Ndërlidhjet

PENSIONISTËT THONË SE PO E HUMBIN DURIMIN


Nadie Ahmeti

Pensionistët kosovarë duket se kanë filluar ta humbin durimin. Përfaqësuesit e tyre pohojnë se nëse gjendja e tyre materiale nuk përmirësohet shpejt, ata kanë përcaktuar agjendën e tyre për t’i shprehur pakënaqësitë në forma, siç thonë, radikale. Në njërën anë, në Sindikatën e Pensionistëve të Kosovës thonë se menjëherë pas zgjidhjes së statusit të Kosovës, protestat e pensionistëve do të jenë të pashmangshme, kurse në anën tjetër, në Shoqatën e Pensionistëve pohojnë se situata mund të dalë nga kontrolli edhe para zgjidhjes së statusit. E gjithë kjo po ndodh për shkak të gjendjes së mjerueshme, me të cilën po përballen pensionistët kosovarë, tash e tetë vjet me radhë, thotë Fatmir Fehmiu, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës. Sipas tij, pensionistët kosovarë nuk i marrin pensionet sipas kontributit të dhënë dhe organet kompetente, deri më tani, nuk kanë treguar ndonjë angazhim të posaçëm për zgjidhjen e këtij problemi. “Qeveria dhe institucionet e përkohshme nuk i kanë kushtuar vëmendje, nuk po i kushtojnë dhe, si duket, në infinit do të shkojë dhe nuk do të zgjidhet problemi” thotë Fehmiu. Prandaj, shton ai, situata e pensionistëve është e mjerueshme dhe nuk do të tolerohet. Sipas Fehmiut, menjëherë pas zgjidhjes së statusit, kërkesat e pensionistëve do të jenë radikale. “Ne e kemi agjendën tonë. Kemi pasur parasysh dhe gjithnjë kemi qenë lojal asaj që quhet interes i Kosovës, i popullit të Kosovës. Hapi i parë është kryer - proklamata është shpallur. Hapi i dytë është bërë - dialogu është zhvilluar. Hapi i tretë - kërkesat e pensionistëve do të jenë radikale. E si do të bëhet, do të merremi vesh, megjithatë ekziston projekti, sepse kështu, siç duket, ka hasur në veshë të shurdhër”, u shpreh Fehmiu. Por, Ilaz Kurteshi, kryetar i Shoqatës së Pensionistëve të Kosovës, thotë se pakënaqësitë e pensionistëve, vështirë do të mund të presin zgjidhjen e statusit të Kosovës. Kurteshi nuk është i bindur se ka shpresa për përmirësimin e gjendjes së pensionistëve.“Mendoj se është vështirë, vështirë të pritet. Kemi pasur më herët biseda me Qeverinë dhe bisedat, deri më tani, kanë qenë mjaft të rënda. Shumë vështirë të zgjidhet problemi”, pohon Kurteshi. Por, Fatmir Fehmiu thotë se pensionistët kanë paralajmëruar mundësinë, që kjo kategori e shoqërisë të bllokojë zgjedhjet e përgjithshme, që pritet të mbahen në vjeshtë të këtij viti. “Në të gjitha tubimet që janë bërë, në shtatë qendrat e Kosovës, ka qenë kërkesa që mos të dilet në votime. Mirëpo, edhe kjo çështje do të artikulohet konform me vullnetin e pensionistëve dhe kërkesat e tyre, në lidhje me çështjet që ne po diskutojmë”, tha Fehmiu. Ndryshe, në Kosovë llogariten se janë mbi 100 mijë pensionistë, të cilët, sipas Ligjit për Pensione, marrin nga 40 euro në muaj, pavarësisht nga puna që kanë bërë dhe kontributi që kanë dhënë.

XS
SM
MD
LG