Ndërlidhjet

PËRBALLË RRETHANAVE POLITIKE, INVESTIMET E HUAJA NË KOSOVË JANË SOLIDE


Nadie Ahmeti

Investimet e huaja në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të Kosovës, që prej përfundimit të luftës, kanë qenë shumë të vogla ose minimale. Të paktën kështu pohojnë ekspertë për çështje ekonomike, përderisa përfaqësues të institucioneve vendore thonë se investimet e huaja në Kosovë kanë qenë solide. Megjithatë, të dyja palët shprehen se interesimi i investitorëve të huaj për të shtrirë kapitalin e tyre edhe në Kosovë është i madh. Skënder Berisha, profesor i Ekonomisë Ndërkombëtare në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, pohon se disa investime të vogla kanë qenë në disa ndërmarrje të vogla, të cilat, sipas tij, nuk kanë pasur ndonjë peshë thelbësore në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik. “Për shkak të situatës së pasluftës në Kosovë, pasigurisë së investitorëve të jashtëm në Kosovë, edhe ato pak investime të jashtme që janë angazhuar në Kosovë, sipas mendimit tim, mund të jenë të dyshimta. Kështu që deri më sot, ne nuk mund të themi se kemi investitorë të jashtëm në ekonominë e Kosovës në mënyrë të mjaftueshme apo deri diku të kapshme”, tha Berisha. Ai shtoi se në përgjithësi, pa investime nga jashtë, nuk mund të llogaritet ndonjë përmirësim i gjendjes ekonomike. “Ne nuk mund të llogarisim ndonjë zhvillim ekonomik të qëndrueshëm në të ardhmen. Kështu që kjo është pengesa numër një e zhvillimit ekonomik të Kosovës“, theksoi Berisha. Ejup Fejza, kryeshef ekzekutiv në Agjencinë për Investime të Huaja, e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, thotë se duke marrë parasysh çështjen e statusit të pazgjidhur, tregun e vogël kosovar dhe problemet në furnizim me energji elektrike dhe infrastrukturë jo të duhur, investimet e huaja kanë qenë solide. “Investime të mjaftueshme kurrë nuk mund të themi se ka pasur, megjithatë mund të themi se ka pasur investime solide, duke marrë parasysh moszgjidhjen e statusit”, u shpreh Fejza. Megjithatë, ai thotë se interesimi i investitorëve të huaj për të investuar në Kosovë është jashtëzakonisht i madh, por, shton Fejza, pengesë kryesore për mosrealizmin e investimeve të huaja në Kosovë mbetet moszgjidhja e statusit të Kosovës. Vetëm në gjashtë muajt e parë të këtij viti, Fejza thotë se në Agjencinë për Investime kanë qenë 180 përfaqësues të kompanive të mëdha, për t’u interesuar për klimën investive në Kosovë. “Bazuar në vizitat që kemi pasur, vetëm në raportin e gjashtëmujorit 2007, ne kemi pasur, mesatarisht, nga një vizitë në ditë, nga përfaqësues të kompanive të huaja“, pohoi Fejza. Edhe Skënder Berisha shpreson se me zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës, Kosova do të bëhet vend atraktiv për investitorët e huaj. “Për investimet e jashtme në Kosovë, mund të flitet, me plot kuptimin e fjalës, vetëm atëherë kur të zgjidhet statusi politik i Kosovës”, tha Berisha. Por, interesimi i investitorëve të huaj që kapitalin e tyre ta investojnë në Kosovë, sipas Ejup Fejzës, është rritur edhe pas aplikimit të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë me vendet e Evropës Juglindore. Ai thotë se tashmë investitorët e huaj nuk do të investojnë në një treg me rreth 2 milionë konsumatorë, por në një treg me më shumë se 30 milionë konsumatorë. “Me fillimin e aplikimit të marrëveshjes së CEFTA-s, ky treg është zgjeruar në aspektin ekonomik dhe në aspektin e numrit të konsumatorëve potencialë; dhe, kjo e bën Kosovën edhe më atraktive për investime. Kurse, momenti i zgjidhjes së statusit do t’i qartësonte gjërat edhe më shumë dhe investitori do të fitojë një siguri më të madhe për të investuar në Kosovë”, vlerësoi Fejza. Sidoqoftë, investimi më i madh, që pritet të bëhet nga jashtë, është ai në ndërtimin e termocentralit ‘Kosova C’, që kap shumën prej më shumë se 3 miliardë eurosh.

XS
SM
MD
LG