Ndërlidhjet

EKIPI I UNITETIT DHE RUECKER VENDOSIN QË ZGJEDHJET TË MBAHEN NË NËNTOR


Zijadin Gashi

Ekipi i Unitetit dhe shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Joachim Ruecker, janë pajtuar, sot, që zgjedhjet e ardhshme në Kosovë, në të dy nivelet, të mbahen gjatë muajit nëntor. Njëkohësisht, u tha se statusi mbetet prioritet numër një dhe në rast se koha e zgjedhjeve përputhet me kohën e vendimit për statusin, atëherë statusi do të ketë prioritet ndaj të gjitha proceseve tjera. Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, tha se në Kosovë nuk do të ketë vakuum. Grupi i Unitetit do të vazhdojë punën, kurse institucionet nuk do të shpërbëhen deri në heshtjen zgjedhore. “Një pikë shumë e rëndësishme që do të jetë, është çështja e legjitimitetit të institucioneve deri në momentin fiks, dy ditë para zgjedhjeve, se Kuvendi i Kosovës nuk shpërbëhet, se Qeveria e Kosovës vazhdon punën e vet, se Ekipi i Unitetit vazhdon punën e vet”, ka thënë presidenti Sejdiu. Ndërkohë, shefi i UNMIK-ut tha se kishte mendime që zgjedhjet mund të jenë pengesë e statusit dhe mund të jenë shkas i shtyrjes së vendimit për statusin. Mirëpo, pas analizave të bëra me lidershipin e Kosovës, Ruecker tha se është vlerësuar se mund të organizohen paralel të dy proceset, ai i statusit dhe procesi zgjedhor. “Hapi tjetër do të jetë përgatitja e legjislacionit si edhe caktimi i datës së saktë të zgjedhjeve të nëntorit”, tha Ruecker. Ai shtoi se nuk do të vonohet me caktimin e datës së zgjedhjeve, por nëntori parashihet si muaj optimal për organizimin e tyre. Ndërkaq, presidenti Sejdiu tha se autoritetet vendore do ta përcjellin në vazhdimësi procesin e statusit dhe në çdo lloj të interferimit të zgjedhjeve në procesin e statusit, Prishtina do të përcaktohet për statusin. “Nëse do të vijë ndonjë moment, që Ekipi i Unitetit e vlerëson se do të jetë pengesë e veçantë për çështjen e statusit, ne do të marrim vendim që do të jetë prapë me kohë, sepse procesi i statusit është prioritet ndaj të gjitha proceseve tjera dhe i subordinohen të gjitha proceset tjera. Por, qëndrimi i përbashkët është që zgjedhjet të mbahen sivjet”, theksoi presidenti i Kosovës. Ndryshe, Sejdiu edhe sot tha se pret që Grupi i Kontaktit të caktojë fazën e ardhshme prej 120 ditëve të bisedimeve sa më shpejt, në mënyrë që të mos ketë zvarritje tjera. Ai tha se do të preferonte që periudha 120 ditore të fillojë që nga dita e parë e gushtit.
XS
SM
MD
LG