Ndërlidhjet

TRESHJA PËR STATUSIN E KOSOVËS BISEDOI ME ZYRTARËT E LARTË TË SERBISË


Radio Evropa e Lirë Treshja ndërkombëtare për statusin e Kosovës dje në Beograd bisedoi me zyrtarët më të lartë të Serbisë. Frank Wisner, Wolfgang Ischinger dhe Alekasandr Botsan-Kharchenko mbi një orë biseduan me presidentin e Serbisë, Boris Tadiq dhe me kryeministrin Vojisllav Koshtunica. Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian, Ishinger tha se plani i Marti Ahtisarit mbetet i vetmi opsion që është propozuar. Por, kryeministri Vojisllav Koshtunica tha se plani i Martti Ahtisaarit nuk mund të paraqesë bazë për bisedime.

Përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara në treshen e Grupit të Kontaktit, Frank Wisner, pas takimit deklaroi se ndërmjetësuesit do të bëjnë gjithçka të mundur për të gjetur zgjidhje për statusin e Kosovës, e cila do të ishte e pranueshme për të dy palët.
- Brenda kontekstit të Grupit të Kontaktit, ne planifikojmë të dëgjojmë dhe nuk do të lëmë asnjë gurë pa rrokullisur në përpjekje që të gjejmë një zgjidhje që është e pranueshme për palët. Ne do ta mbajmë këtë kurs të punës në javët para nesh, me vendosmëri absolute që të merremi me secilin opsion të mundshëm, që do të çoj te një përfundim i suksesshëm, që do të thotë paqe në rajon dhe të ardhme më të mire për Serbinë dhe për Kosovën, tha Frenk Uisner.

Përfaqësuesi i BE-së, Wolfgang Ischinger, e vlerësoi të mirë takimin me përfaqësuesit e Serbisë.
- Ne kishim një takim të mirë sot. Treshja e pati takimin e saj të parë në Beograd. Ne kishim rast të shpejgojmë, në disa detaje, qëllimin, fushëveprimin dhe mandatin e misionit tonë, tha Wolfgang Ischinger. Ai mëtutje tha se tre përfaqësuesit ndërkombëtarë duhet ti paraqesin raport Sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara deri më 10 dhjetor. Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian, Ischinger tha se plani i Martti Ahtisaarit mbetet i vetmi opsion që është propozuar, por treshja ndërkombëtare do të pranonte çfarëdo propozimi tjetër për të cilin do të arrihej pajtueshmëria e Prishtinës dhe e Beogradit.

Kryeministri i Serbisë, Vojisllav Koshtuncia tha se plani i Martti Ahtisaarit nuk mund të paraqesë bazë për bisedime pasi vendimi i ardhshëm për rregullimin e Kosovës duhet të mbështetet në të drejtën ndërkombëtare. Mëtutje në një njoftim nga presidenca e Serbisë, theksohet se presidenti Boris Tadiq u ka thënë përfaqësuesve ndërkombëtarë se statusi i ardhshëm i Kosovës duhet të vërtetohet në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Zoti Tadiq ka thënë se është "i domosdoshëm respektimi i sovranitetit dhe i integritetit territorial të Serbisë dhe se statusi i ardhshëm duhet të jetë në harmoni me parimet e Kombeve të Bashkuara".

Përfaqësuesi rus Aleksandr Botsan-Kharchenko tha se Rusia është pjesë e treshes. Ai tha se do të punojë në mënyrë konstruktive në kuadër të treshes dhe do t'i mbështesë kolegët nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
- Ne do ta mbështesim procesin e statusit të Kosovës në këtë shkallë. Do të bashkëpunojmë me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara, me qëllim që të ndihmojmë arritjen e një zgjidhjeje të bazuar në kompromis, që mund të mbështetet nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara", tha Kharchenko.

Raportohet se takimi i treshes me zyrtarët e lartë të Serbisë, zgjati mbi një orë. Pos presidentit Tadiq dhe kryeministrit Koshtunica, në takim morën pjesë edhe ministri për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Sllobodan Samarxhiq dhe ministri i jashtëm, Vuk Jeremiq.
XS
SM
MD
LG