Ndërlidhjet

logo-print

ÇEKU: ÇËSHTJA E STATUSIT TË KOSOVËS ËSHTË E KRYER


Arton Konushevci

Çështja e statusit të Kosovës është një çështje e kryer dhe në bisedimet e ardhshme Prishtina zyrtare shkon me synimet për të diskutuar çështjet në periudhën e pas statusit. Kështu ka thënë, sot, kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, duke folur për zhvillimet e fundit rreth përcaktimit të statusit politik. “Ne, në këto bisedime, do të përpiqemi që të bisedojmë për çështje të pas statusit. Për ne statusi është i kryer. Ne do t’u themi, i kemi thënë edhe disa herë palës serbe, se statusi është çështje e kryer, jo tani, por në vitin 1999. Ne, me palën serbe, kemi dashur të bisedojmë për statusin e Kosovës në Rambuje. Ata e zgjodhën luftën dhe ishte luftë e tmerrshme, luftuam për Kosovën dhe e fituam luftën. Ne e fituam luftën bashkërisht me bashkësinë ndërkombëtare dhe aq më tepër Serbia e nënshkroi kapitullimin, me nënshkrim të vetin është tërhequr nga Kosova”, është shprehur kryeministri Çeku. Në këtë kuadër, ai ka hedhur poshtë çdo mundësi për të biseduar rreth statusit të Kosovës, duke thënë se pavarësia është e vetmja zgjidhje dhe se për idetë tjera, askush në Kosovë nuk ka mandat për t'u pajtuar me to. Zoti Çeku ka thënë se Kosova do të jetë e pavarur menjëherë pas 120 ditëve dhe se këto bisedime do të jenë të fundit deri te pavarësia e Kosovës. “Ne mendojmë menjëherë pas 120 ditëve. Ne e kemi një besim, në radhë të parë te SHBA-të, që menjëherë pas 120 ditëve të merret vendimi për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Ne besojmë se këto 120 ditë duhet t’i shfrytëzojmë edhe për rritjen e konsensusit rreth pavarësisë së Kosovës, në veçanti brenda Unionit Evropian. Këtë konsensus mund ta forcojmë vetëm me mesazhe pozitive, me ide pozitive, me ide që shikojnë kah e ardhmja dhe me punë konkrete në terren, duke punuar në implementimin e pakos së Ahtisaarit”, ka thënë Çeku. Duke komentuar vizitën e fundit të treshes së Grupit të Kontaktit, zoti Çeku tha se misioni i emisarëve ndërkombëtarë është ndërtimi i urave në mes të dy vendeve fqinje, në ato çështje ku përparimi është i mundshëm. “Gjatë qëndrimit të treshes ndërkombëtare, kemi kërkuar që treshja apo bashkësia ndërkombëtare të mos ketë propozime të veta, të mos na sjellin në pozitë që ne të pajtohemi apo të mos pajtohemi me bashkësinë ndërkombëtare. Bashkësia ndërkombëtare ka iniciuar dhe përfunduar një proces ndërkombëtar; ky ka qenë procesi i udhëhequr nga Ahtisaari. Ata neve na kanë premtuar se nuk do të kenë propozime të veta. Nëse kërkohet nga ne që të propozohet një gjë e tillë, ne do ta rishqyrtojmë pozicionin tonë me siguri”, ka theksuar Çeku. Megjithatë, disa nga analistët mendojnë ndryshe. Lulëzim Peci është i mendimit se në bisedimet e ardhshme, temë qendrore padyshim do të jetë statusi. Zoti Peci thotë se gjatë këtyre bisedimeve do të ketë edhe komplikime. “Unë mendoj se këto negociata janë për çështje të statusit, e jo për çështje teknike. Pjesë teknike mund të jenë pjesë të pakos së statusit, mirëpo këto e kanë emrin dhe mbiemrin e vet. Do me thënë, i tërë ky proces është për statusin e Kosovës. Prandaj, do të bisedohet edhe për të. Ky është një fillim i një procesi deri diku të ri, sa i përket statusit të Kosovës. Kështu që unë nuk pres që storia të përfundojë menjëherë pas 120 ditëve; madje, mund të kemi edhe komplikime gjatë kësaj kohe. Komplikimi që parashikoj është se pala serbe do të jetë shumë më agresive me propozime në këtë kohë, ndërsa pala kosovare do të konservohet në pakon e Ahtisaarit. Dhe kjo prej Rusisë mund të interpretohet si jokooperativitet prej çështjes së Kosovës dhe do të hapë rrugë edhe më tepër që ky proces të vazhdojë edhe më tutje; do me thënë që Rusia të bëjë përpjekje edhe më të mëdha për të shtyrë procesin”, është shprehur Peci. Ai madje pohon se pala kosovare do ta ndryshojë edhe strategjinë e veprimit në muajt e ardhshëm. “Këtë do ta shohim menjëherë pas takimit që do të bëhet në mes të shtatorit, në Vjenë, në mes të të dyja palëve. Do të vërehet se kjo që po thuhet sot, nuk do të vlejë në atë kohë”, ka thënë Peci. Por, kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, thotë se kjo nuk do të ndodhë, sepse ata që do të shkojnë në bisedime kanë mandat nga Kuvendi i Kosovës dhe nuk mund të ketë lëvizje në këtë drejtim.

XS
SM
MD
LG