Ndërlidhjet

logo-print

DENKO MALEVSKI: ÇDO KRIZË NË FQINJËSI NXITË TRONDITJE POTENCIALE NË MAQEDONI


Denko MALEVSKI, profesor i së drejtës ndërkombëtare në Shkup

RADIO EVROPA E LIRË
Z. Maleski, çfarë ndikimi kanë në Maqedoni zhvillimet rreth zgjidhjes së statusit të Kosovës?

DENKO MALESKI
Ballkani funksionon sipas parimit të njohur të enëve komunikuese, kështu që çdo tronditje në fqinjësi, çdo krizë në vendin fqinj nxit tronditje potenciale edhe në Maqedoni. Nisur nga kjo, Maqedonia si shtet është tejet e interesuar që gjithë ky proces i zgjidhjes së çështjes të Kosovës të kalojë në mënyrë të qetë, në tryezën e bisedimeve dhe të mos ketë tronditje serioze. Them kështu duke u nisur nga fakti se kufijtë nuk shkojnë përgjatë vijave etnike. Në Maqedoni ka një bashkësi të madhe shqiptare, prandaj kjo mund të reflektohet seriozisht edhe në stabilitetin e vendit.

RADIO EVROPA E LIRË
Si njohës i rrethanave ndërkombëtare, a mendoni se qëndrimet e Rusisë do të zbuten në katër muajt e ardhshëm?

DENKO MALESKI
Mendoj se qëndrimet e Rusisë mund të zbuten në katër muajt e ardhshëm, por gjithashtu mund të zbuten edhe qëndrimet e Amerikës dhe të Bashkimit Evropian, kështu që ato të takohen diku në mes.
Në fakt, Kosova nuk është problemi kryesor as për Amerikën e as për Rusinë. Ato kanë probleme tjera serioze, kurse Kosova mund të përdoret në raportet e tyre të ndërsjella si një lloj monedhë për kusuritje, që do t'i shërbente njërës apo palës tjetër. Pra, qëndrimet mund të zbuten, por mund të zbuten te të dyja palët. Është çështje tjetër si do të reflektohej kjo pastaj në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Z. Maleski, nëse edhe pas 120 ditësh nuk do të gjendet një zgjidhje kompromisi, a mendoni se procesi do të kthehet në Këshillin e Sigurimit?

DENKO MALESKI
Për momentin, e gjithë çështja po largohet nga Këshilli i Sigurimit. Atje nuk u arrit të gjendet zgjidhja për shkak të qëndrimit të Rusisë. Tash përsëri u aktivizua Grupi i Kontaktit, ku Rusisë i jepet një peshë më e madhe në përpjekje për të gjetur zgjidhjen e kompromisit, e cila sipas meje, është tepër e vështirë të arrihet. Ndoshta ndonjë marrëveshje ndërmjet fuqive të mëdha në Grupin e Kontaktit do të mund ta kthente çështjen në Këshillin e Sigurimit, por dështimi do të nënkuptonte se çështja nuk do të kthehet në Nju Jork. Në këtë rast, ndoshta disa shtete, para së gjithash SHBA-të dhe disa vende të BE-së, në mënyrë të njëanshme do të fillonin me procesin e njohjes së Kosovës. Diçka e ngjashme ka ndodhur në procesin e pavarësimit të ish republikave jugosllave.

RADIO EVROPA E LIRË
Disa ish diplomatë dhe analistë në Beograd kanë paralajmëruar se nëqoftëse Kosova njëanshëm e shpall pavarësinë, atëherë qeveria e Serbisë do të mund të veprojë sipas të ashtuquajturit "plani B"- shkëputjen e pjesës veriore të Kosovës.
Çfarë është mendimi juaj rreth kësaj?

DENKO MALESKI
Mendimi im është si vijon. Maqedonia është shtet shumëetnik, dhe pas Marrëveshjes së Ohrit punon në ndërtimin e një sistemi autentik shumëetnik, të një demokracie shumëetnike. Interesi ynë do të ishte që shqiptarët në Kosovë dhe serbët në Serbi të mund të jetonin në një shtet të përbashkët. Kjo do të ishte në interesin e një shteti shumëetnik siç është Maqedonia. Nuk është në interesin tonë kombëtar si shtet, që të krijohen shtete etnikisht të pastra, apo që rreth nesh të krijohet një shtet i dytë shqiptar, sepse kjo mund të kishte pasoja serioze në përgjithësi në organizimin e pushtetit në Ballkan, dhe rrjedhimisht edhe tek ne. Mirëpo prej Rankoviqit e deri te Millosheviqi, për dekada me radhë sikur është përgatitur ndarja mes shqiptarëve dhe serbëve, kështu që një jetë e përbashkët duket krejtësisht e pamundur. Por prandaj, tash në lojë është një plan i ri, dhe ky është plani i ndarjes. Mendoj se në këtë drejtim ka mendime serioze nëse më parë vlerësohet se kjo do të ishte e pranueshme edhe për serbët. Duket sikur këtë ata e pranojnë, ndonëse nuk është popullore që vetë ta bëjnë propozimin, sepse insistojnë në Kosovën si pjesë e territorit të tyre. Por nëse dikush tjetër do t'ua propozonte këtë, ndoshta ata do ta dakordoheshin. Nga ana tjetër, nuk dihet si do të jetë sjellja e fuqive të mëdha, të cilat tash ndjehen lodhura pas 16 vitesh të angazhimeve në Ballkan. Ndoshta ato në fund mund të vendosin kësisoji që ta kënaqin Serbinë, sepse ekziston droja se nëqoftëse Serbia nuk do jetë e kënaqur me zgjidhjen, atëherë mund të vazhdojë të krijojë pengesa, të shpallë pavarësi në pjesët e saj. Po është e mundur edhe një zgjidhje e këtillë. Kurrë më parë, sidomos muajt e fundit, ideja për ndarjen e Kosovës nuk ka qenë më e afërt se tash. Sidoqoftë, të presim e të shohim se çfarë do të dalë nga bisedimet e Grupit të Kontaktit.

RADIO EVROPA E LIRË
Si do të reflektohej në rajon ndarja e mundshme e Kosovës?

DENKO MALESKI
Në rast të ndarjes, atëherë do të bëhej e qartë se për problemet ballkanike nuk ka zgjidhje evropiane, se për problemet ballkanike duhen zgjidhje ballkanike, ku elementi etnik është shumë më superior se çfarëdo ideje tjetër evropiane. Kjo do të jetë vetëm vazhdimësi e trendit që filloi më herët, praktikisht me ndarjen etnike të Bosnjës, pastaj me spastrimin etnik të serbëve nga Kroacia, pastaj me Kosovën... Për pasojë do të ketë mundësinë e paraqitjes së ideve të reja për krijimin e shteteve më të mëdha etnike në Ballkan. Kjo për Maqedoninë mund të jetë jashtëzakonisht dramatike. Mendoj se në një situatë të këtillë, vetëm dy bashkësi në Ballkan, myslimanët në Bosnje dhe maqedonasit, do të gjendeshin në një situatë mjaft të palakmueshme. Pra, një zhvillim i tillë i ngjarjeve, për Maqedoninë nuk do të ishte aspak i volitshëm.
Intervistoi: Vullnet Poshka
XS
SM
MD
LG