Ndërlidhjet

RUECKER: TË CAKTOHET NJË PLAN DHE AFAT KOHOR I QARTË PËR KOSOVËN


Albana Isufi

Kryeadministratori i Kosovës, Joachim Ruecker, beson se procesi i statusit, i zhvendosur tashmë në Grupin e Kontaktit, në fund të fundit do të përmbyllet me rezultat të suksesshëm. Ai mendon se takimi i sotëm i drejtorëve politikë të Grupit të Kontaktit do të qartësojë formatin e negociatave 120 ditëshe, si dhe temat për të cilat do të bisedohet. “Tash e kemi këtë periudhë të negociatave mes Prishtinës dhe Beogradit, që do të ndërmjetësohet dhe udhëhiqet nga treshja e përbërë nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Rusia, nën ombrellën e Grupit të Kontaktit, por formati me siguri se do të diskutohet sot, në takimin e Grupit të Kontaktit”, tha Ruecker. Shefi i UNMIK-ut, në një konferencë për gazetarë pas kthimit të tij nga Brukseli, ka thënë se ka informuar anëtarët e Komisionit Evropian për Politikë dhe Siguri, se qytetarët dhe liderët e Kosovës kanë reaguar me përgjegjësi të lartë pas zhvillimeve të fundit rreth statusit. Por, ai ka theksuar se në mesin e kosovarëve është i pranishëm ankthi dhe tensioni, kështu që ka kërkuar vendosjen e afateve. “Njerëzit e Kosovës kanë reaguar me përgjegjësi. Por, do të ishte shumë e dobishme, sikur të kishim një plan apo një afat kohor, diçka që është më tepër se kjo periudhë e angazhimit 120 ditësh”, ka thënë Ruecker, duke shtuar se në fund të këtij procesi duhet të ketë konkluzione, në mënyrë që procesi të kalojë në fazën tjetër. Ai tha se i mbetet Grupit të Kontaktit të përcaktojë fazën tjetër. Sidoqoftë, Ruecker për një gjë është i bindur - Bashkimi Evropian e kupton se zgjidhja e statusit të Kosovës është çështje urgjente. “Jam i bindur se Bashkimi Evropian, sikurse edhe Sekretari i Përgjithshëm, e përkrah plotësisht planin e Ahtisaarit dhe se tani është i gatshëm që ta adresojë urgjencën e çështjes së Kosovës në fazën e ardhshme. Dhe, çdo gjë që kam dëgjuar atje, ka të bëjë me atë se Bashkimi Evropian është plotësisht i vetëdijshëm me situatën urgjente”, u shpreh Ruecker. Ai beson se gjatë negociatave Prishtinë - Beograd nuk do të rihapet pakoja e Ahtisaarit. ”Dhe kjo për dy arsye, sepse njerëzit kanë ndjenjën se ekziston një diskriminim maksimal pozitiv në planin e Ahtisaarit për serbët dhe minoritetet tjera, që është i mirë dhe i drejtë dhe se aty s’ka më çka të negociohet. Në anën tjetër, sa i përket vetë statusit, është e qartë se ekziston një ndjenjë se nuk ka çka të negociohet. Ky nuk është opinioni im, por i qytetarëve të Kosovës”, tha Ruecker, i bindur se, megjithatë, nëse palët ftohen në bisedime, kosovarët do të pranojnë që të ulen sërish në tryezë.

XS
SM
MD
LG