Ndërlidhjet

logo-print

GJASHTË MUAJ PAS NGJARJEVE TË DHUNSHME TË 10 SHKURTIT


Arton Konushevci

Lëvizja Vetëvendosje, sot, ka drejtuar kritika të shumta ndaj sistemit të drejtësisë dhe institucioneve vendore e ndërkombëtare për, siç kanë thënë udhëheqësit e kësaj lëvizjeje, mosnxjerrjen para drejtësisë të personave përgjegjës për vrasjen e dy protestuesve, më 10 shkurt të këtij viti. Në gjashtëmujorin e vdekjes së Mon Balajt dhe Arben Xheladinit, aktivistët e ‘Vetëvendosjes’ kanë kërkuar që pjesëtarët e njësisë policore rumune, të cilët kanë shkrepur plumba gome në drejtim të protestuesve, të sillen në Kosovë, për t’u përballur me gjyqësinë. Ata janë larguar nga Kosova në kohën kur hetimet mbi ngjarjet e dhunshme të 10 shkurtit ishin ende në zhvillim e sipër. Glauk Konjufca, në një konferencë për gazetarë, ka thënë se të gjitha hetimet që janë bërë, flasin se protestuesit kanë qenë të provokuar. “Sot, siç e dini, bëhen gjashtë muaj, që kur policia ndërkombëtare u doli përpara demonstruesve paqësorë dhe qëllimisht ua bllokoi rrugën, përderisa ata ishin duke marshuar në rrugën ‘Nëna Terezë’. Të gjitha veprimet e policisë flasin për një provokim të paramenduar të masës protestuese, pasi që UNMIK-u e dinte shumë mirë se demonstruesit kishin dalë për të shprehur bindjet e tyre politke dhe paqësisht”, ka thënë Konjufca. Ai ka shtuar se qëllimi i protestës së 10 shkurtit nuk ka qenë okupimi i institucioneve, por realizimi i skenarit të paralajmëruar për një protestë paqësore dhe për vetëvendosje. Në anën tjetër, Tomë Gashi, avokat i familjeve të dëmtuara nga protesta e 10 shkurtit, thotë se deri më sot nuk ka marrë asnjë informatë konkrete rreth kallëzimit penal, që ai ka dorëzuar në prokurori kundër pjesëtarëve të njësisë. “Meqenëse drejtësia këtu është krejtësisht e varur nga UNMIK-u, që nga ajo ditë, unë, si avokat i këtyre familjeve, nuk kam marrë ende njoftim zyrtar se çka është vepruar në bazë të këtij kallëzimi penal. Mund t’ju them se në këtë çështje është involvuar prokurori ndërkombëtar, Robert Dean, i cili ka përpiluar dy raporte; një raport ka qenë në prill të këtij viti dhe një tjetër në korrik. Në të gjitha raportet, prokurori ka identifikuar njësinë vrasëse - ajo është njësia vrasëse e policisë rumune. Prokurori ka identifikuar si të dyshimtë të mundshëm së paku 8 vrasës, të cilët janë policë rumunë që të gjithë. Ndërsa ne e kemi akuzuar edhe ish-komisionarin e policisë së UNMIK-ut, Steven Curtis”, tha avokati Gashi. Aktivistët e ‘Vetëvendosjes’, sot, i kanë dërguar një letër shefit të Zyrës britanike në Kosovë, David Blunt, ku kërkohet që ish-komisionari i policisë, Steven Curtis, të arrestohet. Ky i fundit ka dhënë dorëheqje menjëherë pas protestës, duke iu përgjigjur kësisoj kërkesës së shefit të administratës ndërkombëtare, Joachim Ruecker. Dorëheqje, me këtë rast, pati dhënë edhe ministri i atëhershëm i Punëve të Brendshme, Fatmir Rexhepi. Në ndërlidhje me ngjarjet e 10 shkurtit është arrestuar edhe Albin Kurti, udhëheqës i Lëvizjes Vetëvendosje, i cili aktualisht gjendet në arrest shtëpiak.
XS
SM
MD
LG