Ndërlidhjet

logo-print

SERBËT E KOSOVËS KËRKOJNË KTHIMIN E POLICISË DHE USHTRISË SERBE


Arbana Vidishiqi

Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, posaçërisht ata që përfaqësojnë vijën më ekstreme të politikës serbe, kanë kërkuar nga Qeveria serbe në Beograd që nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara të kërkojë kthimin e 1000 policëve dhe ushtarëve serbë. Kryetari i Këshillit Kombëtar Serb, Milan Ivanoviq, ka thënë se vetëm në këtë mënyrë do të mundësohej mbrojtja e serbëve, duke marrë parasysh, siç ka thënë ai, paralajmërimet serioze se në Kosovë mund të ketë trazira nëse statusi nuk zgjidhet sa më parë. “Siç ka thënë edhe vetë komandanti i KFOR-it se mund të vijë deri tek shpërthimi i dhunës dhe meqë serbët në Kosovë nuk janë të sigurt, meqë është e qartë se as KFOR-i dhe as UNMIK-u nuk mund të sigurojnë dhe ruajnë një ambient të sigurt, atëherë praktikisht, garancia e vetme për serbët është Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit dhe policia e ushtria serbe”, ka thënë Ivanoviq, duke shtuar se kërkesa e fundit e komunitetit serb mbështetet në synimet për përmbushjen e plotë të Rezolutës 1244. Forcat policore dhe ushtarake serbe do të shpërndaheshin në ato lokacione ku jetojnë serbët, për të mos i irrituar shqiptarët, ka thënë Ivanoviq. Goran Bogdanoviq, nga Lista Serbe për Kosovën, mendon se kërkesat për kthimin e forcave serbe të sigurimit janë legjitime, por njëkohësisht ai ka kritikuar iniciativën e Këshillit Kombëtar Serb, që këto forca të kthehen vetëm në pjesën veriore dhe atë lindore të Kosovës. “Qëndrimi është që ushtria dhe policia serbe të kthehen në territorin e Kosovës dhe në këtë mënyrë të përmbushet edhe ajo pjesë e Rezolutës 1244, që flet mbi këtë çështje, por kthimi i tyre duhet të realizohet në çdo pjesë të territorit ku jetojnë serbët”, ka thënë Bogdanoviq. Ai madje ka vlerësuar se me kthimin e pjesërishëm të këtyre forcave, një pjesë e komunitetit serb do të ishte e privilegjuar me sigurinë që do t'u ofrohej nga kreu shtetëror serb, kurse pjesa tjetër do të mbetej, siç ka thënë ai, në mëshirën e shqiptarëve dhe komunitetit ndërkombëtar. “Një qasje e këtillë flet qartë edhe për seriozitetin dhe synimet që kanë disa politikanë dhe liderë, në raport me statusin e ardhshëm të Kosovës”, ka thënë Bogdanoviq. Sidoqoftë, kjo kërkesë e serbëve të Kosovës për kthimin e ushtrisë dhe policisë serbe nuk është e para e këtij lloji, por ajo pason njoftimet e fundit që kanë ardhur nga disa zyrtarë në Beograd, të cilët zëshëm janë duke e kundërshtuar atë që ata e quajnë shtetin satelitor të NATO-s në Kosovë.
XS
SM
MD
LG