Ndërlidhjet

NË MUNGESË TË BAR-KODIT, ZBATIMI I CEFTA-S NUK LEHTËSON EKSPORTIN KOSOVAR


Nadie Ahmeti

Edhe pse Kosova zyrtarisht ka filluar zbatimin e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë me vendet e Evropës Juglindore, ende mbetet e paqartë se si është i rregulluar me këtë marrëveshje përdorimi i bar-kodit dhe i certifikatës së origjinës së mallit të produkteve kosovare. Për shkak të moszgjidhjes së statusit, Kosova nuk ka bar-kod të vetin dhe rrjedhimisht, prodhimet kosovare nuk mund të tregojnë prejardhjen në tregun e jashtëm. Vendet anëtare të CEFTA-s janë të obliguara që të tregojnë certifikatën e origjinës së mallrave gjatë shkëmbimit tregtar. Lidhur me këtë, zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë thonë se prodhuesit vendorë nuk do të kenë problem për eksport me vendet që tashmë e kanë ratifikuar marrëveshjen e CEFTA-s, ndërkaq përfaqësues të komunitetit të biznesit pohojnë se vështirësitë e këtij komuniteti, për t’i plasuar produktet e tyre në tregjet e vendeve anëtare të kësaj zone, do të jenë evidente, pasi kjo marrëveshje nuk ka të rregulluar njohjen e bar-kodit dhe certifikatën e origjinës së mallit. Agim Dushi, drejtor i ndërmarrjes BONUS, në Lypjan, që bën përpunimin e ujit të pijshëm, thotë se kjo marrëveshje nuk e ka lehtësuar aspak mënyrën e eksportit të produkteve kosovare. “Pak do të ndikojë tek ne, sepse janë disa kushte të tjera që e përkeqësojnë eksportin dhe gjendjen në tregun vendor. Por, problem do të jetë edhe bar-kodi, pasi dihet se definitivisht nuk e kemi të zgjidhur çështjen”, tha Dushi. Por, zyrtarë në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë thonë se kjo marrëveshje Kosovën e njeh si entitet të barabartë me vendet që tashmë e kanë nënshkruar këtë marrëveshje. Jusuf Prelvukaj, drejtor i Departamentit të Tregtisë në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, pohon se prodhuesit kosovarë nuk do të kenë ndonjë problem për eksport të produkteve të tyre, për shkak të bar-kodit dhe certifikatës së origjinës së mallit. “Origjina e produktit lëshohet nga Shërbimi Doganor, përfitohet bar-kodi, që e ka Oda Ekonomike e Kosovës. Do të thotë, Kosova në rajon është e barabartë me të gjitha shtetet tjera. Kështu që prodhuesit kosovarë nuk kanë ndonjë problem për eksportin”, theksoi Prelvukaj. Edhe Ejup Qerimi, nga Oda Ekonomike e Kosovës, thotë se të gjitha elementet e nevojshme për eksportin e produkteve kosovare janë të rregulluara në marrëveshjen e CEFTA-s. Ai pohon se në momentin kur vendet anëtare e kanë nënshkruar një marrëveshje të tillë, ato e kanë pranuar kodin dhe certifikatën e origjinës së mallrave. “Krejt këto shtete janë të obliguara që ta njohin këtë dokument, që mundëson lëvizjen e mallrave brenda CEFTA-s dhe i cili lëshohet nga administrata apo Shërbimi Doganor i UNMIK-ut”, u shpreh Qerimi. Shërbimi Doganor i Kosovës lëshon certifikatat e origjinës për çdo eksport të produkteve nga Kosova, thotë Adriatik Stavileci, zëdhënës në këtë shërbim, duke shtuar se menjëherë pas fillimit të zbatimit të kësaj marrëveshjeje, Maqedonia ka paraqitur disa probleme. “Deri më tash, ka pasur disa probleme të vogla me M&Silosin dhe tash, së voni, me disa kompani të tjera. Maqedonia, në të gjitha rastet, ka kërkuar verifikim të origjinës”, pohoi Stavileci. Ndryshe, CEFTA është një marrëveshje e Tregtisë së Lirë, që përfshin tetë vende të rajonit, Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë, Malin e Zi, Serbinë, Bosnjën e Hercegovinën, Kroacinë dhe Moldavinë. Shefi i administratës ndërkombëtare në Kosovë, Joachim Ruecker, në dhjetor të vitit të kaluar, në Bukuresht, ka nënshkruar marrëveshjen e CEFTA-s, ndërkaq zbatimi i saj ka filluar në fund të javës së kaluar.


XS
SM
MD
LG