Ndërlidhjet

FËMIJËT – VIKTIMA TË TRAFIKIMIT


Nadie Ahmeti

Që prej vitit 1999 e deri në fund të vitit 2005, Fondi Ndërkombëtar i Kombeve të Bashkuara për Fëmijë thotë se janë më shumë se 100 fëmijë viktima të trafikimit, të cilëve u është ofruar asistencë nga organizata të ndryshme. Megjithatë, Arbena Kuriu, nga ky fond, thotë se është vështirë të flitet për të dhënat e sakta mbi këtë dukuri.
“Fatkeqësisht, që nga përfundimi i luftës, filluan të regjistrohen rastet e para të trafikimit me qenie njerëzore, përfshirë këtu edhe fëmijët. Në fillim, numri nuk dihej, flitej për numra të ndryshëm të trafikimit të fëmijëve”, thotë zonja Kuriu. Në anën tjetër, Habit Hajredini, nga Zyra për Qeverisje të Mirë në kuadër të Qeverisë së Kosovës, thotë se duke marrë parasysh shifrat e trafikimit në rajon, ky fenomen nuk është shumë i përhapur në Kosovë. “Dukuria e trafikimit të fëmijëve në Kosovë nuk është shumë e pranishme në krahasim me vendet përreth”, vlerëson zoti Hajredini. Megjithatë, Arbena Kuriu thotë se në të shumtën e rasteve fëmijët e trafikuar janë viktima të gjinisë femërore, që shfrytëzohen për qëllime seksuale dhe këto viktima kryesisht vijnë nga tri kategori të shoqërisë. “Fëmijët vijnë nga familjet që kanë probleme të ndryshme ekonomike dhe sociale. Vijnë nga familjet që kanë nivel të ulët të arsimimit. Po ashtu, edhe vetë fëmijët janë në moshë të adoleshencës që kanë braktisur shkollën. Shpesh lajmërohen raste që fëmijët kanë qenë viktima të dhunës, apo prindi, nëna e tyre, ka qenë viktimë e dhunës në familje“, shpjegon zonja Kuriu. Shqetësuese, sipas saj, është se viteve të fundit, trafikimi i fëmijëve brenda Kosovës ka shënuar rritje të dukshme, ndërkaq numri i viktimave që vijnë nga vendet e tjera të Evropës është zvogëluar. “Viteve të fundit shënohet rritje e numrit të fëmijëve që janë trafikuar brendapërbrenda Kosovës, ndërkaq është në rënie numri i fëmijëve që janë trafikuar nga vendet e tjera të Evropës Juglindore për në Kosovë. Pra, trendët kanë ndryshuar“, pohon zonja Kuriu. Megjithatë, Habit Hajredini, nga Qeveria e Kosovës, thotë se institucionet vendore, e veçanërisht disa ministri të Qeverisë së Kosovës, janë përgatitur për parandalimin dhe luftimin e kësaj dukurie. “Në kuadër të Ministrisë së Arsimit është punuar në aspektin e vetëdijesimit në formë të edukimit, nëpërmjet shkollave fillore, shkollave të mesme dhe ato të nivelit universitar. Me projekte të shumta jemi munduar që t’i edukojmë të rinjtë, lidhur me rrezikun që paraqet trafikimi i fëmijëve”, thotë zoti Hajredini. Sidoqoftë, me qëllim të parandalimit të kësaj dukurie, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka përgatitur lëndën ‘shkathtësi për jetë’, në të cilën nxënësit e klasës së tetë të shkollës fillore kanë mundësi të mësojnë lidhur me trafikimin dhe luftimin e qenieve njerëzore.
XS
SM
MD
LG