Ndërlidhjet

JUDAH:“KA PAK GJASË PËR NDARJE TANI, POR ËSHTË MUNDËSI PËR MË VONË”


Tim JUDAH, analist dhe publicist

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Judah, treshja ndërkombëtare ka thënë se është e gatshme të pranojë çdo zgjidhje, përfshirë këtu edhe ndarjen, nëse Prishtina dhe Beogradi pajtohen mbi të. Si e shihni ju këtë çështje?

TIM JUDAH
Mendoj se është shumë interesante që zoti Ischinger e ka thënë këtë. Natyrisht, kjo çështja e ndarjes dhe dilemës nëse ajo duhet vënë në tavolinë si opsion, ka qenë temë thashethëmash në shtyp në disa javët e fundit, por megjithatë është interesante që e ka thënë, sepse tregon për një masë të caktuar të paqartësisë në pozicionin që ka Grupi i Kontaktit. Në njërën anë, ai e përmend këtë si opsion nëse të dyja palët pajtohen, por në anën tjetër ai përfaqëson Grupin e Kontaktit dhe një prej tri parimeve më të njohura të këtij Grupi është se nuk do të ketë ndarje. Prandaj, ose kemi hyrë në një periudhë shumë të paqartë ose ka pasur ndryshim politikash.

RADIO EVROPA E LIRË
Autoritetet në Kosovë kanë tërhequr vërrejtjen se nëse kufijtë ripërcaktohen, atëherë pyetja është se ku do të ndalet ky proces, duke iu referuar të ashtuquajturit “efektit domino”. Cili është mendimi juaj?

TIM JUDAH
I ashtuquajturi “efekti domino” ka të bëjë me çështjen nëse kufijtë mund të ripërcaktohen në Kosovë, atëherë natyrisht mund të shpërbëhet edhe Maqedonia, Lugina e Preshevës dhe Bosnja. Në parim, kjo është tërësisht e vërtetë. Por, disa diplomatë në fakt e shohin ndarjen si rrugëdalje nga problemi. Dhe kjo, jo vetëm për faktin se me këtë zgjidhje, Kosova dhe Serbia ndoshta do të mund të pajtoheshin, por gjithashtu për faktin se mund të anashkalohet problemi i “dominos” duke arritur marrëveshje midis dy shteteve. Së këndejmi, do të kishim një marrëveshje të nënshkruar midis Beogradit, i cili do të njihte pavarësinë dhe shtetin e ri të Kosovës në këmbim të ndarjes territoriale, përfshirë këtu mbase edhe Preshevën; kjo pritet të shihet. Por, po të jetë diçka rreth së cilës do të pajtoheshin dy shtetet, atëherë ideja e ndarjes nuk do të duhej të kishte “efektin domino”. Megjithatë, nëse kjo do të jetë e pranueshme në terren, pra nëse do të ketë një bazë reale politike sikur në letër, nuk ka mundësi për të thënë. Jemi ende shumë larg nga kjo pikë.

RADIO EVROPA E LIRË
Por, a besoni se ndarja është një opsion rreth të cilit Prishtina dhe Beogradi do të mund të pajtoheshin?

TIM JUDAH
Unë mendoj se aktualisht, duket se ka pak gjasë, por unë nuk do ta hidhja poshtë si mundësi në një afat më të gjatë kohor. Mendoj se nëpër korridore, kur mikrofonët janë të çkyçur dhe kur librat e shënimeve të gazetarëve janë larg, njerëzit nga të dyja anët thonë se kjo mund të jetë një rrugëdalje nga problemi. Në këtë mënyrë, të dyja palët do të fitojnë diçka nga ajo që synojnë. Prandaj, nuk do ta hidhja poshtë si mundësi në afat më të gjatë kohor, jo.

RADIO EVROPA E LIRË
Prishtina zyrtare thotë se nuk do të negociojë pavarësinë e Kosovës, tërësinë e saj territoriale dhe pakon e Martti Ahtisaarit. Beogradi zyrtar ndërkaq pohon se pakoja e Ahtisaarit është “e vdekur” dhe se pavarësia është e papranueshme. Në cilin drejtim mendoni se do të shkojnë bisedimet e reja?

TIM JUDAH
Mendoj se të gjithë janë në një periudhë pritjeje dhe vështrimi në fakt. Mendoj gjithashtu se këto debatet mbi ndarjen do të mund të shuheshin në javët dhe muajt e ardhshëm, por gjithashtu mund të jem gabim. Çdokush ka interesin e vet në këto bisedime, edhe pse apo mund të mos sjellin rezultate. Pala evropiane dhe ajo amerikane janë të interesuara në këto bisedime, sepse duke parashikuar që prej tyre nuk do të mund të dalë ndonjë rezultat, ato do ta shfrytëzojnë këtë periudhë për të arritur atë që quhet një “numër thelbësor” të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, të gatshme për ta njohur shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës në fund të procesit. Kjo nuk dihet nëse do të mund të ndodhë, sepse ka mundësi që të mos arrihet “numri thelbësor”. Në anën tjetër, është Serbia e cila është e interesuar që ky process të zgjatë përgjithmonë dhe natyrisht edhe Rusia, synon të njejtin qëllim. Jo vetëm pse e sheh këtë çështje si një mjet të përdorshëm në tabllonë globale të shahut mbi çështje të ndryshme me Perëndimin, por edhe për faktin se ekzistojnë “konfliktet e ngrira” në Kavkaz, me të cilat Rusia është mjaft e lumtur, duke i lënë si të tilla. Edhe Kosova, për Rusinë, do të ishte më mirë të jetë një “konflikt i ngrirë”, sepse në këtë mënyrë nuk do të ishte precedent që do të mund të shfrytëzohej në ndonjë mënyrë nga çeçenët apo të tjerët. Prandaj mendoj se rusët kanë interes që procesi të zvarritet përgjithmonë.

RADIO EVROPA E LIRË
Si mendoni se do të zhvillohet i gjithë ky proces në muajt e ardhshëm?

TIM JUDAH
Mendoj se kjo varet nga diplomatët e Bashkimit Evropian dhe faktin nëse ata mendojnë se kanë mjaft vende anëtare që të njohin shpalljen e njëanshme të pavarësisë. Mendoj se Shtetet e Bashkuara do ta bënin një gjë të këtillë, përderisa prapa vetes kanë edhe një numër të mjaftueshëm vendesh perëndimore për ta bërë të njejtën gjë. Nëse mendojnë të kundërtën, atëherë bisedimet do të vazhdojnë dhe diçka tjetër do të mund të ndodhte ndërkohë, megjithëse nuk jemi të sigurtë. Por, nëse brenda kësaj periudhe arrihet i ashquajturi “numri thelbësor”, atëherë do të njihet shpallja e njëanshme e pavarësisë. Por, megjithatë kjo çështje mbetet e paqartë dhe në këtë drejtim do të punohet në javët dhe muajt e ardhshëm.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe kur mendoni se do të mund të përmbyllet kjo çështje?

TIM JUDAH
Kur mendoj se çështja e Kosoves do të përmbyllet? Nuk e di nëse mundet, por për këtë kapitull të caktuar mendoj se do përmbyllet rreth 10 dhjetorit. Mendoj se rreth kësaj kohe do të jetë e qartë nëse të dyja palët kanë vendosur të flasin seriozisht për ndarjen dhe ndoshta mund të jenë të mbyllur në ndonjë kështjëllë të stilit Rambouillet për të arritur ndonjë marrëveshje të nënshkruar. Dhe nëse kjo nuk ndodhë dhe nëse nuk ka marrëveshje, atëherë do të shqyrtohet mundësia nëse ka numër të mjaftueshëm vendesh që do ta njihnin shpalljen e njëanshme të pavarësisë dhe kjo mund të pritet të ndodhë nga fundi i nëntorit apo fillimi i dhjetorit. Ka mundësi që deri atëherë të jetë e qartë se nuk do të arrihet asnjë marrëveshje dhe se nuk mund të ndodhë shumëçka. Në këtë rast, diplomatët duhet të mendojnë për të filluar sërish nga e para.

Intervistoi ARBANA VIDISHIQI


XS
SM
MD
LG