Ndërlidhjet

ÇLIRIMI I KOSOVËS


CHICAGO TRIBUNE

Tetë vjet pas bombardimeve që bënë forcat e prira nga Shtetet e Bashkuara për të penguar spastrimin etnik në Kosovë, Kosova e trazuar ende nuk është pavarësuar. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre evropianë duan që Kosova të fitojë pavarësinë. Por pengesa kryesore diplomatike është Nëna Rusi, e cila ka lidhje të lashta me popullin serb.
Por kjo nuk është e gjithë historia. Qëndrimi opstrukcionist i Rusisë pak ka të bëjë me solidaritetin e thellë me popullin vëlla sllav, por më shumë me përleshjen e Moskës kundër Uashingtonit për sferat e influencës në Evropë. Gjithashtu ekziston edhe frika e Rusisë se çlirimi i Kosovës do t'i inkurajonte separatistët e padurueshëm në mbretërinë e vet shumëetnike.
Si rrjedhojë, javët e fundit Rusia i ka shtyrë Shtetet e Bashkuara dhe evropianët t'i tërheqin disa rezoluta, të cilat ia kishin ofruar Këshillit të Sigurimit. Të gjitha këto propozime ia shtronin rrugën Kosovës drejt pavarësisë, dhe ofronin mbrojtje të pakicës serbe në të ardhmen.
Për të shmangur ngecjen, Perëndimi u dakordua që treshja e Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropoian dhe Rusisë, të zhvillojë një diplomaci fluturuese, e cila të premten filloi në Beograd dhe vazhdoi në Prishtinë. Nëse për çudi këto bisedime japin fryt, atëherë BE-ja do ta marrë përsipër administrimin e Kosovës. Bashkimi Evropian mund ta zhvillojë ekonomikisht rajonin, i cili kryesisht është varur nga zemërgjërësia e shqiptarëve që jetojnë në Evropë. Serbia ndërkohë do të kompenzohej me gjasat për integrim në Bashkimin Evropian, dhe do të gëzonte rritje ekonomike.
Por të bindësh serbët se çlirimi i Kosovës është në interesin e tyre afatgjatë, është një detyrë e vështirë. Ata e kanë mbështetjen e Rusisë për insistimin në integritetin territorial, dhe kjo ndjenjë e fuqisë te liderët e Beogradit mund t'u shërbejë atyre për t'i shpaguar Perëndimit trajtimin përçmues gjatë luftërave ballkanike.
Nga ana tjetër, administrata e Bushit është e gatshme të njohë pavarëasinë e Kosovës, pa marrë parasysh rezultatin e bisedimeve. Ky hap i drejtë dhe mirë i kalkuluar, e ka shtuar presionin jo vetëm serbëve, por edhe qeverive evropiane, të cilat kanë ngurruar të ndërmarrin hapin e njëjtë.
Detyra e Uashingtonit është që të bindë qeveritë evropiane se kosovarët më në fund vetë duhet ta marrin përgjegjësinë për fatin e tyre. Kjo nënkupton se evropianët duhet t'i lënë mënjanë frikat e tyre respektive dhe të veprojnë si grup. Duke qënë e bashkuar dhe duke folur me një zë, Evropa do t'i dërgonte sinjal Rusisë se taktikat e saj muskulare nuk mund ta rritin ndikimin e vet në çështjet evropiane.
Në kuptimin praktik, një Evropë e bashkuar është edhe kyçe për sigurimin e angazhimit të fuqishëm të Bashkimit Evropian në Kosovë, madje edhe nëse dështon diplomacia fluturuese. Sipas Kombeve të Bashkuara, në Kosovë ka rreth 400 mijë armë ilegale, andaj përkushtimi i Bashkimit Evropian për të ecur përpara është i një rëndësie kritike, për të parandaluar erupcione të reja të dhunës në pikën më shpërthyese të Evropës.


XS
SM
MD
LG