Ndërlidhjet

KUPCHAN:"PERËNDIMI I VENDOSUR PËR PAVARËSIMIN E KOSOVËS BRENDA NJË DERI DY VITEVE"


Charles KUPCHAN, Këshilli për Marrëdhënie Ndërkombëtare/Uashington/

RADIO EVROPA E LIRË
Procesi për statusin e Kosovës ka kaluar nga Këshilli i Sigurimit në Grupin e Kontaktit, përkatësisht te treshja SHBA, BE dhe Rusia. Si e komentoni këtë ndërrim?

CHARLES KUPCHAN
Mendoj se është një shenjë se negociatat në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara kanë përfunduar në një rrugë pa krye, derisa rusët paralajmëronin se ata do ta përdornin veton nëse propozim rezoluta del në votim. Ata përpiqeshin ta kthenin çështjen prapa në Grupin e Kontaktit, që është një grup që bazohet në konsensus, por në të cilin Rusia nuk e ka të drejtën e vetos. Pra, është një përpjekje që të gjendet një mënyrë alternative për shqyrtimin e çështjes së statusit të Kosovës, duke lëvizur, me gjasë, kah pavarësia e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Zëdhënësi i Departamentit amerikan të shtetit, Sean McCormach tha se "pika e fundit do të jetë pavarësia e Kosovës mbi bazën e planit të Ahtisaarit". Por, zoti Ahtisaari tha se misioni i tij ka përfunduar dhe se nga ai nuk është kërkuar vazhdimi i ndërmjetësimit. Në këtë situatë si e shihni ju planin e Ahtisaarit?

CHARLES KUPCHAN
Mendoj se plani i Ahtisaarit është ende shumë aktual. Ai mbetet vizioni themelor për pavarësi të kushtëzuar ose të mbikëqyrur. Qeveria e Kosovës vazhdon të tregoj se pjesë të gjëra të këtij plani do ta krijojnë esencën e pozicionit të kësaj qeverie për të ardhmen. Nisur nga e gjithë kjo, është vështirë ta imagjinoj një ndryshim të rëndësishëm të këtij plani. Negociatat bëhen lidhur me detajet, për natyrën e decentralizimit, për institucionet e Kosovës së pavarur e të tjera. Por, më duket se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë ta mbështesin planin e Ahtisaarit, megjithqë është e qartë se miratimi i këtij plani është shtyrë për së paku 120 ditët e ardhshme, e me gjasë edhe më tepër.

RADIO EVROPA E LIRË
Siç e përmendëm, statusi i Kosovës është kthyer në Grupin e Kontaktit, përkatësisht te "treshja" për shkak të kundërshtimit të fuqishëm të Rusisë. Para disa ditësh, revista "Newsweek" shkruajti se Moska vazhdon ta kundështoj pavarësinë e Kosovës, duke shpresuar, deri në një pikë, që këtë çështje ta tregtoj me përfundimin e zgjerimit të NATO-s ose të mbrojtjes raketore. Si e shpjegoni këtë?

CHARLES KUPCHAN
Mendoj se pozicioni i qeverisë ruse është disi i vështirë për t'u kuptuar. Nuk është e qartë nëse Rusia ka interes të drejtëpërdrejtë në çështjen e pavarësisë së Kosovës. Por, është e vërtetë se kemi të bëjmë me aleancën me Serbinë në kuptimin e ortodoksisë së përbashkët, por në fund të fundit, është vështirë të kuptohet se çështja e Kosovës ka ndikim në Rusi, pasi kjo nuk do të thotë se Çeçenia do ta shpallë pavarësinë nëse Kosova bëhet e pavarur. Kjo më bën të besoj se qëndrimi i Rusisë është pjesë e një ndjenje më të gjërë të dëshirës për qëndrim të fortë ndaj Perëndimit. A do të ekzistoj ndonjë lloj i tregtisë, në kuptimin që Shtetet e Bashkuara do t'i thonë Moskës se nëse ne e ndalim sistemin mbrojtës raketor dhe zgjerimin e NATO-s, a do ta miratoni ju pavarësinë e Kosovës...unë nuk e shoh një lloj të këtillë të tregtisë. Në këtë kuptim është vështirë të theksoj saktësisht se çka Shtetet e Bashkuara ose Bashkimi Evropian do t'i ofrojnë Rusisë, që ajo ta ndryshoj pozicionin e saj.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Kupchan, ne tash presim vazhdimin e negociatave. Negociatat e mëparshme ishin përshkruar si dështim. Sipas jush, çfarë do të jetë natyra e bisedimeve, kur dihet se pozicionet e Prishtinës dhe të Beogradit janë shumë larg njëra tjetrës?

CHARLES KUPCHAN
Mendoj se është vështirë që saktësisht të shihet se çka do të jetë substanca e negociatave. Nuk pres që të ketë diçka të re, pasi Prishtina dhe Beogradi i kanë bërë shumë të qarta pozicionet e tyre. Kushti minimal për Prishtinën, që është pavarësia, nuk përputhet me pozicionin maksimal të Beogradit, që është çdo gjë përveç pavarësisë. Në këtë aspekt, mendoj se do të diskutohet në Grupin e Kontaktit dhe me gjasë nëse 120 ditët kalojnë dhe negociatat mbeten në rrugë pa krye, atëherë diskutimi mund të kaloj në çështjen e vështirë se çka do të ndodhë nëse Kosova në mënyrë të njëanshme e shpallë pavarësinë dhe cilat vende do ta njihnin këtë deklaratë. Pastaj shtrohet pyetja nëse do të ketë Bashkimi Evropian qëndrim të përbashkët apo do të jetë i ndarë dhe çka është ajo që Shtetet e Bashkuara e shohin si numër minimal të domosdoshëm të vendeve evropiane, që do ta njihnin deklaratën, para se Uashingtoni të lëvizë. Pra, e tërë kjo e krijon një ndjenjë të një situate shumë të ndërlikuar, pasi e tërë kjo do të bëhej pa miratimin e Rusisë dhe të Kombeve të Bashkuara. Këtu shtrohet edhe çështja juridike se çka do të ndodhë me rezolutën 1244.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e shihni ju përfundimin e procesit të statusit të Kosovës?

CHARLES KUPCHAN
Kam një ndjenjë se kjo çështje është shtyrë për periudhën e ardhshme, pasi anëtarët kryesorë të bashkësisë ndërkombëtare, Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Rusia nuk janë të gatshme ta kenë një përçarje madhore, sepse ka edhe shumë çështje të tjera, përfshirë këtu Iranin, situatën në Irak e të tjera. Por, mendoj se është arritur konsensus në Perëndim në mbështetje të pavarësisë së Kosovës. Ky konsensus është shumë i fuqishëm dhe i qartë edhe brenda vetë Kosovës. Mendoj se në njërën ose mënyrën tjetër ne do ta shohim Kosovën duke lëvizur kah pavarësia brenda një ose dy vitesh. Por, në këtë pikë, mbetet e vështirë për t'u parashikuar saktësisht se kur apo nëpërmjet të cilës rrugë juridike do të arrihet kjo pavarësi.

Intervistoi: Fatmir BUJUPI
XS
SM
MD
LG