Ndërlidhjet

DERVISHI:“BISEDIMET – MUNDËSI PËR PAJTIMIN E TRI SUPERFUQIVE”


Teki DERVISHI, dramaturg dhe publicist

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Dervishi, tash së fundi, pothuajse gjithë vëmendja e opinionit kosovar është përqendruar në zhvillimet rreth definimit të statusit politik të Kosovës, të cilat duket se po hyjnë në fazën e fundit. Si i shikoni ju këto zhvillime?

TEKI DERVISHI
Mendoj se këto zhvillime, siç thonë edhe të gjithë analistët e fuqive botërore, janë vetëm edhe një blerje kohe, e sidomos për disa qarqe evropiane, që e prishin unitetin e BE-së, si dhe për Rusinë, për shkak se pikërisht këto dy faktorë të rëndësishëm të fuqive të mëdha kanë hezitime të ndryshme rreth pakos së Ahtisaarit. Kurse, SHBA-të tashmë i kanë më kategorike qëndrimet e tyre. Mendoj se kjo kohë do të shfrytëzohet që të harmonizohen qëndrimet e Evropës dhe Rusisë, rreth këtij problemi.

RADIO EVROPA E LIRË
Çështja e Kosovës tashmë është bartur në Grupin e Kontaktit dhe OKB-ja tashmë ka përcaktuar afatin 120 ditësh për bisedime në mes të Prishtinës dhe Beogradit. A pritni ndonjë rezultat dhe çfarë mendoni se do të jetë ai?

TEKI DERVISHI
Kjo apriori dihet, për shkak se edhe deklarohet se faktori shqiptar ose faktori Kosova dhe faktori serb ose faktori Serbia nuk do të mund të pajtohen. Do të thotë, do të bëhet fjalë për mundësitë e pajtimit të tri super-fuqive, të them kështu, pasi që Rusia veç po paraqitet, po prezantohet si një lidership i ri botëror dhe kjo kohë do të shfrytëzohet për ta gjetur ata një ‘modus vivendi’. Mirëpo, unë personalisht mendoj se edhe pas këtyre 120 ditëve të proklamuara, nuk do të gjendet kurrfarë emëruesi i përbashkët ose nuk do të ndodhë ndonjë marrëveshje mes këtyre tre faktorëve vendimtarë. Sa na përket neve këtu, tashmë të gjithë po deklarojnë se ne nuk jemi faktorë të vendosjes në fatin e Kosovës. Kjo është e vërtetë, se ne shqiptarëve na mungon një Franjo Tugjman, na mungon një Kuçan ose një Ivica Raçan, të cilët e kanë rrëzuar sistemin komunist të Jugosllavisë dhe i kanë ndërtuar shtetet e veta të pavarura. Mendoj se do të duhej të kemi një lider të fortë, i cili, megjithatë, nuk do t’i linte komod këto tri fuqi që të vendosin për ne, thuajse ne nuk ekzistojmë fare dhe thuajse ne nuk vendosim për vetveten asgjë.

RADIO EVROPA E LIRË
Për lider të ri nevojiten zgjedhjet. A mendoni se do të duhej të mbaheshin zgjedhjet para definimit të statusit politik të Kosovës?

TEKI DERVISHI
Këto janë humoreska, që disa faktorë të rëndësishëm të administratës së UNMIK-ut mundohen t’i luajnë me disa politikanë, që edhe në këtë kohë mendojnë për një karrierë politike, për ndonjë pozicion në disa institucione, që zyrtarisht i quajnë të përkohshme; do të thotë, që kanë legjitimitetin e zgjedhjeve, por nuk kanë ingerenca të ekzekutivit. As buxheti i Kosovës nuk varet prej tyre, por varet prej faktorëve të tjerë, si prej Fondit Monetar Ndërkombëtar, prej Bankës Botërore, me të cilët faktikisht komunikon UNMIK-u, e jo qeveritarët e ashtuquajtur shqiptarë.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e shikoni trekëndëshin politik SHBA-Bruksel-Rusi, lidhur me çështjen e Kosovës? Dhe, sipas jush, cili duhet të jetë reflektimi dhe veprimi politik i Kosovës në mes të këtij trekëndëshi?

TEKI DERVISHI
Kur i dëgjon parlamentarët në një mbledhje të tyre dhe kur i dëgjon deklaratat publike të gati gjithë liderëve shqiptarë, vazhdimisht e kanë një shprehje shumë bajate, e cila ka qenë në modë dhjetë vjet përpara. Unë mendoj se shqiptarët duhet të orientohen vetëm kah miqtë e tyre tradicionalë dhe aleatët e tyre tradicionalë, e ata janë SHBA-të. Kurse, sa i përket BE-së, dihet se BE-ja është një unitet fals, për shkak se polaritetet në mes të shteteve të BE-së janë shumë të mëdha dhe janë të hapura. Disa shtete të Evropës kurrë nuk do të pajtohen me zgjidhjen e çështjes shqiptare në Ballkan dhe kjo është diçka që shihet prej së largu. Është edhe problemi i traditës së marrëdhënieve shqiptaro-evropiane; dihet se tragjedinë shqiptare, vazhdimisht në bashkëpunim me marrëveshjet ruso-evropiane, e kanë shkaktuar kongrese të ndryshme, që janë mbajtur nëpër shtete të Evropës, siç është Kongresi i Berlinit etj. Do të thotë, Evropa deri tash nuk ka qenë mik tradicional i shqiptarëve, por përkundrazi është fajtori kryesor, që sot, trojet shqiptare janë të ndara në të gjitha shtetet fqinje që i kemi në Ballkan. Në këtë trekëndësh, mendoj se Kosova do të gjendet në një realizëm politik vetëm pas 120 ditëve, kur do të shpalosen mundësitë ose pamundësitë e pavarësimit të saj. Mendoj se vetë proceset do ta krijojnë një lidership dhe do ta nxjerrin një lider të tipit, siç e përmenda, të Franjo Tugjmanit, të Kuçanit ose të tjerëve.

RADIO EVROPA E LIRË
Shpesh keni deklaruar se pjesa më e madhe e inteligjencies shqiptare të Kosovës është lënë anash sa i përket inkorporimit të tyre, për të kontribuar në përgatitjen e Kosovës për fazën e tashme të zhvillimeve politike, por edhe për të ardhmen. A e mbani ende këtë qëndrim dhe çfarë mendoni se duhet bërë?

TEKI DERVISHI
Ne nuk mund të bëjmë asgjë, për shkak se nuk mund t’i imponohemi censurës staliniste, e cila sot ekziston gati në të gjitha masmediat shqiptare. Kjo, faktikisht, nuk është spontane dhe nuk është për shkak të njerëzve që i udhëheqin ato, por është për shkak se dikush i ka zgjedhur ato njerëz dhe se kjo është bërë me qëllime shumë largpamëse të UNMIK-ut. Administrata e UNMIK-ut, faktikisht, i ka zgjedhur të punojnë vetëm ata njerëz, të cilët kanë qenë të afirmuar edhe më parë për disa pikëpamje të tyre politike në marrëdhëniet shqiptaro-serbe. Janë deklarata të tyre kontinuele, të 20 vjetëve të fundit, janë ata njerëz që kanë kërkuar demokratizimin e Serbisë, janë ata njerëz që asnjëherë nuk kanë pranuar të thonë se shteti është kombi dhe se nuk mund të bëjmë shtet nëse, së pari, nuk jemi nacionalistë. Mirëpo, njerëzit që kanë planifikuar që UNMIK-u të qëndrojë këtu, kaq kohë sa ka qëndruar pa fije të drejte, ata nuk kanë mundur ndryshe të qëndrojnë pa pasur një kllaviaturë në masmediat shqiptare dhe pa pasur një censurë të fshehtë politike, e cila i ka ekskomunikuar, në mënyrën më banale, të gjithë akademikët shqiptarë; nuk po mendoj për anëtarët e Akademisë, por për akademizmin në politikë dhe ka bërë një politikë, e cila është më tepër zhurnaliste dhe e cila i ndjek vetëm opsionet që i lexojnë nga gazetat. Dhe, nuk kemi më as analistë, por kemi media-analistë – njerëz që analizojnë opsionet e mediave, e jo opsionet politike. Tash duhet të presim proceset. Besoj se situata do të vështirësohet shumë dhe ne, shqiptarët, në situata të rënda, vazhdimisht kemi ditur të nxirremi dhe kemi ditur të qëndrojmë para armiqve. Shqiptarët mos të shpresojnë në demokratizimin e Serbisë, siç kanë shpresuar 20 vjet, dhe më në fund, kur kanë ardhur demokratët në pushtetin e Serbisë, ata quhen Koshtunica e Tadiq, që e kanë të njëjtin fjalor, mos të them më të keq se të Sheshelit dhe të Millosheviqit.

INTERVISTOI: BEKIM BISLIMI
XS
SM
MD
LG