Ndërlidhjet

MPL: KRIJIMI I KOMUNAVE TË REJA DO TË KUSHTOJË 7.3 MILIONË EURO


Arton Konushevci

Pavarësisht se Ministria e Pushtetit Lokal është në pritje të një vendimi për statusin e Kosovës, kjo ministri tashmë ka bërë parallogaritjen se sa do të kushtojë krijimi i pesë plus një komunave serbe. Megjithatë, sekretari permanent i Ministrisë së Pushtetit Lokal, Besnik Osmani, ka thënë se për krijimin e komunave të reja serbe, duhet pritur vendimi për zgjidhjen e statusit të Kosovës. “Planet janë të implementueshme, sepse plani është real. Por, megjithatë, ne nuk do të kalojmë në fazën e implementimit të këtij plani aksionar për implementimin e decentralizimit, deri atëherë kur nuk do të ketë një rezolutë për statusin e ardhshëm të Kosovës. Ajo që po bëjmë tash dhe që kemi bërë deri më tani, është që të jemi të gatshëm për fazën e implementimit. Ne i kemi bërë përgatitjet e nevojshme”, është shprehur Osmani. Rreth 7 milionë euro do t’i kushtojë buxhetit të Kosovës zbatimi i decentralizimit. Kjo shumë tashmë është caktuar me buxhetin e Kosovës për vitin 2008, për krijimin e pesë plus një komunave të reja. “Realisht, për 5 komunat e reja, vlerësimi ynë është se do të ketë nevojë për rreth 7.3 milionë euro. Në këtë shumë janë të përfshira të gjitha kërkesat buxhetore, që janë të nevojshme për të financuar stafin që do të punojë në komunat e reja, pastaj shpenzimet operative, që kanë të bëjnë dhe me çështje të inventarëve, të pajisjeve të nevojshme, të ndërtesave dhe me shpenzimet tjera operative”, ka thënë Osmani. Pesë plus një komuna të reja serbe ishte oferta e fundit e kosovarëve në bisedimet në mes të Prishtinës dhe Beogradit dhe këto komuna do të krijohen në Graçanicë, në Ranillugë, në Partesh, në Kllokot, në veriun e Mitrovicës dhe për zgjerimin e Kuvendit Komunal të Artanës, ish-Novobërdës. Ndërkohë që krijimi i tri pilot-njësive, si asaj të Junikut, Mamushës dhe Hanit të Elezit, sipas zyrtarëve të Ministrisë së Pushtetit Lokal, është treguar funksional. Kryetari i Hanit të Elezit, Mazllum Qajani, thotë se për shkak të mosdefinimit të statusit të Kosovës ka vështirësi në kryerjen e punëve. “Normal që paraqiten pengesa, për arsye të mosdefinimit të statusit të Kosovës dhe kjo na lë peng si pilot-njësi komunale. Si pilot-njësi komunale, de facto, ne nuk i ushtrojmë të gjitha funksionet. Nëse Qeveria vendos të na japë ende kompetenca, ai është tjetër problem. Por, për momentin, nuk jemi kompetentë deri në fund”, u shpreh Qajani. Ai, më tej, ka thënë se kur është filluar të punohet rreth formimit të pilot-njësisë në Han të Elezit, është menduar se do të jetë një fazë më e shkurtër, në të cilën komuna e re do të kishte marrë më shumë kompetenca. Procesi i decentralizimit është vlerësuar si puna më e madhe, që e pret lidershipin kosovar pas zgjidhjes së statusit të Kosovës. Këtë vlerësim, kohë më parë, e kishte dhënë edhe i dërguari i posaçëm i BE-së në Kosovë, Torbjorn Solhstrom. Procesi i decentralizimit ka filluar në vitin 2002 nga administrata e UNMIK-ut, e udhëhequr në kohë nga ish- kryeadministratori, Michael Stainer, i cili ua kishte bërë serbëve këtë ofertë, në mënyrë që ata të merrnin pjesë në zgjedhjet e para lokale.
XS
SM
MD
LG