Ndërlidhjet

BUJA:“NUK KA MUNDËSI PAZARESH ME TERRITORIN E KOSOVËS”


Ramë BUJA, deputet i PDK-së në Kuvendin e Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Buja, procesi i përcaktimit të statusit përfundimtar po hyn në një periudhë të re negociatash midis Prishtinës dhe Beogradit dhe komunitetit ndërkombëtar. Çfarë prisni ju nga këto bisedime?

RAMË BUJA
Nga këto bisedime që dikujt i janë dashur mbase për të skalitur edhe një mendim apo qëndrim për Kosovën, ne kemi atë qëndrimin që shumë pak apo fare nuk do të arrihet, sepse, në fakt, ky nuk është proces negociator i mirëfilltë që mund të bëhet në mes të një pale dhe një pale tjetër, por është kërkim kohe për të bërë diçka mbase më shumë se ç’është bërë. Në fakt, ajo që kërkohet prej kosovarëve dhe delegacionit të Kosovës, që do të duhej ta bënte edhe një kompromis plus, unë nuk e di se ku ka më shteg dhe mundësi për ta bërë një kompromis të tillë, sepse kompromisi i mundshëm është bërë me pakon e Ahtisaarit dhe tash nuk e di se çfarë ka mbetur. Nëse dikujt i duhet koha, është diçka tjetër, por se mund të bëhet diçka më shumë se që është bërë, unë jam shumë skeptik për këtë gjë. Kosovarët i kanë caktuar objektivat se për çka mund të bisedojnë dhe për çka nuk mund të bisedojnë. Është e vërtetë që nuk mund të bisedohet dhe s’ka se si të bisedohet për statusin e Kosovës, sepse, tek e fundit, negociatorët nuk e kanë as mandatin që të bisedojnë për diçka që është nën pavarësinë e Kosovës. Nuk ka mundësi të bisedohet dhe të bëhet ndonjë pazar eventual me territorin e Kosovës. Natyrisht është thënë, dhe këtu jam më skeptik, që të mos hapet pakoja e Ahtisaarit. Nëse dikush nga bashkësia ndërkombëtare ose faktorët më relevantë e quajnë dialog i vërtetë, atëherë nuk e di si mund të bëhet dialog i ri me pako të vjetër.

RADIO EVROPA E LIRË
Gjatë qëndrimit në Prishtinë, emisarët e Grupit të Kontaktit kanë përvijuar idenë e ndarjes së Kosovës, nëse Prishtina dhe Beogradi pajtohen mbi këtë. Sa ka gjasë për një opsion të këtillë?

RAMË BUJA
Nëse kjo ‘kuti e Pandorës’ hapet, do të dalin probleme të shumta në Ballkan dhe më gjerë. Ne nuk kemi qenë për këtë gjë, edhe pse ne kemi më shumë arsye sesa të tjerët për të bërë një gjë të tillë, sepse ka mundësi edhe të këmbehet, edhe të ndërrohet. Por, megjithatë, kjo gjë nuk do të ishte mirë të ndodhë për faktin që do të inicionte, do të provokonte, në njëfarë mënyre, edhe ndërrimin e kufijve të tjerë, përveç këtyre kufijve. Për mundësinë e ndërrimit të territoreve do të kishte pasur mundësi të bisedohet atëherë kur dy shtetet e pavarura, Kosova dhe Serbia, do t’i kishin qetësuar gjakrat, do të kishte kaluar një kohë dhe pastaj mund të ishin ulur që të bisedojnë për gjëra, për të cilat mund të bisedojnë fqinjët ndërmjet vete, edhe për mbase ndërrim territoresh, për faktin që e dimë se kur i janë dhënë apo dhuruar Kosovës me tendenca të caktuara Zubin Potoku dhe Leposaviqi dhe kur i është marrë Presheva me territore të tjera. Andaj, kjo gjë ka mundur të ndodhë, por në një kohë tjetër, në një periudhë tjetër, kur çdo gjë do të ishte konsideruar e qetë dhe fqinjësi relativisht e mirë dhe atëherë gjakrat do të ishin pak më ndryshe për të biseduar për këtë çështje. Por, tani të shtrohet kjo çështje, kur subjektet nuk janë në raporte të barabarta, do të ishte diçka që nuk do të sillte rezultat, përkundrazi do të nxirrte telashe të mëdha edhe me të tjerët.

RADIO EVROPA E LIRË
Prishtina ka pohuar se në bisedimet e reja pavarësia e Kosovës, tërësia territoriale dhe pakoja e Ahtisaarit do të jenë tema, për të cilat nuk do të bisedohet. Sa mendoni se do të mund t’i përmbahen këtij qëndrimi negociatorët kosovarë?

RAMË BUJA
Se sa do të mund t’i qëndrojnë dhe si do të mund t’i qëndrojnë, për këto mund të flasin ata vetë, por këto janë gjëra për të cilat nuk do të duhej të bisedohej. Pakoja e Ahtisaarit është një kompromis tepër i madh i kosovarëve, sepse për komunitetet, në veçanti për komunitetin serb, është bërë diçka që është krejt precedent, krejt e veçantë, që asnjë etni me përqindje të tillë në botë nuk ka të drejta të tilla dhe kjo është një veçanti e skajshme. Dhe çka mund të bëhet më tutje? Do me thënë, këto parime që janë përcaktuar, janë diçka që nuk mund të shkohet më tutje, por gjithmonë mbetet me pikëpyetje të shumta. Do ta kenë vështirë në lojërat diplomatike t’u qëndrojnë këtyre parimeve, por unë besoj shumë se ata do të qëndrojnë, sepse kanë mal argumentesh për të qëndruar në këto pozicione çfarë janë. E vetmja gjë, për të cilën unë dyshoj, është pakoja e Ahtisaarit, sepse nëse ky quhet proces i ri diplomatik dhe negociator, atëherë si mund të bëhet me një pako të vjetër. Këtu është skepticizmi im, përndryshe për pjesën tjetër mund të qëndrojnë shumë fuqishëm.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur mendoni se procesi i përcaktimit të statusit do të mund të përmbyllet?

RAMË BUJA
Kam qenë shumë kritikues ndaj atyre që kanë përcaktuar data, javë dhe orë. Unë nuk jam ai që mund të përcaktoj një gjë të tillë. Por, në fakt, edhe nëse pas 120 ditëve, që konsiderohen se janë të fundme, nuk do të ndodhë diçka që do të ishte e logjikshme dhe e pjekur diplomatikisht dhe politikisht, atëherë Kosova do të jetë një zonë tepër e trazuar, sepse janë shtresuar problemet, edhe ato të aspektit social, edhe politik, edhe të asaj që ne e synojmë kaherë.

RADIO EVROPA E LIRË
Në të vërtetë, si e shikoni ju treshen SHBA-BE-Rusi dhe sa mund të jenë ata unikë në marrjen e vendimeve për Kosovën?

RAMË BUJA
Në marrjen e vendimeve për Kosovën dhe për çështje të tjera, SHBA-të dhe BE-ja mbase mund të dakordohen dhe të merren vesh. Rusia tanimë është jashtë çështjeve për t’u marrë vesh, jashtë asaj problematike që do të duhej të merreshin vesh, sepse Rusia nuk është më e viteve ’90. Ajo tanimë ka konsoliduar edhe sfondin ekonomik, edhe politik, edhe diplomatik dhe ajo do të tregojë se është faktor në botë. Pikërisht kjo sedër e saj, tanimë e rindërtuar, e bën atë që të ndjehet pakëz më mirë në këtë sfond dhe natyrisht ajo do që ta paguajë çmimin sa më të lartë për gjërat që i përkasin asaj, rreth saj, në territorin që ishte dikur Bashkimi Sovjetik. Unë besoj që kjo gjë do të marrë fund një ditë, sepse kërkesat e saja janë iracionale, krahasimet që mund t’i bëjë Kosovës me territore të caktuara përreth Rusisë së sotme, janë përsëri të pakuptimta dhe gjërat e tjera të fushës diplomatike, që ajo nuk do të duhej kaq shumë të rrezikonte në raport me miqësinë me SHBA-të dhe BE-në, sepse do të jetë e rrezikuar në sfonde që e bëjnë bazën politike të rrafshit ekonomik. Kjo është shumë e madhe për të. Unë nuk besoj se Rusia është aq diletante në politikë dhe diplomaci. Ajo i peshon shumë mirë këto gjëra dhe unë besoj se, megjithatë, ajo do të rrisë çmimin e saj, por në fund do të jetë ai fundi që edhe ata e paralajmërojnë ‘nën rreshta’, se do të duhej të bëhej Kosova e pavarur.

INTERVISTOI: ARTON KONUSHEVCI
XS
SM
MD
LG