Ndërlidhjet

TRESHJA NEGOCIATORE VIZITON KOSOVËN


Albana Isufi

Treshja negociuese do të pajtohet me atë që do të pajtohet Prishtina dhe Beogradi, por nuk do të bëjë propozime, ka thënë sot në Prishtinë, i dërguari amerikan në treshen e ngarkuar nga Grupi i Kontaktit, ambasadori Frank Wisner. Treshja negociuese ka marrë nga anëtarët e Ekipit të Unitetit përkushtimin se do të jenë bashkëpunues në këtë periudhë të negociatave 120 ditëshe, të cilat, sipas anëtarëve të treshes, kanë filluar me vizitën e tyre të djeshme në Beograd. “Ne ua shpjeguam misionin tonë. Ne jemi këtu si treshe, të ndërtojmë ura, në mënyrë që të gjejmë rrugën për të arritur një konsensus në rajon, që është në interes të paqes. Ne do të pajtohemi për çfarëdo që do të pajtohen palët. Ne nuk jemi këtu që të bëjmë propozime. Ne jemi këtu që të pajisemi me idetë tuaja dhe të kërkojmë konsensusin”, tha ambasadori Wisner, duke shtuar se statusi i Kosovës është çështje që duhet zgjidhur shpejt. Ndërkaq, i dërguari i Bashkimit Evropian në treshen negociuese, Wolfgang Ischinger, ka vlerësuar se takimet e para me Prishtinën dhe Beogradin kanë shënuar një fillim të mirë të negociatave 120 ditëshe. “Mendoj se është një fillim i mirë për diçka që nuk është edhe mision i lehtë për treshen. Por, ne mund të themi, pas këtyre ditëve të para eksploruese, se ky ishte një fillim i mirë dhe bazë e mirë për diskutime intensive, që do të kemi në javët dhe muajt e ardhshëm”, u shpreh diplomati gjerman, Wolfgang Ischinger. Në anën tjetër, ngjashëm si në Beograd, i dërguari rus, Aleksander Harchenko, ka përkrahur kolegët e tij amerikanë dhe evropianë në treshen e Grupit të Kontaktit. Ai ka thënë se treshja është e përkushtuar që të kërkojë një zgjidhje kompromisi. “Nuk kam iluzione dhe e kuptoj se sa i vështirë është ky mision. Por, ky përkushtim që e morëm në hapje të këtyre diskutimeve në Prishtinë, është për së tepërmi i rëndësishëm. Unë shpresoj se do të punojmë në mënyrë efektive së bashku në muajt e ardhshëm dhe e shihni se sa serioze është treshja në kërkim të kompromisit”, tha Harchenko, duke shtuar se treshja do të mbetet nën ombrellën e Kombeve të Bashkuara. Ai ka shprehur shpresën se edhe zgjdihja për statusin do të jetë një marrëveshje kompromisi mes Prishtinës e Beogradit, e cila do të merrte edhe bekimin e Këshillit të Sigurimit. Në anën tjetër, presidenti Fatmir Sejdiu ka paraqitur para treshes negociatore platformën, pikat themelore të së cilës janë mosnegocimi i pavarësisë, moshapja e pakos së Ahtisaarit dhe ruajtja e integritetit territorial të Kosovës. Presidenti Sejdiu ka thënë se pala kosovare do të bashkëpunojë në mënyrë konstruktive, në mënyrë që në fund të kësaj periudhe 120 ditëshe të zgjidhet statusi i Kosovës. “Shprehëm shumë qartë qëndirmet tona, që tashmë i dini, se pavarësia e Kosovës është e panegociueshme, integriteti territorial dhe funskional i Kosovës po ashtu është i pacenueshëm, se është shumë me rëndësi që për pakon e presidentit Ahtisaari e kemi zotimin për zbatimin e saj, se kemi garanci të qëndrueshme të qasjes sonë aktive për trajtimin dhe akomodimin më të mirë të mundshëm në bazë të standardeve ndërkombëtare të komuniteteve pakicë dhe në veçanti të pakicës serbe”, ka thënë presidenti Sejdiu. Treshja ndërkombëtare do të qëndrojë edhe ditën e dielë në Prishtinë, ku do të takohet me përfaqësues të komunitetit serb në Kosovë.


XS
SM
MD
LG