Ndërlidhjet

HAXHIU:"TAJVANIZIMI I KOSOVËS DHE KONFEDERATA ME SHQIPËRINË"


Baton HAXHIU, analist

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Haxhiu, çështja e statusit të Kosovës ka kaluar nga Këshilli i Sigurimit te Grupi i Kontaktit, përkatësisht te treshja - SHBA, Rusi dhe BE. Duke pasur parasysh dallimet edhe në këtë treshe, çfarë mendoni se do të sjellin negociatat?

BATON HAXHIU
Mendoj se negociatat nuk janë aq të lehta, janë të komplikuara. Nuk mendoj se procesi negociues 120 ditësh ose më shumë, do të ketë vetëm planin e Ahtisaarit, si pjesë të bisedës. Unë mendoj se janë tri çështje kryesore, që do të dalin në ndërkohë. Meqë Serbia është fituese e këtij procesi negociues, ka bllokuar procesin realisht dhe juridikisht e ka ende Kosovën brenda kornizës së vet kushtetuese, ajo do të provojë që të hapë biseda dhe letra të reja në këtë proces. Procesi do të ketë pikë të parë mundësinë e Kosovës në një lidhje konfederale me Serbinë ose në një variant që Serbia do ta propozojë. Unë mendoj se kjo është e pamundur, për faktin se është harxhuar shumë kohë dhe Kosova e ka njëfarë lirie prej periudhës së vitit 1999. E dyta, meqë ky variant nuk do të realizohet, do të provohet të bisedohet dhe të hidhet si variant ndarja e Kosovës. Meqenëse bashkësia ndërkombëtare ka investuar shumë në realitetet e krijuara pas vitit 1990, duke respektuar ato që quhen territoret e ish-republikave dhe krahinave, të themi kushtimisht, atëherë, unë nuk besoj se do të kemi një ndarje klasike juridikisht të veriut të Kosovës. Dhe normalisht, si varianti i fundit, do të vijë varianti i autonomisë territoriale të veriut, që konsideroj se do të jetë pjesë e procesit, që autonomia territoriale do të jetë një realizim juridik i përkohshëm, me të cilin serbët e Kosovës do të realizojnë atë që, faktikisht, është e realizueshme që nga viti 1999, por edhe do ta formalizojnë juridikisht një ndarje, e cila është aktualisht e funksionalizuar. Problem i dytë janë dallimet e bashkësisë ndërkombëtare ndërmjet vete. Dallimet janë esencialisht të mëdha, edhe për faktin se konstalacioni i forcave ndërkombëtare ka ndryshuar. Ndërkohë, Rusia është shumë prezente në Bashkësinë Evropiane me ekonominë e saj, me gazin dhe normalisht se Rusisë i duhet një armik i jashtëm, po them kështu kushtimisht, brenda territorit rus, që Putin të vazhdojë mandatin e tij nga katër në shatat vjet, në mars të vitit që vjen. Unë nuk mendoj se 120 ditëshi do të jetë fundi i negociatave. 120 ditëshi do të jetë ndoshta fundi i limitit të datave dhe do të hyjmë në një proces të rëndë, një proces që quhet ‘tajvanizim i Kosovës’.

RADIO EVROPA E LIRË
Keni deklaruar se Serbia synon ta tajvanizojë Kosovën, këtë e përmendet sërish. Çfarë nënkuptoni me këtë?

BATON HAXHIU
Kosova është e lirë nga viti 1999, por nuk ka sovranitet dhe pavarësi. Meqenëse nuk ka sovranitet dhe pavarësi, atëherë natyrisht se kemi ngjashmëri me atë që Tajvani e ka pasur një periudhë 99 vjeçare ose një periudhë të gjatë, e që normalisht e ka edhe sot. Mund Kosova ta ketë të ndërtuar sovranitetin dhe kontrollin mbi territorin, por nuk do të jetë e pranuar nga Serbia. Kështu që sovraniteti është i rëndësishëm vetëm kur edhe fqinjët e pranojnë. Ne do të kemi probleme serioze kur shtetet fqinje ose një pjesë e shteteve nuk do ta pranojnë Kosovën si shtet të pavarur. Prandaj, ne do të jemi me probleme afatgjate të kontestimit të sovranitetit dhe pavarësisë sonë. Dhe, në çfarëdo varianti, në proces të hyrjes në BE, ne do të kemi probleme serioze, nëse nuk na pranojnë të gjitha shtetet e BE-së. ‘Procesi i tajvanizimit’ do të jetë pjesë e jona, së paku edhe për një dekadë apo më shumë.

RADIO EVROPA E LIRË
Është thënë se do të ketë 120 ditë bisedime. Megjithatë, Moska dhe Beogradi kërkojnë bisedime të paafatizuara. Sa parashikoni se mund të zgjasë ky proces?

BATON HAXHIU
Mendoj se procesi do të zgjasë deri në prill-maj të vitit të ardhshëm. Kur e them këtë, flas për shkak të ndërtimit të forcave ndërkombëtare, të cilat janë prezente në këtë proces. Unë mendoj se pa u zgjidhur problemi i presidentit rus, e ai do të jetë në mars, nuk do të ketë përfundim të procesit politik.

RADIO EVROPA E LIRË
Agjenda e bisedimeve nuk është përcaktuar ende. Kosovarët thonë se nuk do të negociojnë pavarësinë, e as nuk do ta rihapin pakon e Ahtisaarit. Për çfarë mund të flitet në këto bisedime?

BATON HAXHIU
Procesi i negociatave do të ngjajë si në Rambuje. Do të ketë "diplomaci shëtitëse", e cila do të kurorëzohet me 2-3 takime, ku do të kurorëzohet me nënshkrime. Tash, çështja e nënshkrimeve në dokumentin përfundimtar - a do të jenë rusët brenda në atë nënshkrim apo jo? Unë mendoj atë që kam thënë më lart. Në këtë proces do të hyjmë në një ‘proces të tajvanizimit’, në të cilin sovraniteti i Kosovës do të jetë i kontestuar nga një pjesë e shteteve, e sidomos nga Serbia.

RADIO EVROPA E LIRË
Keni deklaruar më parë se negociatat janë parapërgatitje për ndarjen e Kosovës...

BATON HAXHIU
Unë mendoj se pika kryesore e negocimit do të jetë ndarja e Kosovës ose autonomia territoriale, e vendosur juridikisht në veri. Normalisht që ata do të kërkojnë edhe pjesën e Anamoravës, por ndoshta, nga ajo pjesë, mund të lirohemi. Nuk ka arsye pse Serbia do të hynte në negociata, kur e di fundin e lojës nëse nuk do të përmendte, për shembull, ndarjen e Kosovës ose autonominë territoriale. S’ka kuptim, realisht, të bisedohet për pakon e Ahtisaarit, kur e kanë refuzuar atë. Prandaj, meqenëse nuk kanë pasur ofertë nga shqiptarët, atëherë shqiptarët do të jenë të befasuar me ofertën serbe, por edhe ndërkombëtare. Çështja është se a duan ndërkombëtarët ta ndajnë Kosovën tash, duke pasur parasysh investimet miliona dollarësh në gjithë regjionin, si dhe prezencën ushtarake. Dhe, si kompromis, ndoshta do të jetë autonomia territoriale. Por, unë mendoj se kosovarët duhet të jenë të gatshëm, që të heqin dorë prej veriut, të na heqin prej ankthit, prej dhimbjeve dhe ta heqin një tumor, i cili do të na lirojë nga streset e përditshme, pasiguria dhe e panjohura. Mendoj se është koha që të vendoset koncepti i pavarësisë së Kosovës dhe ndërtimit të një konfederate me Shqipërinë. Arsyeja është e thjeshtë: një ekuivalencë ballkanike, ku në një shtet konfederal do të jetojnë 7 milionë shqiptarë, me mundësi të zhvillimit ekonomik, kulturor dhe me mundësi të tregut të lirë, ku 7 milionë do të funksionin më lehtë, më qëndrueshëm dhe të barabartë me të gjitha kombet tjera, në kuadër të rajonit. Tek e fundit, bashkësia ndërkombëtare dhe Serbia po na shtyjnë që të mendojmë për bashkimin kombëtar ose për bashkimin e mundshëm në një sistem konfederal me Shqipërinë, për arsye se çdo propozim për ndarjen e Kosovës ose autonominë territoriale, nuk ka kuptim që të shtyhet në një ‘proces të tajvanizimit’. Humbja, tash ose më vonë, është sikur ajo fjalia e famshme, të cilën e kemi dëgjuar sa e sa herë, se ‘më i mirë është një fund i tmerrshëm, sesa një tmerr i pafund’. Jetesa me veriun është një tmerr i pafund për Kosovën. Prandaj, një fund i tmerrshëm është heqja e atij tumori dhe ikja në një proces të qetë, me 7 milionë shqiptarë në një shtet.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Haxhiu, në fund, meqë në Këshillin e Sigurimit dështoi të miratohet rezoluta e re për Kosovën, a prisni ju që procesi të kthehet sërish në OKB?

BATON HAXHIU
Po, në variantin nëse ndërtohet autonomia territoriale për serbët në veri. Do të ishte një shtet brenda shtetit dhe do të kishte një formë dubioze të marrëdhënieve të veriut me Serbinë dhe Kosovën, ku do të thithnin taksa edhe nga Kosova, edhe nga Serbia. Një variant i tillë do ta kthente Kosovën në Këshillin e Sigurimit dhe do të ndërtohej procesi brenda tij. Por, një variant të tillë, unë, personalisht, nuk do ta kisha dëshiruar, për arsye se do të jetonim edhe për një dekadë me problemet e veriut, ku askush nuk do të kishte kontroll dhe asgjë nuk do të ishte e qartë, por gjithçka do të ishte e panjohur. Unë nuk jam për këtë variant. Unë jam për prerje radikale në këtë moment, që realisht është pjesa më funksionale për ndërtimin e së ardhmes së këtij regjioni. Nuk ka kuptim që të ndërtohen enklava autonome, që në një periudhë prej 5, 7 ose 10 vjetësh, kur të largohen Kombet e Bashkuara prej tyre, do të kthehemi në një problem të njëjtë. Prandaj, ne duhet ta prejmë konfliktin e së ardhmes. Tash, preventivë - konflikti i së ardhmes prehet nëse shkon veriu dhe ne ndërtojmë shtet të pavarur, i cili do të na lidhte në një konfederatë me Shqipërinë.

INTERVISTOI: Bekim BISLIMI
XS
SM
MD
LG