Ndërlidhjet

NEGOCIATORËT KOSOVARË NË PRITJE TË FTESËS PËR TAKIMIN E VJENËS


Arton Konushevci

Ekipi i Unitetit, në takimin që ka pasur sot, ka diskutuar për takimin e radhës, që është paralajmëruar të mbahet në Vjenë. Zëdhënësi i Ekipit të Unitetit, Skënder Hyseni, ka thënë se Ekipi i Unitetit do të ngarkojë grupin politik strategjik për të hartuar një platformë zyrtare, me të cilën do të shkohet në Vjenë. “Sot, Ekipi i Unitetit ka autorizuar grupin politik strategjik, që qysh nga dita e nesërme të ulet dhe të punojë, të them kushtimisht, në një platformë, e cila do të mbështetet në tetë pikat që ju i keni parë dhe për të cilat jeni njoftuar, e që treshes ua ka prezantuar kryetari i Kosovës në emër të Ekipit të Unitetit”, ka thënë Hyseni. Temat që do të diskutohen në takimin e ardhshëm, në Vjenë, ende nuk dihen, por pala shqiptare është në pritje të ftesës zyrtare nga treshja negociuese, ka shtuar më tej zoti Hyseni. Po ashtu, anëtarët e Ekipit të Unitetit, sot, kanë diskutuar edhe për mbajtjen e zgjedhjeve. Zoti Hyseni, pas takimit, ka thënë se qëndrimi i Ekipit të Unitetit është që zgjedhjet të mbahen në javën e tretë të muajit nëntor, të këtij viti, por, siç thotë ai, vetëm nëse ato nuk ndikojnë në procesin e zgjidhjes së statusit të Kosovës. “Ekipi i Unitetit ka orientim të qartë, do me thënë, javën e tretë të nëntorit për organizimin e mbajtjes së zgjedhjeve të ardhshme, në të dy nivelet. Mirëpo, Ekipi i Unitetit ruan qëndrimin që në rast se vihet në përfundim se procesi zgjedhor po interferon në procesin e statusit, atëherë në çdo kohë Ekipi i Unitetit do të ulet dhe do ta rishqyrtojë qëndrimin. Po kështu, Ekipi i Unitetit sot ka marrë qëndrim që t’i rekomandojë përfaqësuesit special, që t’i bëjë ndryshimet e nevojshme formalo-juridike, ligjore, në mënyrë që të mundësojë që mandati aktual i Kuvendit të Kosovës të vazhdojë deri dy ditë para zgjedhjeve, në mënyrë që të mos ketë vakuum institucional, në kuptim të institucionit që merr vendime”, ka thënë Hyseni. Deri më tash, nga njëra anë, është thënë se ekziston rreziku i tensionimit të raporteve midis anëtarëve të Ekipit të Unitetit, nëse ata hyjnë në fushatë parazgjedhore para përcaktimit të statusit. Ndërkaq, në anën tjetër, është thënë se zgjedhjet do të mund të dinamizonin klasën politike në Kosovë, e veçanërisht ato struktura qeverisëse, mandati i të cilave ka skaduar para një viti. Këto dilema kanë bërë që kohët e fundit të përflitet edhe mundësia që këtë vit të mbahen zgjedhjet lokale, kurse ato të përgjithshmet të shtyhen pas përcaktimit të statusit. Fjalën e fundit mbi këtë çështje do ta ketë shefi i misionit civil në Kosovë, Joachim Ruecker.
XS
SM
MD
LG