Ndërlidhjet

KOSOVARËT KONSIDEROJNË SE KA NISUR NUMËRIMI I PERIUDHËS 120 DITËSHE


Albana Isufi

Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës konsiderojnë se numërimi i periudhës 120 ditëshe të angazhimit shtesë deri në zgjidhjen e statusit, ka filluar nga dita e djeshme. Ky numërim lidhet me deklaratën e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-Moon, i cili ka konfirmuar marrëveshjen e Grupit të Kontaktit për periudhën 120 ditëshe. Zëdhënësi i Ekipit të Unitetit, Skënder Hyseni, thotë se institucionet e kanë mirëpritur këtë deklaratë. “Besoj se kjo deklaratë, që ne e mirëpresim, do të lansojë edhe numërimin e 120-ditëshit, të angazhimit shtesë, siç është emërtuar edhe zyrtarisht kjo periudhë 120 ditëshe. Përfundimisht, besoj se më 10 dhjetor, kur Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-Moon, ka kërkuar që t’i raportohet - kjo periudhë edhe do të mbyllet”, tha Hyseni. Në anën tjetër, shefja e Grupit Parlamentar opozitar, ORA, Teuta Sahatçia, thotë se përcaktimi i 10 dhjetorit, si datë kur Grupi i Kontaktit duhet të raportojë para sekretarit Ki-Moon, le të kuptojë se numërimi i periudhës ka filluar. “Duke pasur parasysh se zoti Ban Ki-Moon ka kërkuar nga Grupi i Kontaktit një raport më 10 dhjetor dhe duke pasur parasysh se kjo datë përputhet me afatin për të cilin po flitet, për 120 ditë, presim që kjo ka të bëjë me këtë 120-ditëshin, por përsëri duhet të presim që zyrtarisht të niset numërimi”, tha Sahatçia. Ndërkohë, zyrtarët kosovarë nuk e dinë ende se si do të zhvillohet, siç e quajnë ata, angazhimi shtesë 120 ditësh. “Nuk ka asnjë indikacion se kur praktikisht do të fillojë ky angazhim. Por, ajo që mund të them është se Kosova është e gatshme dhe seriozisht do t’i futet këtij 120-ditëshi, sepse, në fund të fundit, qëndrimi fundamental i institucioneve dhe i Ekipit Negociator është se ne do të bëjmë çdo gjë që kërkohet nga ne, që ta bëjmë Kosovën shtet. Esencialisht, mendojmë se ky 120-ditësh duhet t’i largojë pengesat e fundit, që janë në rrugën e shtet-bërjes së Kosovës”, u shpreh Skënder Hyseni. Në anën tjetër, përfaqësuesit e serbëve të Kosovës thonë se vetëm bisedimet e pakushtëzuara mund të sjellin sukses. Shefi i Grupit Parlamentar i Listës Serbe për Kosovën e Metohinë, Rangjel Nojkiq, thotë se afatizimet nuk japin rezultate. “Kufizimet kohore dhe kushtëzimet paraqesin një strategji të gabuar. Beogradi dhe Prishtina duhet të qartësojnë qëndrimet e tyre rreth statusit dhe ofertat e tyre për njërin apo rastin tjetër. Vetëm në këtë situatë pres bisedime pozitive”, tha Nojkiq, i cili pret që Grupi i Kontaktit të organizojë mënyrën e bisedimeve, por thekson se vendimin përfundimtar do ta marrë Këshilli i Sigurimit. “Pres që të ketë bisedime direkte, por edhe diplomaci fluturuese, që përfaqësuesit e Grupit të Kontaktit të bisedojnë njëkohësisht me ekipet negociatore të Beogradit dhe të Prishtinës. Vendimin përfundimtar për statusin, për decentralizimin, për mbrojtjen e të drejtave dhe për mekanizmat mbrojtës, duhet ta marrë Këshilli i Sigurimit”, theksoi Nojkiq. Negociatat e ardhshme 120 ditëshe do të ndërmjetësohen nga treshja e përbërë prej të dërguarit amerikan Frank Wisner, atij të BE-së, Wolfgang Ischinger dhe përfaqësuesit rus, Aleksander Harchenko. Zyrtarë të BE-së kanë sinjalizuar se negociatat mund të nisin në mes të muajit gusht, por ende nuk është caktuar ndonjë agjendë zyrtare.

XS
SM
MD
LG