Ndërlidhjet

SA PO ZBATOHEN REFORMAT NË SISTEMIN E ARSIMIT?


Nadie Ahmeti

Reformat e filluara në sistemin e arsimit parauniversitar nuk po zbatohen nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe në këtë mënyrë po rrezikohet dështimi i tyre, por edhe i sistemit arsimor në përgjithësi, thonë ekspertë për çështje të arsimit. Halim Hyseni, nga Qendra për Arsim e Kosovës, thotë se disa nga reformat që tashmë kanë filluar dhe nuk po zbatohen, mund të quhen të dështuara. Sipas tij, reformat që nuk po zbatohen në nivelin e duhur, janë reformat për klasat e pesta, për klasat e nënta dhe plan-programet arsimore. Ai pohon se është një numër i madh i faktorëve, të cilët nuk po veprojnë në mënyrë të koordinuar dhe në këtë mënyrë po e vënë në pikëpyetje zbatimin e suksesshëm të këtyre reformave. “Janë disa lëshime, të cilat seriozisht e rrezikojnë komplet procesin e ndryshimit në sistemin e arsimit. Është mungesa e një gatishmërie politike për zbatimin e ndryshimeve në arsim”, thotë Hyseni. Enver Hoxhaj, udhëheqës i Departamentit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Kabinetin për Qeverisje të Mirë të Partisë Demokratike të Kosovës, thotë se reformat në arsim janë lënë anash, sidomos në tri vjetët e fundit. Ai thotë se moszbatimi i reformave është për shkak të mungesës së mjeteve materiale dhe kuadrove profesionale për zbatimin e tyre nga Ministria e Arsimit. “Ministrisë së Arsimit i ka munguar vizioni i qartë politik. Ministria e Arsimit dhe Qeveria e Kosovës nuk kanë pasur ndonjë program reformues. U kanë munguar financat e nevojshme dhe mbi të gjitha u ka munguar stafi i nevojshëm profesional, i cili do t’i përcillte reformat në të gjitha fushat e jetës”, u shpreh Hoxhaj. Sipas reformave të parapara, parashihet që edhe numri i nxënësve të jetë më i vogël në një klasë, thotë Hoxhaj, duke shtuar se Ministria e Arsimit edhe në këtë drejtim nuk ka arritur ta plotësojë këtë kërkesë. “Arsimi në Kosovë ballafaqohet edhe me mungesë të hapësirës shkollore, me numër të madh të nxënësve, me mungesë të pajisjeve të nevojshme për mësim, ku tekstet shkollore nuk janë të nivelit siç do të duhej të ishin”, theksoi Hoxhaj. Sipas tij, procesin e ndryshimeve në sistemin e arsimit e ka vështirësuar edhe pozita e vështirë e mësimdhënësve. Hoxhaj thotë se paga, të cilën e marrin mësimdhënësit, nuk i stimulon ata që t’i aplikojnë reformat. “Ndryshimet në procesin arsimor i vështirëson edhe pozita e 27 mijë arsimtarëve, që marrin një pagë lineare, pavarësisht prej përvojës, pavarësisht prej shkallës profesionale dhe pavarësisht angazhimit të tyre në procesin mësimor”, pohoi Hoxhaj. Ndryshe, Halim Hyseni, nga Qendra për Arsim e Kosovës, thotë se nëse nuk ndërmerren masa urgjente në zbatimin e reformave, pasojat do të jenë të mëdha në shoqërinë kosovare. “Deri tash ka disa lëshime që rrezikojnë procesin e reformave, por nuk mund të themi se plotësisht kanë dështuar. Ndërkaq, nëse nuk bëhen ndryshime, vërtet do të jetë një apokalips në sistemin e arsimit, që do të bartet në tërë shoqërinë kosovare“, tha Hyseni. Sidoqoftë, ekspertë për çështje të arsimit thonë se edhe mungesa e mekanizmave për monitorimin e reformave në ato shkolla ku kanë filluar, ka bërë që ky proces të mos zbatohet në nivelin e duhur. Ndryshe, zyrtarë të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë nuk kanë dashur të prononcohen për këtë çështje.
XS
SM
MD
LG