Ndërlidhjet

KELMENDI:“PËR RUSINË DO TË ISHTE MË E DOBISHME QË KS TË VENDOSË PËR STATUSIN”


Nekibe KELMENDI, anëtare e Kryesisë së LDK-së

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Kelmendi, si i vlerësoni zhvillimet e fundit rreth statusit final të Kosovës?

NEKIBE KELMENDI
Gjendja rreth statusit final të Kosovës është futur në një paqartësi, sepse akoma nuk është definuar se kush do të jetë organi, i cili do të vendosë lidhur me statusin final të Kosovës; a do të jetë Bashkësia Evropiane me Grupin e Kontaktit, me në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përfaqësuesin e Bashkësisë Evropiane dhe përfaqësuesin e Rusisë apo çështja sërish duhet t’i kthehet Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara? Sidoqoftë, kjo periudhë prej 120 ditësh është periudhë që do të shfrytëzohet në dy binare. Njëri binar është që të bindet Rusia se Kosova vërtet është rast specifik dhe nuk mund të shërbejë si shembull për vatrat tjera të krizës për zgjidhjen e statusit final. Mendoj se për Rusinë, nëse do të vetëdijesohet, do të jetë shumë më e dobishme që çështja t’i kthehet Këshillit të Sigurimit që të vendosë, sepse nëse vendos Këshilli i Sigurimit për statusin final të Kosovës, atëherë vatrat tjera të krizës nuk do të mund të shpallin në mënyrë të njëanshme pavarësinë. Nëse çështja nuk shkon në Këshillin e Sigurimit, atëherë pas 120 ditësh, sigurisht do të jetë Parlamenti i Kosovës ai, i cili do ta nxjerrë deklaratën për shpalljen e pavarësisë dhe njëkohësisht do ta ushtrojë kërkesën e qeverive të shteteve të ndryshme që të pranohet ajo pavarësi e shpallur.

RADIO EVROPA E LIRË
E përmendët periudhën 120 ditëshe. Ndërkohë që në debatin e Kuvendit të Kosovës, presidenti Fatmir Sejdiu tha se në këtë angazhim shtesë do të negociohet për temat që janë jashtë pakos së Ahtisaarit. A mendoni se në këtë periudhë do të mbetet e pacenueshme pakoja e Ahtisaarit?

NEKIBE KELMENDI
Unë mendoj se pakoja e Ahtisaarit gjithsesi do të mbetet e pacenuar, edhe pse ajo pako nuk është e favorshme në disa segmente, por sidoqoftë, duhet marrë nga ajo pako atë më të mirën, mjaltin e asaj pakoje, e ajo është pavarësia. Sado që aty thuhet se do të jetë pavarësi e mbikëqyrur, ajo mbikëqyrje nuk do të jetë e përhershme, do të jetë e përkohshme, do të zgjasë maksimum në dy legjislatura, hiç më tepër.

RADIO EVROPA E LIRË
Ekipi i Unitetit po ashtu ka thënë se nuk do të lejojë cenimin e integritetit territorial të Kosovës. Por, në anën tjetër, ka zëra që thonë se negociatat do të mund të ishin një parapërgatitje për ndarje. Çfarë mendoni ju?

NEKIBE KELMENDI
Grupi i Kontaktit i ka bërë të qartë tre parime dhe nga ato tre parime asnjëherë asnjë shtet nuk ka hequr dorë. Janë këto thashetheme dhe opinione të analistëve të ndryshëm, qoftë profesionistë, qoftë diletantë, që e përmendin dhe që e zënë në gojë ndarjen e Kosovës. Grupi i Kontaktit është udhëhequr me parimet se nuk ka kthim në gjendjen e para vitit 1999, se nuk ka ndërrim të territoreve, do me thënë territori i Kosovës do të jetë unik dhe i pandarë, dhe se nuk ka bashkim me shtetet e afërta. Edhe pakoja e Ahtisaarit, në pjesën fillestare, në atë preambulën e saj në pjesën politike, pikërisht e përforcon këtë që thashë, sepse ajo thotë se Kosova është territor unik dhe i pandarë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Kelmendi, ju jeni pjesë e Komisionit Kushtetues. Deri ku ka arritur puna në hartimin e Kushtetutës së re si dhe të përzgjedhjes së simboleve?

NEKIBE KELMENDI
Mund të them se Kushtetuta është e tëra e përgatitur. Mbeten vetëm disa gjëra që t’i radhisim aty ku e kanë vendin, e kam fjalën për kapituj të ndryshëm, për pjesë të ndryshme të Kushtetutës dhe një pastrim i fjalorit, por edhe i futjes së elementeve politike, që janë marrë nga Grupi i Unitetit, siç është fjala për sistemin, çfarë sistemi do të jetë etj. Kurse, sa i përket simboleve, për flamurin dhe stemën, i kemi shikuar të gjitha aplikacionet. Aty ka pasur mbi 3500 eksponate, të gjitha i kemi shikuar dhe i kemi krahasuar se a po përputhen ato me konkursin apo jo. Ato që janë përputhur me konkursin, i kemi veçuar, ia kemi dorëzuar Grupit të Unitetit dhe Grupi i Unitetit së bashku me Kryesinë e Kuvendit të Kosovës, do të jenë ata që do ta formojnë një komision profesionistësh, që do ta bëjnë përzgjedhjen e tyre. Në këtë komision do të ketë përfaqësues të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve, do të ketë historianë, do të ketë përfaqësues të shoqërisë civile, do të ketë përfaqësues të grupeve parlamentare. Gjithsesi, ai komision do të jetë gjithëpërfshirës dhe do ta bëjë në mënyrën më transparente përzgjedhjen e flamurit dhe të stemës, me të cilat Kosova, si shtet i pavarur, do të identifikohet në të ardhmen.

RADIO EVROPA E LIRË
Ekipi i Unitetit tha se nuk do të ketë shtyrje pas 120 ditësh. Çfarë mendoni ju?

NEKIBE KELMENDI
Mendoj se nuk ka arsye të ketë shtyrje, sepse të gjitha bisedimet, negociatat që janë bërë për çështje kruciale, janë bërë gjatë këtyre 16 muajve nëpërmjet presidentit Ahtisaari, grupit të tij UNOSEK-ut dhe palës shqiptare, e cila ka qenë shumë aktive, shumë korrekte gjatë bisedimeve dhe palës serbe, e cila nuk ka qenë fare aktive, nuk ka qenë fare korrekte dhe në momentet e fundit është zgjuar nga gjumi me të vetmin qëllim që ta zvarrisë apo ta bllokojë procesin e pavarësimit të Kosovës.

INTERVISTOI: ALBANA ISUFI
XS
SM
MD
LG