Ndërlidhjet

LIMAJ:”ÇFARËDO TENDENCE PËR TË NDARË KOSOVËN, ËSHTË NË KUNDËRSHTIM ME VIZIONIN EVROPIAN”


Fatmir LIMAJ, nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Limaj, treshja ndërkombëtare pritet të vijë gjatë fundjavës në Kosovë, për të shqyrtuar kahjen që do të marrin negociatat e ardhshme me Serbinë? Çfarë prisni ju nga këto negociata?

FATMIR LIMAJ
Opinioni i gjerë e di që për Kosovën negociatat kanë përfunduar me dokumentin e Ahtisaarit. Kërkesën e fundit të komunitetit ndërkombëtar për të filluar edhe një raund negociatash, më tepër e shoh si një rast që i jepet të gjithë atyre që ende kanë dilema rreth asaj se a mund të ndërtohet një marrëveshje e përbashkët mes shqiptarëve dhe serbëve. Duan ta shohin që ky është demonstrimi i fundit që bëhet për të shpenzuar edhe këtë hapësirë, se një marrëveshje mes shqiptarëve dhe serbëve nuk mund të bëhet dhe se dokumenti i Ahtisaarit është zgjidhja më e mirë dhe kompromisi më i madh që është bërë. Mendoj se është dokumenti vendimtar dhe duhet të fillojë implementimi i tij.

RADIO EVROPA E LIRË
Prishtina zyrtare ka caktuar tri çështje, rreth të cilave nuk do të pranojë negociata: për pavarësinë, për tërësinë territoriale dhe për pakon e Ahtisaarit. A mendoni se gjatë bisedimeve do të mund të kërkohej nga Prishtina ndonjë kompromis pikërisht në këto çështje?

FATMIR LIMAJ
Qëndrimi është i qartë. Besoj se Grupi i Unitetit do ta qartësojë edhe më mirë orientimin e Prishtinës zyrtare. Mendoj se Prishtina i ka bërë të gjitha kompromiset. Pakoja e Ahtisaarit është një kompromis shumë i madh, kompromis që ruan funksionalitetin e shtetit. Nëse ne futemi në kompromise të tjera, praktikisht Kosovën e kthejmë në një vend të dështuar, në një shtet jofunksional. Kjo nuk do t’i konvenonte as shumicës shqiptare, as serbëve, por mbi të gjitha nuk do t’i konvenonte stabilitetit në rajon dhe vetë Evropës. Mendoj se është koha, që ne të kujdesemi për të pasur krijesë që funksionon dhe mendoj se dokumenti i Ahtisaarit e ka pasur këtë parasysh; ka ecur nëpër qelq, siç thuhet, por megjithatë, ka ruajtur funksionalitetin e shtetit të ardhshëm të Kosovës. Çfarëdo tendence për ta hapur dhe për të kërkuar kompromise të tjera, praktikisht këtë dokument e bën të papërdorshëm. Dokumenti i Ahtisaarit nuk është dokument i Kosovës, është dokument i komunitetit ndërkombëtar, është dokument që është pranuar nga pjesa më e madhe e Bashkimit Evropian dhe SHBA-të. Ata e dinë mirë, sepse kanë qenë ndërtuesit e këtij dokumenti dhe e dinë mirë se sa kompromise janë bërë në këtë dokument. Prandaj, do të thosha që do të ishte e padrejtë çfarëdo kërkese tjetër, që të kërkohet nga shqiptarët për të bërë një kompromis, sepse çfarëdo tendence për të shkuar në kërkesa për kompromise të reja, praktikisht Kosovën e kthen në një vend të dështuar.

RADIO EVROPA E LIRË
Ideja e ndarjes së Kosovës është përmendur shpesh këto ditë. Ju keni thënë se ‘të gjithë ata që tentojnë ndryshimin e kufijve të Kosovës, do të futen në një rrezikshmëri, të cilën askush nuk e dëshiron’. Për çfarë rreziku bëhet fjalë?

FATMIR LIMAJ
Kam thënë se të gjithë ata duhet ta kenë parasysh hartën e rajonit. Për çfarëdo tendence për të ndarë Kosovën, duhet të shihet rajoni, sepse rajoni ka telashe të mëdha, që nga Bosnja deri në Maqedoni. Nuk mund të kufizohet ndarja e Kosovës, nuk mund të përkufizohet, nuk mund të izolohet dhe nuk mund të lokalizohet vetëm në Mitrovicë. Nëse dikush dëshiron që kjo të ndodhë në Kosovë, mund të ndodhë edhe në vende të tjera. Dhe, praktikisht, efekti domino do të shkojë në të gjithë rajonin dhe ne do të kthehemi në pikën zero, në vitet ’90, kur ka filluar lufta. Nuk do të ishte dashur që gjërat të kthehen përsëri në vitin 1990, duke filluar nga fillimi i rishkrimit të kufijve të Ballkanit. Prandaj, dokumenti i Ahtisaarit është kompromisi më i madh dhe dokumenti që reflekton stabilitet në rajon. Ne, si palë kosovare në këtë rast, ua tërheqim vëmendjen të gjithë atyre që, në një mënyrë apo tjetër, dëshirojnë ta bëjnë një gjë të tillë. Duhet ta kenë të qartë që kjo është kundër vizionit të Evropës së bashkuar. Çfarëdo tendence për të ndarë vendin, në këtë rast Kosovën, është absolutisht në kundërshtim me vizionin evropian. Derisa këto vende pretendojnë të jenë pjesë e BE-së dhe në anën tjetër kërkojnë të copëtojnë pjesë të ndryshme të vendeve të rajonit, do me thënë është një kundërshtim me vetë politikat e tyre. Prandaj, gjëja më e mirë është që të gjithë të shkojmë me kufijtë ashtu siç i kemi, ta pranojmë realitetin, të pranojmë njëri-tjetrin si fqinj dhe të gjithë së bashku të fillojmë integrimet evropiane. Për çfarëdo tendence për të luajtur territoret, çdokush duhet ta ketë të qartë hartën e Ballkanit dhe pozicionin ku janë shqiptarët në këtë hartë të Ballkanit.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë mendoni ju se duhet bërë pala kosovare nëse bisedimet përfundojnë pa asnjë rezultat? Të shpallet njëanshëm pavarësia?

FATMIR LIMAJ
Kosova, edhe këtë rast, jo me vullnetin e saj normalisht, me kërkesën e komunitetit ndërkombëtar, po u jep rast edhe një herë të gjithë atyre që kanë ende shpresa se mund të gjendet një zgjidhje. Për këto 120 ditë, ne do të provojmë, do të jemi të gatshëm, do të bisedojmë për të vërtetuar që ne i kemi shfrytëzuar të gjitha mundësitë për të gjetur një zgjidhje të përbashkët, sepse është interesi i Kosovës që të kemi një marrëveshje, është interesi i Kosovës që të gjithë t’i kemi në bord, është në interesin e popullit të Kosovës që të kemi një marrëveshje që do të pranohet nga të gjithë. Nëse kjo nuk do të ndodhë, besoj se për të gjithë është e qartë, që ne nuk do të presim deri në infinit dhe Kosova do të vazhdojë rrugën e saj në mënyrë të pavarur.

RADIO EVROPA E LIRË
Pse mendoni se zgjedhjet nuk duhet të shtyhen?

FATMIR LIMAJ
Sepse Kosova duhet ta dëshmojë se është demokraci në funksion, se populli i Kosovës duhet ta dëshmojë para komunitetit ndërkombëtar se ne kemi ndërtuar kapacitete të mjaftueshme demokratike, se kemi pjekuri të mjaftueshme politike për ta ndërtuar shtetin tonë. Mbajtja e zgjedhjeve në këtë kohë është një dëshmi e fuqishme, që tregon se ky vend është i pjekur politikisht, që ky vend është në gjendje që, në të njëjtën kohë, të ecë në dy binare, binarin e statusit dhe të thellimit të demokracisë. Për mua nuk ka kurrfarë kuptimi shteti i pavarur pa demokraci. Kosova, sot, është para një dileme se nesër institucionet e vendit do të humbin legjitimitetin, për shkak të skadimit të mandatit. Dhe, ne kërkojmë që ky mandat të rikonfirmohet ose të rilegjitimohet nga vota e qytetarëve. Ky është thelbi i funksionimit demokratik në një vend. Ne jemi ithtarë të asaj që këtë vend që po e ndërtojmë si shtet, ta ndërtojmë si shtet të mirëfilltë demokratik dhe zgjedhjet janë thelbi i demokracisë në një vend.

INTERVISTOI: ARTON KONUSHEVCI

XS
SM
MD
LG