Ndërlidhjet

ÇEKU: TRESHEN E PRESIM ME PLATFORMË TË QARTË


Albana Isufi

Treshja negociatore që pritet ta vizitojë Kosovën në fundjavë, sipas kryeministrit Agim Çeku, do të pritet me një platformë të qartë dhe me qëndrim të vendosur, se kosovarët nuk do të negociojnë pavarësinë, pakon e Ahtisaarit dhe nuk do të lejojnë cenimin e tërësisë territoriale. “Kjo periudhë duhet të jetë e kufizuar edhe me afat kohor, edhe me përmbajtje. Ne kërkojmë që ky mos të trajtohet si proces i ri, por si vazhdimësi e panevojshme e procesit”, është shprehur kryeministri Çeku. Ai ka thënë se në periudhën 120 ditëshe mund të bisedohet vetëm për çështje teknike dhe për mundësitë e zbatimit të pakos së Ahtisaarit. “Do të kërkojmë nga treshja që mos të ketë propozime të reja, por të na ndihmojë që të arrihet progres në çështjet që mund të arrihet progres, mos të humbim kohë duke diskutuar çështjen e statusit, çështjen e pavarësisë, apo elementet e pakos së Ahtisaarit”, ka thënë Çeku. Grupi i Kontaktit takohet nesër në Londër, ndërkohë që pas këtij takimi, është thënë se treshja Wisner-Ischinger- Harchenko do të vizitojë Serbinë dhe Kosovën. Pas këtyre takimeve pritet të caktohet agjenda e bisedimeve, e cila agjendë, sipas të dërguarit amerikan, Frank Wisner, do të marrë për bazë qëndrimet e palëve. Sidoqoftë, deri në arritjen e treshes në Kosovë, Ekipi i Unitetit, sipas kryeministrit Çeku, me gjasë nuk do të takohet, meqë disa nga anëtarët e këtij ekipi tashmë gjenden në pushime. Rrjedhimisht, platforma kosovare nuk do të zyrtarizohet. “Mendoj se arsyeja pse nuk do të kemi takim deri në ardhjen e trojkës, është se ne jemi shumë të qartë në qëndrimin tonë, nuk kemi tjetër çka të harmonizojmë, përveç asaj që e kemi shpalosur në Kuvendin e Kosovës dhe Kuvendi në njëfarë forme e ka adaptuar”, ka theksuar Çeku. Të gjitha këto komente, kryeministri i Kosovës i bëri pas takimit me komandantin e krahut jugor të NATO-s, admiralin Harry Ulrich. Admirali Ulrich ka siguruar kosovarët se KFOR-i do të vazhdojë të mbrojë të gjithë territorin e Kosovës. “Misioni i KFOR-it është që t’i ofrojë siguri Kosovës. Procesi politik është punë e kryeministrit dhe e treshes dhe komuniteti ndërkombëtar dëshiron një vendim përfundimtar përmes rrugëve legjitime. Përderisa ky proces të vazhdojë, gjenerali Kather dhe forcat e tija do të jenë të gatshme dhe të vendosura për të ofruar një mjedis të sigurt për tërë Kosovën”, ka thënë admirali Ulrich. Ndryshe, kryeministri i Kosovës është shprehur skeptik, se kthimi eventual i procesi të statusit në Këshillin e Sigurimit mund të sjellë rezultate. Ai ka thënë se një kthim i tillë do të mund të bëhej, vetëm po qe se do të bindej Rusia për të mos përdorur veton. Në të kundërtën, kryeministri ka thënë se do të zgjidhen rrugët tjera, duke aluduar kështu në shpalljen e njëanshme të pavarësisë. Kryeministri Agim Çeku edhe sot ka tërhequr vërejtjen nga rreziku i opsionit të ndarjes së Kosovës, duke paralajmëruar se çdo vizatim i ri i kufijve do të destabilizojë kufijtë tjerë në Ballkan. Ai po ashtu ka thënë se nëse një vendim i tillë hidhet në tavolinë, atëherë Ekipi i Unitetit do të shqyrtojë pjesëmarrjen e tij në proces.

XS
SM
MD
LG