Ndërlidhjet

logo-print

UNMIK-U SHPALL TË HAPUR PROCESIN ZGJEDHOR, DATA E ZGJEDHJEVE CAKTOHET NË SHTATOR


Zijadin Gashi

Zëvendësshefi i UNMIK-ut, Steeven Schook, përmes një urdhërese ekzekutive, ka autorizuar sot Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që të fillojë me përgatitjen e procesit zgjedhor në të dy nivelet, në Kosovë. Zëdhënësi i administratës së UNMIK-ut, Alexander Ivanko, tha se vendimi për shpalljen e datës së zgjedhjeve do të merret në javën e parë të shtatorit nga shefi i UNMIK-ut, i cili aktualisht nuk ndodhet në Kosovë. Ndërkaq, në vendimin e sotëm ekzekutiv të zëvendësshefit të administratës ndërkombëtare, përcaktohen detyrat e KQZ-së sidomos në çështjen e certifikimit të kandidatëve dhe partive politike për zgjedhjet e ardhshme në Kosovë. Urdhëresa ekzekutive, ka sqaruar zëdhënësi Ivanko, kërkon që të përcaktohet çështja e certifikimit të kandidatëve dhe partive politike për zgjedhjet për asambletë komunale dhe Kuvendin e Kosovës, së dyti të përcaktohet lista relevante e votuesve dhe të përgatitet lista e votuesve jashtë Kosovës. Pastaj kërkohet që të rregullohen apo përcaktohen çështjet që kanë të bëjnë me koston e zgjedhjeve dhe çështjet që kanë të bëjnë me mediat, si dhe së fundit të përcaktohet çështja e akreditimit të vëzhguesve të zgjedhjeve të ardhshme. Të mërkurën, Ekipi Negociator i Kosovës i ka rekomanduar shefit të UNMIK-ut shpalljen e zgjedhjeve të lira për javën e tretë të nëntorit. Ndërkaq, si preokupim i veçantë i tyre ishte ngushtimi në maksimum i fazës së vakuumit institucional, për shkak të përputhshmërisë së datës së zgjedhjeve me afatin përmbyllës të bisedimeve për statusin. Në këtë aspekt, është kërkuar që Kuvendi aktual të ketë mandat të zgjatur deri në dy ditë para votimeve, kurse Kuvendi i ri, që do të dalë pas zgjedhjeve, të konstituohet më së largu 10 ditë pas votimeve. Ky nxitim i lidershipit kosovar ndërlidhet me 10 dhjetorin, si datë kur përfundon faza shtesë e negociatave. Pas kësaj date, nëse nuk do të ketë ndonjë marrëveshje për statusin, besohet që Prishtina do të ndiqte rrugën e njëanshme të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, andaj edhe mëton që deri më 11 dhjetor, të ketë të konstituuar të paktën Parlamentin e Kosovës, si institucionin më të lartë vendimmarrës, nga i cili më pas zgjidhen presidenti dhe qeveria. Të gjitha sugjerimet e Ekipit të Unitetit janë marrë parasysh nga UNMIK-u, tha sot zëdhënësi Ivanko. “Këto sugjerime janë inkorporuar në urdhëresën ekzekutive, sidomos ato që kanë të bëjnë me certifikimin e kandidatëve dhe listën e votuesve, kurse sugjerimet tjera do të merren parasysh në vendimin e shefit të UNMIK-ut diku në pjesën e parë të shtatorit”, tha Alexander Ivanko. Ndryshe, zgjedhjet e sivjetme karakterizohen për faktin se mbahen në kohën kur pritet të përmbyllet edhe faza shtesë e bisedimeve për statusin e Kosovës, nën drejtimin e Treshes ndërkombëtare SHBA, BE dhe Rusi. Në deklarimet e tyre, liderët kosovarë nuk kanë parashikuar ndonjë vakuum të mundshëm institucional, apo krizë lidershipi në këtë periudhë, pavarësisht se votimet do të mbahen dy-tri javë para përmbylljes së fazës shtesë të negociatave.

XS
SM
MD
LG