Ndërlidhjet

NË PRITJE TË VENDIMIT PËR FILLIMIN E NEGOCIATAVE


Arton Konushevci

Politikanët në Kosovë thonë se fillimi i negociatave të reja në mes të Prishtinës dhe Beogradit, me ndërmjetësimin e komunitetit ndërkombëtar, është vetëm çështje ditësh. Ata janë në pritje të një vendimi përfundimtar mbi këtë çështje, të cilin pritet ta marrë Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon. Lutfi Haziri, zëvendëskryeministër, pohon se procesi i bisedimeve dhe i 120-ditëshit të paraparë, është një proces që e çon Kosovën drejt zgjidhjes së statusit final. “Besoj se është çështje e ditëve apo javëve; gushti është muaj ideal. Deri në mesin e gushtit, besoj se gjithçka do të jetë në fillimin e mbarë të këtij procesi. Besoj se brenda pak ditësh do ta kemi lajmërimin e Sekretarit Gjeneral”, është shprehur Haziri. Ai është i bindur se shumë shpejt do të zgjidhen të gjitha problemet, që u komplikuan pa dashje në Këshillin e Sigurimit, rreth miratimit të një rezolute të re për Kosovën. Jakup Krasniqi, nga Partia Demokratike e Kosovës, është shprehur skeptik për fillimin e bisedimeve gjatë muajit gusht. Sipas tij, diplomacia ndërkombëtare, gjatë këtij muaji, nuk është aktive dhe ka pak gjasa që bisedimet të fillojnë së shpejti. Zoti Krasniqi gjithashtu ka sqaruar se pala kosovare ende nuk është në dijeni, se për çka do të mund të bisedohet në këto negociata, kurdo që ato të fillojnë. “Grupi Negociator ose ata që do të marrin përgjegjësi për të biseduar me palën serbe duhet të jenë të gatshëm të marrin vendime dhe njëkohësisht duhet të jenë të gatshëm të marrin përgjegjësi. Delegacioni i Kosovës duhet të këtë guximin të thotë se duhet të bisedojë, por të dijë çka të bisedojë dhe t’i nxjerrë përfitimet që i duhen Kosovës dhe qytetarëve të saj”, ka thënë Krasniqi. Edhe Ylber Hysa, nga Partia Reformiste Ora, thotë se agjenda e bisedimeve ka mbetur e paqartë dhe kjo nuk është sqaruar as në takimin e fundit të Grupit të Kontaktit. “Për të vetmen gjë që është arritur pajtimi ka qenë trojka. Në këtë mënyrë, Rusia e ka ndarë Grupin e Kontaktit në tri sfera ndikimi dhe kjo është edhe e vetmja gjë, për të cilën është bërë një marrëveshje. Besoj se Rusia dhe Serbia janë partnere të ndara në këtë lojë, ndonëse kanë shënuar fitore taktike me lojën e njëra-tjetrës. Dhe, unë mendoj se interesat e këtyre shteteve janë të kundërta”, është shprehur Hysa. Sidoqoftë, udhëheqësit kosovarë e kanë bërë të qartë qëndrimin e tyre, se nuk do të negociojnë për pavarësinë e Kosovës, se integriteti territorial do të mbetet i paprekur dhe se pakoja e Martti Ahtisaarit do të mbetet ashtu siç është tani.
XS
SM
MD
LG