Ndërlidhjet

UNMIK: S’KA NEVOJË PËR SHPALLJE TË GJENDJES SË JASHTËZAKONSHME


Arton Konushevci

Administrata e UNMIK-ut nuk do ta shpallë gjendjen emergjente, pavarësisht kërkesës së Qeverisë se Kosovës, se një gjë e tillë duhet të bëhet. Shefi për informim i UNMIK-ut, Aleksandër Ivanko, ka pranuar se UNMIK-u, të mërkurën, ka marrë kërkesë nga Qeveria e Kosovës për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, por, sipas tij, UNMIK-u, KFOR-i dhe IPVQ-të, bashkë me partnerët tjerë, kanë mundësi të përgjigjen në mënyrë adekuate ndaj zjarreve. “Ne besojmë se nuk ka nevojë të shpallet gjendje e jashtëzakonshme, sepse kjo nënkupton edhe kufizimin e të drejtave civile dhe të njeriut. Por, vendimi do të bëhet i ditur gjatë ditës së sotme”, ka thënë Ivanko. Megjithatë, Qeveria e Kosovës mendon se shpallja e gjendjes emergjente është e nevojshme, për shkak të përhapjes së mëtejme të zjarrit. Zëdhënësja e Qeverisë, Ulpiana Lama, thotë se duke pasur parasysh numrin e madhe të vatrave të zjarreve, të cilat janë duke vazhduar edhe sot, por me një intensitet më të vogël, pritet shpallja e gjendjes emergjente. “Pritet që kjo ‘de jure’ të bëhet, përmes një urdhërese ekzekutive të përfaqësuesit special, që presim ta lëshojë ai, pra UNMIK-u ta lëshojë brenda disa orëve. Janë marrë sërë masash, për shkak se edhe me sy të lirë mund të shikohet sasia e madhe e tymit, e prodhuar si rezultat i zjarreve në disa zona pyjore të Kosovës”, është shprehur Lama. Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e jashtëzakonshme, të mbajtur sot, ka vendosur që të ndajë 700 mijë euro, për të ndihmuar vendet e prekura nga zjarri si dhe qytetarët. “Është e rëndësishme që menjëherë t’u ofrojmë ndihmën e parë kryesore, që është ushqim dhe strehim”, ka thënë Lama. Bajram Mjeku, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, ka thënë se gjendja në terren, në krahasim me ditën e djeshme, është më e mirë, për shkak të rënies së temperaturave. Por, sipas Mjekut, zjarret po vazhdojnë. “Aktualisht, në territorin e Kosovës ka zjarre në Komunën e Gjilanit, përkatësisht në fshatrat Stançiq, Bilinic, Llashticë dhe Capan. Në Komunën e Kamenicës, zjarr ka në fshatin Kolloleq. Në Komunën e Ferizajt, aktualisht vatra zjarri ka në fshatin Jezerc. Në Komunën e Pejës, vatra të zjarrit ka në Kullë dhe në Mokne. Në Komunën e Prizrenit, vatra të zjarrit ka në fshatrat Planej dhe Pashtrik. Ne Komunën e Suharekës, vatra zjarri ka në fshatrat Maçitevë dhe Budakovë. Vatra të zjarrit ka edhe në brezin kufitar në Han të Elezit. Në Mitrovicë ka zjarre në fshatrat Rahovë, Kelmend dhe Boletin”, ka bërë të ditur Mjeku. Sipas zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës, deri më tani janë djegur 25 shtëpi, në rajone të ndryshme të Kosovës. Deri tani, janë djegur më shumë se 4500 hektarë sipërfaqe pyjore, ndërkohë që Qeveria thotë se është e kërcënuar nga përhapja e zjarrit nga vendet fqinje.
XS
SM
MD
LG