Ndërlidhjet

logo-print

UNIVERSITETI VEROR I PRISHTINËS U HEQ STUDENTËVE SERBË PARAGJYKIMET PËR KOSOVËN


Bekim Bislimi

Universiteti veror i Prishtinës, tash e disa vite, po shërben për studime shtesë dhe mjaft të favorshme, por edhe si rast që të hiqen paragjykimet negative për Kosovën dhe jetën në këtë vend. Kështu thonë disa studentë nga Mali i Zi dhe Serbia, të cilët janë duke vijuar kurset në edicionin e sivjetmë të Universitetit veror të Prishtinës. Nikola Radoviq, nga kryeqendra e Malit të Zi, Podgorica, thotë se para ardhjes në Prishtinë, ka pasur paragjykime dhe dilema për Kosovën, por, siç pohon ai, ka pasur edhe vullnetin që vetë të ballafaqohet me realitetin. “Kam pasur paragjykime të caktuara, të cilat tashmë nuk ekzistojnë fare. Tash kam vetëm përvoja pozitive dhe është shumë më mirë, sesa që kam pritur”, tha Radoviq, duke shtuar se kjo është hera e parë që qëndron në Kosovë dhe se përveç Prishtinës, ka vizituar edhe disa vende të tjera në Kosovë. Ngjashëm thotë edhe Milo Raduloviq, po ashtu nga Podgorica, i cili për herë të dytë ndjek kurset në Universitetin veror të Prishtinës. Ai thotë se vitin e kaluar, para ardhjes në Prishtinë, ka pasur paragjykime, por ato ishin zhdukur me të arritur në Prishtinë. Ai shprehet për ndryshimet pozitive gjatë një viti në Kosovë, duke theksuar se ky vend së shpejti do të ketë zhvillim edhe më të madh. “Mund të them se njerëzit janë të prirë që të jenë shumë miqësorë dhe dëshirojnë të ndihmojnë, që nga personeli i hotelit, pastaj organizatorët e kurseve, njerëzit, studentët. Ata janë të gatshëm të ndihmojnë”, u shpreh Raduloviq, duke shtuar se pas orarit të kurseve janë të lirë të shëtisin dhe t’i vizitojnë mjediset e ndryshme, si dhe të argëtohen nëpër klubet dhe lokalet e Prishtinës. Ndërkaq, Sabrina Haxhiosmanoviq tha se në Prishtinë kishte ardhur nga Plevla e Malit të Zi. Por, para ardhjes në Kosovë, ajo thotë se ka pasur paragjykime të imponuara nga rrethi. “Mendoj se vërtet nuk ka nevojë për të gjitha ato porositë, se kinse nuk mund të flasim gjuhën boshnjake, serbe, kroate, maqedonase dhe se kinse nuk guxojmë të dalim në rrugë. Thjesht, kjo nuk është e vërtetë”, tha Sabrina Haxhiosmanoviq, duke pohuar se tashmë ka një përvojë pozitive, sepse ka parë që popullata në Prishtinë ka disponim mjaft miqësor, si dhe u ka ndihmuar rreth kërkesave të tyre eventuale. Ndërkaq, Nenad Radoja, nga Beogradi, thotë se në Prishtinë vjen për herë të katërt, për të ndjekur Universitetin veror dhe se paragjykimet i kishte flakur që para 4 vjetësh. “Lirisht lëviz, punoj, dal dhe argëtohem çdo natë. Unë, edhe më herët kur kam qenë këtu, por edhe tash, miqtë më të mirë i kam pasur shqiptarët”, tha Radoja. Ai pohoi se nxitja e paragjykimeve negative për Kosovën, në masë të madhe është bërë nga mediat në Serbi. “Mediat në Serbi, në masë të konsiderueshme, janë të ashpra sa i përket këtyre çështjeve. Me siguri se kjo është politika zyrtare dhe prandaj mediat zyrtare e mbështesin këtë politikë dhe krijojnë një atmosferë të tillë, çfarë ekziston”, tha Radoja. Ndërkaq, Sabrina Haxhiosmanoviq, thotë: “Nuk është ashtu sikurse na e transmetojnë mediat dhe është e kundërt me bindjen që është krijuar”. Sidoqoftë, këta studentë thonë se në edicionin e ardhshëm të Universitetit veror të Prishtinës, organizatorët duhet të ndërprenë praktikën, që në emër të sigurisë së studentëve nga Serbia dhe Mali i Zi, t’i akomodojnë ata në hotel të veçantë nga studentët tjerë, porse akomodimi i tyre të bëhet në objektet e njëjta, ku janë akomoduar të gjithë studentët tjerë, vendorë dhe ndërkombëtarë.
XS
SM
MD
LG