Ndërlidhjet

logo-print

EN: SHBA-TË GARANTOJNË PAVARËSI PAS NEGOCIATAVE 120 DITËSHE


Albana Isufi

Garancia se pas 120 ditësh do të përfundojë procesi me pavarësinë e Kosovës, përkushtimi i SHBA-ve për pavarësinë dhe ruajtja e integritetit territorial të Kosovës janë disa nga mesazhet e Uashingtonit zyrtar, që Ekipi i Unitetit solli sot në Prishtinë. Presidenti Fatmir Sejdiu tha se në takimet me sekretaren amerikane të shtetit, Condoleezza Rice, si dhe me zyrtarë tjerë të lartë amerikanë, Ekipi i Unitetit është siguruar se procesi i zgjidhjes së statusit do të ecë shpejt. “Garancioni më i fuqishëm është ai se SHBA-të e mbështesin pavarësinë e Kosovës dhe gjithë ky proces që do të jetë para nesh, do të jetë proces që do të përfundojë me pavarësimin e Kosovës. Kjo është pa kurrfarë dilemash”, ka thënë presidenti Sejdiu. Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, i cili pak para nisjes për në Uashington kishte propozuar 28 nëntorin si ditë kur do të duhej të shpallej pavarësia, tha se Ekipi i Unitetit i kishte paraqitur një sërë kërkesash zyrtarëve amerikanë. “Kemi kërkuar njohjen e pavarësisë brenda këtij viti. Në këtë proces, deri te njohja, kemi kërkuar të jemi si palë partnere. Kemi kërkuar një dinamikë të re dhe një qasje të re gjatë këtij procesi shtesë. Kemi kërkuar qartësi më të madhe dhe një përshkrim të rrugës, detaje se si do të arrijmë deri tek njohja e pavarësisë. Dhe, në fund, kemi kërkuar që të na mbështesin në vendimet tona, nëse ne pajtohemi që t’i marrim”, tha Çeku, i cili edhe më tej ka mbetur i vendosur se duhet të caktohet afati kohor për pavarësinë e Kosovës. “Unë, asnjë moment, nuk jam zmbrapsur nga propozimi që kam bërë. Vazhdoj të besoj se ne na duhet një datë, na duhet një plan, na duhet një program. Sa më shumë që ne dëshmojmë durim, aq më pak u ngutet miqve tanë për ta zgjidhur çështjen e Kosovës. Unë do të vazhdoj të propozoj. Nuk është e vërtetë që jemi kritikuar në Uashington për një gjë të tillë. Ky propozim është kuptuar si një përpjekje për të ndërtuar partneritetin mes Kosovës dhe SHBA-ve, në gjetjen e një zgjidhjeje të përbashkët”, është shprehur kryeministri Çeku. Por, lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, ka tërhequr vërejtjen se Kosova duhet t’i bëjë të gjitha hapat në bashkëveprim me Uashingtonin dhe Brukselin dhe mos t’i befasojë ata me veprime të njëanshme. “Çdo ditë është ditë për pavarësi. Kosova është e gatshme. Kërkohet unifikimi i qëndrimit botëror për zyrtarizimin e Kosovës së pavarur dhe njohjes së saj ndërkombëtare. Ne do ta ndërtojmë pavarësinë në partneritet të ngushtë me botën perëndimore, para së gjithash me SHBA-të dhe Brukselin. Duhet të veprojmë në angazhime të përbashkëta dhe jo befasuese, në kuptimin që e rrezikojnë pavarësinë, që e shtyjnë procesin dhe që e rrezikojnë integritetin territorial të Kosovës”, ka thënë Thaçi. Por, sikurse edhe para shkuarjes, edhe sot, lideri i ORA-s, Veton Surroi, duke theksuar se Kosova po hyn në fazën më dramatike të zgjidhjes së statusit të saj, e ka quajtur të domosdoshëm caktimin e një afati kohor për pavarësinë. “Siç e dini, kemi debatuar për kornizën kohore këtu. Kornizat kohore duhet të vendosen për shkak të mënyrës se si duhet të dinamizohet ky proces. Kosova duhet t’i bëjë përgatitjet e veta, që brenda këtij viti të përmbushë obligimin për sa i përket legjislacionit të vet. Të jetë e gatshme për vendimin, për çfarë i kemi borxh qytetarëve të Kosovës”, ka theksuar Surroi. Ndryshe, për një plan dhe një afat kohor të qartë, është shprehur sot edhe vetë shefi i UNMIK-ut, Joachim Ruecker. Ai, pas kthimit të tij nga Brukseli, ka thënë se ka informuar anëtarët e Komisionit Evropian për Politikë dhe Siguri, se qytetarët dhe liderët e Kosovës kanë reaguar me përgjegjësi të lartë pas zhvillimeve të fundit rreth statusit. Por, Ruecker ka theksuar se në mesin e kosovarëve tani është i pranishëm ankthi dhe tensioni, kështu që ka kërkuar vendosjen e afateve. “Njerëzit e Kosovës kanë reaguar me përgjegjësi, por do të ishte shumë e dobishme, sikur të kishim një plan apo një afat kohor, diçka që është më tepër se kjo periudhë e angazhimit 120 ditësh”, është shprehur Ruecker. Ai ka shtuar se në fund të këtij procesi duhet të ketë konkluzione, në mënyrë që procesi të kalojë në fazën tjetër, që, sipas tij, do të përcaktohet nga Grupi i Kontaktit.

XS
SM
MD
LG