Ndërlidhjet

PRISHTINA PRET NGA GK RIKONFIRMIMIN E TRE PARIMEVE KYÇE


Albana Isufi

Përfaqësues të Qeverisë dhe opozitës, në Kosovë, presin që edhe në takimin e sotëm të Grupit të Kontaktit, që mbahet në nivel drejtorësh politikë në Londër, të rikonfirmohen parimet e vendosura më parë nga ky grup, për mosndarjen e Kosovës, mosndryshimin e kufijve dhe moskthimin në gjendjen para vitit 1999. Pas këtij takimi, pritet që treshja negociuese të vizitojë Kosovën dhe Serbinë, ndërkohë që ende nuk dihet formati e as temat e bisedimeve në periudhën 120 ditëshe. Zëdhënësja e kryeministrit, Ulpiana Lama, tha se pala kosovare nuk pret që temat të diktohen nga Grupi i Kontaktit, në këtë periudhë të angazhimit shtesë. “Kryeministri e ka bërë shumë të qartë se ne nuk presim që ata të diktojnë, por që ata duhet të kenë takime me palët dhe të dëgjojnë. Ne presim që të dëgjohemi. Ky nuk është një proces i nisur nga i pari, të paktën ne nuk e konsiderojmë si të tillë, ne e konsiderojmë si vazhdim të panevojshëm të një procesi që ka nisur kohë më përpara dhe i cili ka qenë i gjithi dhe ekskluzivisht diplomatik”, ka thënë Lama. Zyrtarë të partive opozitare në Kosovë presin që përveç tre parimeve kyçe për Kosovën, Grupi i Kontaktit të garantojë edhe moshapjen e pakos së Ahtisaarit. Zëdhënësja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, tha: “Tashmë e kemi edhe një element të ri në tavolinë, e ajo është pakoja e presidentit Ahtisaari. Presim po ashtu që Grupi i Kontaktit të shprehë mbështetjen e tij për dokumentin e Ahtisaarit, si një dokument kompromisi dhe si zgjidhja e vetme e pranueshme për shqiptarët në Kosovë”. Pala kosovare ka bërë të qartë se nuk do të negociojë pavarësinë, pakon e Ahtisaarit, si dhe nuk do të lejojë cenimin e integritetit territorial të Kosovës. Kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, ka thënë se në rast se do të shkeleshin këto tre parime dhe në tavolinë do të hidhej opsioni i ndarjes, pala kosovare do të shqyrtojë qëndrimin e saj në negociata. Zëdhënësja Lama thotë se ky qëndrim është i prerë, meqë liderët nuk kanë mandat t’i negociojnë këto tre parime. “Mandati i liderëve politikë të Kosovës është mbrojtja e integritetit territorial të Kosovës dhe përfaqësimi i vullnetit të popullit, që është Kosova - shtet i pavarur dhe sovran. Kështu që këto parime nuk mund të negociohen, këto parime nuk mund të shkelen dhe këto janë, le të themi, linja e kuqe, të cilës duhet t’i përmbahen të gjithë. Dhe, kryeministri, pa diskutim, përfaqëson këtë frymë dhe është mbrojtës i kësaj fryme institucionale”, ka theksuar Lama. Ngjashëm, edhe Vlora Çitaku thotë se institucionet nuk kanë mandat për të biseduar për ndarjen territoriale të Kosovës. ”PDK-ja konsideron se integriteti territorial është i shenjtë dhe i pacenueshëm. Ky nuk është vetëm pozicion i Kosovës, por edhe i bashkësisë ndërkombëtare dhe është një nga tre parimet e panegociueshme të Grupit të Kontaktit. Nëse do të flitej për ndarje, atëherë ajo nuk do të përfundonte aty. Aty do të flitej, më pas, për dezintegrim të Ballkanit, për shkak se ndarja e Kosovës do të kishte efektin domino”, ka thënë Çitaku. Ndërkohë, përveç tre parimeve bazë, me të cilat do të hyjnë në negociata, pala kosovare ka thënë se çështjet, për të cilat mund të bisedohet në periudhën shtesë, mund të jenë ato që lidhen me të zhdukurit, sukcesionin, fondin pensional e liberalizimin e kufijve. Në anën tjetër, Ekipi Negociator serb kërkon që të diskutohet për status, të mos merret për bazë pakoja e Ahtisaarit, të mos ketë kufizime kohore, të mos paragjykohet përfundimi i negociatave, që bisedimet të jenë direkte dhe nën kontrollin e Këshillit të Sigurimit. Sido që të jetë, disa liderë kosovarë kanë shfaqur bindjen se me përfundimin e periudhës 120 ditëshe, do të zgjidhet statusi i Kosovës, përderisa kryeministri Agim Çeku dhe lideri i ORA-s, Veton Surroi, kanë propozuar që Kuvendi i Kosovës ta shpallë pavarësinë, para se të përfundojë angazhimi shtesë.
XS
SM
MD
LG