Ndërlidhjet

J. BUGAJSKI: PAS 120 DITËSH PARLAMENTI I KOSOVËS TË FILLOJ MARRJEN E VENDIMEVE PËR REFERENDUM OSE DEKLARATËN E PAVARËSISË


"Është gjë e rëndësishme, që krahas asaj që po bëjnë ndërkombëtarët, që edhe qeveria dhe të gjitha forcat politike në Kuvendin e Kosovës të arrijnë vendimin, se pas këtyre 120 ditëve, fillon procesi i pavarësisë dhe nuk do të ketë më shtyrje. Parlamenti do të filloj të marrë vendime për Referendum ose Deklaratën e Pavarësisë", thotë, pos tjerash, JANUSZ BUGAJSKI nga Qendra për Studime Ndërkombëtare dhe Strategjike me seli në Uashington.

RADIO EVROPAE LIRË
Tash kemi situatën ku për çështjën e statusit të Kosovës do të ketë bisedime shtesë ndërmjet Prishtinës e Beogradit, nën ndërmjetësimin e përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, të Bashkimit Evropian dhe të Rusisë, që e përfaqësojnë Grupin e Kontaktit. Si e komentoni këtë zhvillim?

JANUSZ BUGAJSKI
Është një zhvillim interesant në aspektin që tash kemi tri fuqi që vendosin. Kjo i jep Rusisë pak më tepër mundësi për t'u shprehur, pasi në formatin e Grupit të Kontaktit, Rusia është njëra nga pesë vendet, ndërsa këtu është njëra nga tri vendet. Pyetja që shtrohet është se çka do të ndodhë pas 120 ditësh dhe çka do të diskutohet gjatë këtyre ditëve. Këto janë dy të panjohura të mëdha.

RADIO EVROPA E LIRË
E përmendët këtë periudhë 120 ditëshe. Por, siç thatë edhe ju, nuk është e qartë se çka do të ndodhë pas kësaj periudhe?

JANUSZ BUGAJSKI
Po saktësisht. E dijë se Rusia dëshiron më tepër format për bisedime të pakufizuara, me fjalë të tjera, rusët dëshirojnë ta shtyjnë dhe vonojnë vendimin sa më gjatë që të jetë e mundur...pra në pakufi. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian dëshirojnë vendim sa më shpejtë që është e mundur, pra jo përtej 120 ditëve. Prandaj, mendoj se ndoshta jemi në situatë ku pas katër muajsh, kur Uashingtoni dhe Brukseli do të dëshironin që të vendoset në bazë të planit Ahtisaari ose në bazë të planit të përshtatur të Ahtisaarit, ndërsa Rusia do ta shtyjë përsëri procesin. Atëherë, mund të pritet lëvizja që çështja të kaloj përsëri në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Pra, mund të imagjinoj se Rusia do të vazhdoj të përpiqet që ta shtyjë procesin sa më gjatë që të jetë e mundur.

RADIO EVROPA E LIRË
Prap do të mbetemi në këtë periudhë 120 ditëshe. Pas saj, a do të kaloj procesi përsëri në Këshillin e Sigurimit ose ekziston, siç thonë liderët kosovarë, ndonjë rrguë tjetër alternative për Kosovën?

JANUSZ BUGAJSKI
Nëse Rusia pajtohet me planin që mbështetet nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, pra me planin e Ahtisaarit, atëherë mund të shkohet në Këshillin e Sigurimit. Por, nëse Rusia e bllokon procesin në treshen ndërkombëtare, rjedhimisht ajo do ta bllokoj procesin edhe në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Prandaj, alternativë tjetër do të jetë që të merret një vendim i shumicës, dy prej tre përfaqësueve në treshen ndërkombëtare, dhe procesi të lëvizë përpara, pavarësisht nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara.

RADIO EVROPAE LIRË
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian thonë se fuqishëm e mbështesin planin e Martti Ahtisaarit për pavarësi të mbikëqyrur për Kosovën. Sipas jush, nëse procesi lëvizë jashtë Këshillit të Sigurimit, cili do të jetë fati i planit Ahtisaari?

JANUSZ BUGAJSKI
Plani i Ahtisaarit është bazë mbi të cilën Shtetet e Bashkuara, përfaqësuesit e Kosovës dhe ata të Bashkimit Evropian, do të diskutojnë për çdo lloj të modifikimit eventual gjatë bisedimeve me treshen ndërkombëtare. Pra, plani i Ahtisaarit nuk është jashtë tryezës, ai është shumë aktual, por shtrohet pyetja se si të zbatohet ai. Nëse bëhet ndonjë modifikim, që do ta kënaqte Rusinë, ajo nuk do ta përdorte veton. Kjo do të testohet gjatë tre apo katër muajve të ardhshëm.

RADIO EVROPA E LIRË
Rusia fuqishëm e mbështet kundërshtimin e Serbisë ndaj pavarësisë së mbikëqyrur për Kosovën. Nga këndëvështrimi juaj, çfarë lloj interesi kanë rrusët duke vepruar kështu?

JANUSZ BUGAJSKI
Rusia ka interes strategjik në bllokimin e pavarësisë së Kosovës, pasi atëherë paraqitet si fuqi kryesore botërore dhe vendim marrëse. Poashtu, do të paraqitej si garantuese e legjitimitetit të OKB-së dhe integritetit të shteteve. Kjo do t'i paraqiste Shtetete Bashkuara dhe Bashkimin Evropian si të ashtuquajturit "unilateralistët e dyshuar". Pra, Rusia fiton shumë të mira në mbarë botën nga kjo. Njëherësh, Serbia i mundëson Rusisë që të ketë më tepër prani në Ballkan, ku Rusia ishte përjashtuar ose e kishte përjashtuar vetëveten gjatë 15 apo 20 viteve të fundit. Energjia dhe Kosova janë dy çështje që do të mundësojnë që Rusisë t'i dëgjohet më tepër zëri në politikën ballkanike dhe evropiane.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Bugajski, çfarë lloj plani ose afati kohor do të kemi gjatë muajve të ardhshëm lidhur me statusin e Kosovës?

JANUSZ BUGAJSKI
Është gjë e rëndësishme, që krahas asaj që po bëjnë ndërkombëtarët, që edhe qeveria dhe të gjitha forcat politike në Kuvendin e Kosovës të arrijnë vendimin, se pas këtyre 120 ditëve, fillon procesi i pavarësisë dhe nuk do të ketë më shtyrje. Parlamenti do të filloj të marrë vendime për Referendum ose Deklaratën e Pavarësisë. Me fjalë të tjera, duhet të ekzistoj një afat kohor, në të cilin Kosova e fiton pavarësinë e mbikëqyrur dhe starton ti zbatoj bazat e planit të Martti Ahtisarit.
Intervistoi: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG