Ndërlidhjet

LOKALIZOHEN ZJARRET


Nadie Ahmeti

Shumica e zjarreve, që këtë muaj kanë përfshirë mijëra hektarë të zonave pyjore në mbarë Kosovën, tashmë janë lokalizuar. Kështu u raportua, sot, në mbledhjen e Këshillit Ndërministror për Menaxhimin e Emergjencave. Bajram Mjeku, zëdhënës në Ministrinë e Punëve të Brendshme, tha se zjarret janë lokalizuar edhe në rajonin e Prizrenit, përkatësisht në Pashtrik, në të cilin flakët e zjarreve kanë qenë vështirë për t’u lokalizuar. “Zjarret janë lokalizuar edhe në Komunën e Malishevës dhe të Suharekës, ndërsa në Miraq të Vushtrrisë, zjarret janë eliminuar”, bën të ditur Mjeku. Megjithatë, ai thotë se sipas departamentit për menaxhimin e emergjencave në Ministrinë e Punëve të Brendshme, zjarret vazhdojnë të jenë aktive në hapësirat pyjore, që ndryshe janë edhe hapësirat më të pasura natyrore. “Zjarre aktive ka në Liqenat të Rugovës dhe në bjeshkët e Istogut. Po ashtu edhe në territorin e Serbisë, në afërsi të fshatit Nishec të Prishtinës”, tha Mjeku. Ai shtoi se në lokalizmin e zjarreve janë përfshirë shërbimet e zjarrfikësve, pjesëtarë të KFOR-it, pjesëtarë të Trupave Mbrojtëse të Kosovës dhe vetë qytetarët. “Të angazhohet edhe vetë popullata e Kosovës, fundja për të mbrojtur pronat e tyre dhe pronat e vendit të tyre. Vetëm Ministria e Punëve të Brendshme, TMK-ja, shërbimet e zjarrfikësve nuk mund të bëjnë shumë në shuarjen e zjarreve”, theksoi Mjeku. Aktualisht, të angazhuar në shuarjen e zjarrit janë nëntë helikopterë të KFOR-it, por Mjeku thotë kjo se nuk është e mjaftueshme nëse nuk angazhohen edhe vetë qytetarët. “Dua t’ju them se helikopterët e KFOR-it nuk janë të specializuar për shuarjen e zjarrit, siç janë kanaderet apo helikopterët që janë ekskluzivisht helikopterë për shuarjen e zjarrit dhe që bartin sasi uji prej 5800 litrash. Helikopterët e KFOR-it mund të bartin kanesa të ujit në sasi prej 900 litrash, prandaj nuk janë të mjaftueshëm. Pikërisht këtu shtrohet kërkesa për t’i bërë popullatës thirrje, për një përkushtim më të madh, si dhe shtabeve komunale që të angazhohen në fikjen dhe eliminimin e zjarreve”, u shpreh Mjeku. Sidoqoftë, njoftimet e deritashme flasin se janë djegur rreth 4500 hektarë pyje, ndërkaq, sipas Shërbimit Policor të Kosovës, janë arrestuar 5 persona, që dyshohen se kanë qenë të involvuar në zjarrvënie të qëllimshme.
XS
SM
MD
LG