Ndërlidhjet

logo-print

IMERI: KA MBETUR PA IMPLEMENTUAR NJË NGA PIKAT KRYESORE - PËRDORIMI I GJUHËS SHQIPE


Imer IMERI, njëri nga nënshkruesit e Marrëveshjes së Ohrit në Maqedoni

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Imeri, edhe disa ditë mbushen gjashtë vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit, me të cilën i është dhënë fund konfliktit të armatosur të vitit 2001. Cili është vlerësimi juaj sa i përket kësaj marrëveshjeje, tani 6 vjet pas nënshkrimit të saj? Sa është bërë në drejtim të realizimit të plotë të marrëveshjes kornizë?

IMER IMERI
Marrëveshja ishte një kompromis mes palëve dhe asnjëra palë nuk mbeti plotësisht e kënaqur, aq më tepër shqiptarët nuk kanë arsye të jenë të kënaqur, sepse implementimi i saj u prolongua aq shumë, saqë duket se herë- herë e humb aktualitetin. Ende ka rezistenca serioze për implementimin e saj. Pra, thënë shkurt, ka mbetur një nga pikat kryesore, siç është përdorimi i gjuhës shqipe. Rezistohet nga pala maqedonase, ngase ata mendojnë se po të aplikohet gjuha shqipe si gjuhë e dytë zyrtare, humbet shtetësia e Maqedonisë, që në fakt nuk është aspak e vërtetë.

RADIO EVROPA E LIRË
Pikërisht në këtë drejtim, kishim edhe një deklaratë nga kryeministri Nikolla Gruevski, i cili ua bëri me dije partive politike shqiptare, që të mos ëndërrojnë dygjuhësinë në Maqedoni, pasi, sipas tij, kjo nuk parashihet me Marrëveshjen e Ohrit e as në Kushtetutën aktuale. Sa ka të vërtetë në këtë, apo çka do të thotë një deklaratë e këtillë nga njeriu i parë i ekzekutivit?

IMER IMERI
Është një falsifikat kjo deklaratë, sepse në Kushtetutë theksohet qartë se gjuha shqipe është gjuhë zyrtare, sepse e flasin më shumë se 20 për qind e popullatës në nivel të Maqedonisë. Por, përderisa partitë politike shqiptare shikojnë interesat partiake dhe individuale, do të jetë Gruevski dhe shumë Gruevska të tjerë që do të rezistojnë, pasi që partitë politike shqiptare nuk janë unike në këtë drejtim. Kjo është një sëmundje kronike, që i përcjell të gjithë shqiptarët dhe më këtë do të manipulojnë derisa ne nuk dimë të merremi vesh.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Imeri, një segment tjetër, për të cilin ditëve të fundit debatohet mjaft, është edhe statusi i ish-pjesëtarëve të UÇK-së. A parashihet me Marrëveshjen e Ohrit edhe zgjidhja e kësaj çështjeje, ngase nga partitë politike ka vlerësime nga më të ndryshmet për këtë çështje?

IMER IMERI
Natyrisht, edhe kjo mund të kualifikohet ashtu siç është dhe rezistenca ndaj gjuhës. Përderisa u arrit një marrëveshje politike, përderisa u bë një kompromis i dhimbshëm edhe për shqiptarët, kjo nënkupton dhe ligjin për amnisti. Amnistia është ligj i verifikuar, i sjellë në Maqedoni, ku të gjithë njerëzit që kanë marrë pjesë në veprimet luftarake, në ndonjë mënyrë dhe në konfliktin e armatosur, relativizohet përgjegjësia e tyre penale dhe absolutisht falen. Kjo është esenca e saj, pra nëse ata falen, marrëveshja politike është e atillë që ata të trajtohen njëlloj sikurse forcat maqedonase të sigurimit.

RADIO EVROPA E LIRË
Pak më parë përmendët konfrontimet mes partive politike shqiptare.
Mendoni se konfrontimet e tyre përdoren nga pala maqedonase për t’u mos zgjidhur dy nga pikat kryesore të Marrëveshjes së Ohrit, siç është zyrtarizimi i gjuhës shqipe dhe statusi i ish-luftëtarëve të UÇK-së?

IMER IMERI
Padyshim, ngase edhe zogjtë e dinë se partitë politike maqedonase kanë shfrytëzuar mosunitetin e partive politike shqiptare dhe gjejnë rrugëdalje për t`i komplikuar situatat dhe për të armiqësuar shqiptarët me njëri-tjetrin. Dhe kështu vonohet çdo vendim, çdo sjellje ligji që ka të bëjë me Marrëveshjen e Ohrit dhe në frymën e pajtimit ndëretnik.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Imeri, shpesh është thënë se rruga e integrimit të Maqedonisë në NATO dhe BE kalon përmes Ohrit. Si e shihni ju të ardhmen e Maqedonisë dhe të ardhmen e saj për të qenë pjesë e familjes evropiane?

IMER IMERI
Me këtë qasje politike që bëjnë partitë politike maqedonase dhe qeveritë, që kohë pas kohe ndërrohen, unë mendoj se jemi shumë larg nga inkuadrimi në NATO dhe BE. Këtu, fillimisht duhet të bëhet një pajtim i vërtetë, një pajtim ndëretnik, ngase pa këtë, Evropa nuk mund të na pranojë. Evropa nuk pranon shtete problematike, sidomos me marrëdhënie të parregulluara ndëretnike, madje mund të thuhet edhe konfliktuoze. Evropa ka konfliktet e veta, interesat e veta dhe në gjirin e saj nuk do të ketë këso anëtarësh. Por, ka edhe shumë kushte të tjera që Maqedonia nuk arrin t’i plotësojë.

RADIO EVROPA E LIRË
Mendoni se ky pajtim etnik do të arrihej me një qasje sa më reale ndaj përmbushjes së obligimeve që dalin nga Marrëveshja e Ohrit?

IMER IMERI
E kuptueshme është kjo, se nëse ka një qasje reale, natyrisht se do të arrihej më shpejt deri tek ky synim, por kështu si qëndrojnë punët, mendoj se nuk ka qasje reale.

INTERVISTOI: ISUF KADRIU
XS
SM
MD
LG