Ndërlidhjet

RINGLER:”ÇFARËDO MARRËVESHJE PËR STATUSIN DUHET TË KETË BAZË SOLIDE PËR NJOHJE”


Verena RINGLER, ekipi për planifikim i Zyrës Civile Ndërkombëtare

RADIO EVROPA E LIRË
Treshja ka përfunduar vizitat në Beograd dhe në Prishtinë, në raundin e ri të bisedimeve. Çfarë roli ka në këtë periudhë ekipi planifikues i Zyrës Ndërkombëtare Civile?

VERENA RINGLER
Aktualisht, ne po punojmë në baza të njëjta sikurse edhe kur kemi filluar, në vjeshtën e vitit 2006. Që nga atëherë, me qëndrim unanim të anëtarëve të BE-së, neve na është zgjeruar mandati. Dhe, në këtë kohë, ne ende jemi të mandatuar që në njërën anë të punojmë si ekip planifikues për misionin e mundshëm të ardhshëm të Zyrës Ndërkombëtare Civile, por, në anën tjetër, edhe duket që kjo është më e rëndësishme për momentin. Ne, po ashtu, përfaqësojmë Zyrën e përfaqësuesit të lartë të BE-së, Havier Solanës, në Prishtinë. Dhe, në këtë rol dytësor, ne për së afërmi po koordinojmë dhe po ndjekim punën e ambasadorit të BE-së në bisedime, Wolfgang Ischinger.

RADIO EVROPA E LIRË
A keni marrë ndonjë sugjerim apo mandat tjetër, qoftë nga OKB-ja apo nga BE-ja, për aktivitetet tuaja në këtë kohë?

VERENA RINGLER
Nga takimi i mesit të korrikut të vendeve anëtare të BE-së, ne kemi marrë një plan veprimi, i cili na mandaton dhe na thotë që ta përgatisim qeverinë për tranzicionin, për legjislacionin që kërkohet nga dispozitat e propozimit të Ahtisaarit dhe të përgatitemi për misionin e ardhshëm mbikëqyrës, i çfarëdo natyre qoftë ai, dhe i cili do të zbatojë propozimin e Ahtisaarit.

RADIO EVROPA E LIRË
A do të jeni të përfshirë në Kosovë edhe nëse plani i Ahtisaarit hiqet nga procesi?

VERENA RINGLER
Mendoj se për të dyja gjërat është shumë herët dhe shumë pesimiste të flitet dhe të spekulohet që tani.

RADIO EVROPA E LIRË
Ka disa deklarata të diplomatëve, sikurse ajo e të dërguarit rus për statusin, që thotë se plani i Ahtisaarit është i vdekur. Megjithatë, Bashkimi Evropian e ka bërë të qartë se do të qëndrojë në Kosovë. Pra, në secilin rast a do të qëndroni në Kosovë?

VERENA RINGLER
Natyrisht. Dhe, ky mbetet një qëndrim shumë i fuqishëm i anëtarëve të BE-së, siç është thënë disa herë dhe rikonfirmuar në samitin e Selanikut, se perspektiva e Ballkanit Perëndimor është në Evropë, pra përfshirë këtu edhe Kosovën. Mendoj se ky është një qëllim afatgjatë, në të cilin po punojmë të gjithë. Në anën tjetër, po ashtu është e qartë, se në këtë periudhë të angazhimit mes Prishtinës dhe Beogradit, ne do të dëgjojmë opinione dhe qëndrime të ndryshme, por kjo është arsyeja pse presim se çfarë do të raportojë treshja e Grupit të Kontaktit para Sekretarit të Përgjithshëm, Ban Ki Moon, më 10 dhjetor.

RADIO EVROPA E LIRË
Në anën tjetër, deri ku kanë shkuar përgatitjet për të implementuar misionin e ardhshëm civil në Kosovë?

VERENA RINGLER
Aktualisht ka një punë dhe përkushtim të madh të autoriteteve kosovare dhe liderëve të komuniteteve në përgatitjen e legjislacionit, që është në përputhje me dispozitat e planit të Ahtisaarit. E kemi filluar bashkë këtë punë në disa grupe punuese dhe grupi kryesor punues, në fakt, është komisioni kushtetues. Po ashtu kemi konkursin për flamur, mandej konkursin e ardhshëm për himn dhe në të gjitha këto çështje është i përfshirë ekipi ynë. Siç e kemi thënë më parë, në rast të miratimit të rezolutës në Këshillin e Sigurimit brenda 24 orësh, kjo do të nënkuptonte se ne do të duhej të funksiononim si zyrë ndërkombëtare civile. Ne, pak a shumë, kemi përgatitur bazën për këto veprime dhe me institucionet e ndryshme dhe ministritë po punojmë për t’u siguruar se çdo gjë po shkon në drejtimin e duhur.

RADIO EVROPA E LIRË
Meqë punoni me autoritetet kosovare, sa janë ato të gatshme që të përmbushin këto përkushtime, derisa të zgjidhet statusi?

VERENA RINGLER
Siç ka thënë edhe Torbjorn Sohlstrom, javë më parë, ato janë shumë më të gatshme dhe të përgatitura, se ç’kanë qenë muaj më parë. Dhe, çdo ditë janë më të përgatitura që ta implementojnë marrëveshjen e statusit.

RADIO EVROPA E LIRË
Çka keni bërë deri tash në fushën e sundimit të ligjit dhe policisë?

VERENA RINGLER
Edhe në ketë fushë kemi punuar shumë me përgatitjet, pasi që siç e dini, janë disa sfida specifike që lidhen me sundimin e ligjit në Kosovë dhe mendoj se do të jemi të gatshëm për të vepruar në momentin kur të kërkohet. Çdoherë është parashikuar se misioni i policisë do të jetë forcë operacionale në fund të periudhës së tranzicionit. Tash, se si në të vërtetë do të duket kjo periudhë tranzitore, do ta dimë kur t’i afrohemi fundit të periudhës së angazhimit.

RADIO EVROPA E LIRË
A jeni të gatshëm që të zbatoni misionin në Kosovë edhe pa rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së?

VERENA RINGLER
Është prioritet parësor për ne që të bëjmë të qartë, se çfarëdo marrëveshje për statusin duhet të ketë bazë solide për njohje, me qëllim që ta bëjë Kosovën të gatshme për të shkuar kah BE-ja.

INTERVISTOI: ALBANA ISUFI
XS
SM
MD
LG