaarit, janë shumë të vogla. “Si UNOSEK, patëm vendosur që të përgatisim propozimin tonë, pasi që kishim parë se nuk do të kishte mundësi për ndonjë përparim në negociatat e ardhshme, sipas rrethanave që kishim në shkurt dhe në mars. Nëse do të shkohej me negociata, vetëm sa ekzistonte rreziku i kthimit mbrapa”, tha Dourlot. Kthim mbrapa, sipas analistit kosovar Shkëlzen Maliqi, do të jetë momenti, kur eventualisht mund të fillohet të flitet për ndarjen e Kosovës. “Nëse vërtet nuk vlen më pakoja e Ahtisaarit, atëherë për gjithçka duhet të bisedohet”, ka thënë Maliqi. Sipas zyrtarëve të Bashkimit Evropian, ndërmjetëse në bisedimet e ardhshme mes Prishtinës dhe Beogradit do të jetë treshja e përbërë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian dhe Rusia. Megjithatë, zyra e UNOSEK-ut është e gatshme që të ndihmojë, nëse nga ajo kërkohet një gjë e tillë. Dourlot thotë se janë në pritje të ndonjë vendimi të ardhshëm të Grupit të Kontaktit. “Nuk do të jemi pjesë e takimit të Grupit të Kontaktit. Kjo është e sigurt. Për të tjerat duhet të presim dhe të shohim se çka do të vendosë Grupi i Kontaktit. Ne, si UNOSEK, jemi të gatshëm që të ndihmojmë edhe me ekspertizë, por edhe me ndihmë logjistike. Por, aktualisht jemi në një pozitë pritjeje”, theksoi Dourlot. Sidoqoftë, analistët kosovarë ende nuk e kanë të qartë, nëse statusi i Kosovës do të zgjidhet ose jo pas 120 ditësh negociata. Sipas tyre, një kthim i procesit të statusit në Këshillin e Sigurimit sërish do t’i komplikonte gjërat.
XS
SM
MD
LG