Ndërlidhjet

PRISHTINA HEDH POSHTË NDARJEN E KOSOVËS SI OPSION


Arton Konushevci

Ndarja e Kosovës nuk është opsion për zgjidhjen e çështjes së statusit të Kosovës, pavarësisht nga ajo që ka deklaruar i dërguari i Bashkimit Evropian në bisedimet për Kosovën, Wolfgang Ischinger. Avni Arifi, këshilltar i kryeministrit të Kosovës, thotë se pozicioni i treshes ndërkombëtare është se të dyja palëve u është dhënë mundësia që të japin mendimet e tyre për arritjen e një zgjidhjeje. Ndërkaq, ndarja, thotë zoti Arifi, është një temë tabu, e cila do të mbetet e tillë edhe në të ardhmen. “Ndarja e Kosovës është tabu edhe më tutje dhe do të mbetet tabu. Unë nuk mund të flas për atë, nuk e di rrjedhojën se si ka ardhur deri te kjo, që dikush ta konsiderojë ndarjen e Kosovës si një nga opsionet. Ndarja e Kosovës nuk është opsion për zgjidhjen e çështjes së Kosovës”, është shprehur zoti Arifi. Po ashtu edhe Enver Hoxhaj, nga Partia Demokratike e Kosovës, shprehet se ndarje të Kosovës dhe lëvizje kufijsh nuk do të ketë. Sipas tij, deklarata e zotit Ischniger është një gabim i rastit. “Çdo përpjekje dhe tendencë për ndarje, në fund të fundit, është pjesë e agjendës së krijimit të Serbisë së madhe në Ballkan. Çdokush që hedh në tavolinë agjendat e ndarjes, përgjigja që vjen nga Prishtina është shumë e thjeshtë, pavarësia e Kosovës nuk është problem territorial, nuk është as zgjidhje optimale karshi çështjes shqiptare në Ballkan”, ka thënë zoti Hoxhaj. Nebojsha Joviq, kryetar i Këshillit Kombëtar Serb për Mitrovicën, thotë se të dyja palët nuk e duan ndarjen, por nëse shteren të gjitha mundësitë tjera, komuniteti ndërkombëtar, sipas tij, do të zbatojë një qasje më pragmatike në zgjidhjen e këtij problemi. “Ky opsion mund të jetë i realizueshëm nëse pranohet argumenti i Beogradit dhe nëse nuk pranohet synimi i Prishtinës për të krijuar edhe një shtet shqiptar. Në këtë rast, mund të jetë një zgjidhje reale. Nuk do të habitesha nëse ky opsion futet në lojë, por aktualisht, ai është i papranueshëm si për palën shqiptare dhe atë serbe, ashtu edhe për bashkësinë ndërkombëtare”, ka theksuar zoti Joviq. Treshja ndërkombëtare në përbërje të ambasadorit amerikan, Frank Wisner, atij evropian, Wolfgang Ischinger dhe ambasadorit rus, Aleksander Harchenko, gjatë fundjavës, është takuar me përfaqësuesit më të lartë të institucioneve qendrore në Kosovë. Kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, në fjalimin e tij të përjavshëm, ka thënë se emisarët ndërkombëtarë, gjatë këtyre takimeve, janë njohur nga afër me parimet e shenjta të Prishtinës zyrtare, siç është sovraniteti i Kosovës dhe pacenueshmëria e kufijve të saj.

XS
SM
MD
LG