Ndërlidhjet

KOSOVË: NË 1000 FOSHNJA - 23 VDESIN


Nadie Ahmeti

Në Kosovë, vdekshmëria perinatale e foshnjës është mjaft e lartë. Bazuar në të dhënat e raportuara nga maternitetet, për vitin 2006, shkalla e të porsalindurve që kanë vdekur, është 23 në 1000 foshnja. Vetëm në shtatë ditët e para të jetës së tyre, 10 foshnja vdesin në 1000 të lindura dhe të vdekura lindin 12 foshnja në 1000 të gjalla. Kështu thotë Agron Gashi, nga Fondi Ndërkombëtar i Kombeve të Bashkuara për Fëmijë, duke shtuar se, megjithatë, vdekshmëria e foshnjave, viteve të fundit, është në rënie e sipër. “Vdekshmëria e foshnjave paraqet vdekjen e frytit prej 500 gramësh apo në 22 javë të gestacionit, deri në javën e parë të lindjes. Në krahasim me vitet paraprake, p.sh. në vitin 2000, ku 29 foshnja kanë vdekur në 1000 lindje, ka një rënie të ngadalshme të vdekshmërisë perinatale”, tha zoti Gashi. Vdekshmëria perinatale, në Kosovë, është indikator i mungesës së kulturës shëndetësore, thotë Njazi Shala, kryetar i Shoqatës së Pediatërve, duke shtuar se në këtë aspekt ndikon edhe mungesa e kuadrove profesionale. Ai thotë se vetëm në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës mund të thuhet se ka numër të mjaftueshëm të pediatërve, ndërkaq zonat tjera ballafaqohen shumë me këtë problem. “Mjekët janë në nivelin e duhur, por numri i tyre duhet të jetë akoma më i madh, si dhe distribuimi i tyre nuk është i drejtë. Kur them distribuim, e kam fjalën në atë që një numër i madh i pediatërve ose profesionistëve është në qendra kryesore, ndërkaq periferia është në mangësi”, tha zoti Shala. Problem tjetër në vdekshmërinë e foshnjave, sipas tij, është edhe kualiteti i dobët i mirëqenies socio-ekonomike dhe shëndetësore të një familjeje. “Në familje është kushti i parë, nëse e marrim aspektin material, niveli i edukimit të nënës dhe familjes, do të thotë kultura e përgjithshme dhe kultura në aspektin shëndetësor; gjithsesi është edhe numri i fëmijëve në një familje dhe mosha e tyre”, u shpreh zoti Shala. Kultura shëndetësore e nënave dhe vizitat e rregullta mjekësore të shtatzënave duhet të jenë në nivelin e duhur, thotë Agron Gashi, nga UNICEF-i. “Ne gjithmonë aludojmë dhe mendojmë se ka nevojë për një edukim të vazhdueshëm të komunitetit. Edhe pse, sipas disa studimeve, 95 për qind e femrave shtatzëna e kanë nga një vizitë antinatale, ndërkaq sipas rekomandimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, referohet deri në pesë vizita. Mirëpo, këto vizita duhet të jenë vizita të mirëfillta”, theksoi zoti Gashi. Sidoqoftë, sipas zyrtarëve shëndetësorë për uljen e shkallës së vdekshmërisë së foshnjave në Kosovë, është e domosdoshme ngritja e edukimit shëndetësor të popullatës, por edhe një rritje në numrin e kuadrove profesionale, që trajtojnë këtë problematikë.

XS
SM
MD
LG