Ndërlidhjet

DEPUTETËT PRESIN NGA SHBA-TË, BE-JA DHE RUSIA QARTËSI DHE PËRMBYLLJE TË STATUSIT


Zijadin Gashi

Deputetët e Kuvendit të Kosovës presin më shumë qartësi dhe dinamikë të përshpejtuar të procesit të statusit, tani kur procesi ka kaluar nga Këshilli i Sigurimit në treshen, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian dhe Rusia. Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, vlerëson se kjo do të jetë faza e fundit e procesit të statusit, me një strukturë dhe qasje të re, çka, sipas tij, do ta përjashtojë mundësinë e bllokimit të procesit, siç ndodhi në Këshillin e Sigurimit. Hoxhaj pret edhe një vendosmëri më të madhe të perëndimit në këtë periudhë shtesë. “Definitivisht, bashkësia ndërkombëtare, para së gjithash, partnerët evropianë do të jenë më të qartë dhe më dinamikë në këtë fazë. Kështu që do të përmbyllet procesi në formën, se si edhe qytetarët e Kosovës janë të interesuar këto dy dekadat e fundit që të përmbyllet”, tha Hoxhaj. Ai thotë se do të jetë shumë i rëndësishëm interpretimi që Grupi i Kontaktit do t’i bëjë Rezolutës 1244 dhe beson se nuk do të ketë më nevojë që procesi të rikthehet në Këshillin e Sigurimit. Ndërkohë, shefja e Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Gjylnaze Syla, thotë se, në radhë të parë, pret dinamizmin e procesit, që do të shpinte drejt pavarësisë së Kosovës. “Natyrisht, duhet të ekzistojë një qartësi lidhur me ato 120 ditë, se çka mund të presim nga faza 120 ditëshe, si dhe afatizimi i kohës. Pas kësaj, nuk duhet të ketë më asnjë zgjatje dhe asnjë zvarritje të procesit”, u shpreh Syla. Në anën tjetër, deputetët e Kuvendit të Kosovës do të kenë, të hënën, një debat lidhur me statusin. Në këtë temë, deputeti i Partisë Reformiste Ora, Nazim Jashari, thotë se mendimi i tij personal është që Ekipi i Unitetit duhet të marrë mandatin e ri, pasi që me përmbylljen e procesit të Vjenës, nën drejtimin e Ahtisaarit, sipas tij, edhe ekipit i ka skaduar mandati. “Kuvendi i Kosovës duhet që Ekipit të Unitetit t’ia ndërtojë platformën e re, për fazën e re, në të cilën po hyn Kosova, sepse, që të jemi të sinqertë, mendoj se një fazë e këtij procesi është përmbyllur me pakon e Ahtisaarit. Dhe, përmbyllja e asaj faze, në njëfarë mënyre, e ka përmbyllur edhe mandatin e Ekipit të Unitetit. Kështu që Ekipi i Unitetit, për bisedimet e reja, të marrë mandat të ri”, tha Nazim Jashari. Ndërkaq, Gjylnaze Syla nga AAK-ja, pret që Kuvendi të dalë me disa rekomandime, por ajo nuk pret që të shqyrtohet mandati i Ekipit Negociues. “Mendoj se secili grup parlamentar, patjetër, duhet t’i ketë mendimet e veta dhe t’i sugjerojë Ekipit të Unitetit. Por, edhe vetë Ekipi i Unitetit duhet të ketë një propozim dhe një vizion të qartë të procesit, si dhe një strategji, e cila natyrisht se duhet të plotësohet nga deputetët”, theksoi Syla. Për një rol më aktiv të Kuvendit, shprehet Enver Hoxhaj, i cili kërkon që ky institucion të jetë në rrjedhat e procesit dhe ta diktojë atë në këtë fazë, sipas tij, përmbyllëse të statusit. “Kuvendi i Kosovës ka nevojë që ta reflektojë më fuqishëm vullnetin e qytetarëve të Kosovës, meqë deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk janë të zgjedhur për projekte botërore, por janë të zgjedhur që ta jetësojnë vullnetin e qytetarëve të Kosovës”, vlerësoi Hoxhaj. Kuvendi i Kosovës ka zhvilluar debate lidhur me statusin, gjatë procesit të Vjenës. Debate të tilla shpesh janë përcjellë me tone e kritika të ashpra ndaj negociatorëve kosovarë, por zakonisht, në fund, edhe i është rikonfirmuar mbështetja lidershipit të Kosovës në Ekipin e Unitetit, që të vazhdojë punën.
XS
SM
MD
LG