Ndërlidhjet

QYTETARËT KËRKOJNË ZGJIDHJEN E STATUSIT PAS 120 DITËSH


Bekim Bislimi

Qytetarët e Kosovës, në përgjithësi, presin që 120 ditët e ardhshme të jenë afati i fundit, pas të cilit do të përcaktohet statusi politik i Kosovës. Se a do të ndodhë kjo, varet nga politika e faktorit ndërkombëtar dhe vendor, thonë disa qytetarë të Prishtinës. Ata mendojnë se negociatat e mundshme në mes Prishtinës dhe Beogradit, brenda këtij afati kohor, prej 120 ditësh, nuk mund të sjellin ndonjë rezultat pozitiv, duke pasur parasysh pozicionimet e skajshme të të dyja palëve. Muhamet Gashi thotë se kosovarët nuk duhet lejuar që pavarësia e Kosovës të negociohet. “Në qoftë se kërkohet nga bashkësia ndërkombëtare, atëherë duhet të bisedohet, por jo për çështjen e statusit të Kosovës. Ajo punë tashmë është e kryer dhe ne kemi një shpresë të madhe, kemi besim te Grupi Negociator, që më në fund Kosova do të kurorëzohet me një pavarësi”, shprehet Gashi. Qerim Ujkani thotë se nuk pret ndryshime të mëdha gjatë 120 ditëve të ardhshme. “Së pari, mendoj se 120 ditët në vazhdim ose koha shtesë e negociatave nuk do të sjellë asgjë. Negociatat shqiptaro-serbe kanë përfunduar dhe, për mendimin tim, me një dëm shumë të madh për shqiptarët, sepse delegacioni shqiptar, shumë dorëlirë, ka dhënë koncesione për gjithçka”, thotë Ujkani. Sadri Kelmendi thotë se nëse 120 ditët e ardhshme janë afati i fundit, pas të cilit do të përcaktohet statusi politik i Kosovës, atëherë shqiptarët e Kosovës duhet të kenë durim. “Po e presim edhe këtë me durim dhe le të vendoset për këtë çështje, sepse të gjitha pengesat janë të lidhura me statusin e Kosovës, edhe punësimi, edhe ekonomia, gjendja e sigurisë dhe të gjitha këto kanë lidhje të ngushtë. Populli po pret. Ka ardhur koha e fundit e durimit”, shpreh mendimin e tij Kelmendi. Ndërkaq, Xhavit Maloku thotë se duhet shikuar mundësitë optimale, që pavarësia e Kosovës të arrihet brenda 120 ditëve, por… “Nëse nuk ndodh, siç ka thënë edhe presidenti Fatmir Sejdiu, duhet të gjejmë edhe rrugë alternative dhe gjithsesi duhet të bëhet shteti i Kosovës, i pavarur. Gjithsesi, pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ne nuk duhet të ndërmarrim asnjë hap”, thotë Maloku. Sido që të jetë, të njëjtit qytetarë shprehin mendime të ndryshme rreth pritjeve se kur mund të ndodhë definimi i statusit politik të Kosovës. Muhamet Gashi thotë: “Bashkësia ndërkombëtare dhe Grupi Negociator thonë se pas 120 ditësh, automatikisht do të hyjë në fuqi plani i Ahtisaarit, por sa do të dalë kështu, do të shohim. Në qoftë se na ndihmon bashkësia ndërkombëtare, Amerika dhe Bashkimi Evropian, atëherë edhe do të bëhet”. Ndërkaq, Qerim Ujkani shprehet: “Mua ma merr mendja se çështja do të shkojë përsëri në Kombet e Bashkuara dhe atje do të zhvillohet përsëri një proces tjetër. Do të thotë, unë nuk pres se kjo mund të kryhet brenda një viti apo një viti e gjysmë. Nuk shpresoj aspak. Kjo është një lojë që na e ka vënë Rusia me politikën e vet”. Kurse Sadri Kelmendi thotë: “Mendoj se kjo shtyrje e ka mërzitur edhe popullin. Prandaj, është një apel i përgjithshëm që të mos shtyhet, por të jetë koha e fundit brenda këtyre 120 ditëve, ndoshta edhe më parë. Po presim tash edhe Grupin e Kontaktit se çfarë do të sjellë”. Në anën tjetër, Xhavit Maloku thotë: “Në bazë të fjalëve të presidentit të SHBA-ve, George Bush, i cili ishte në vizitë në Shqipëri, jam i bindur se, pas 120 ditësh, do të jetë statusi i ardhëm i shtetit të Kosovës. Jam i bindur se kjo do të ndodhë së shpejti, brenda 120 ditësh, më tutje nuk do të shkojë”.

XS
SM
MD
LG