Ndërlidhjet

logo-print

PARTITË POLITIKE NË KOSOVË FILLOJNË PËRGATITJET PËR ZGJEDHJET LOKALE DHE QENDRORE


Zijadin Gashi

Partitë politike në Kosovë kanë filluar përgatitjet e tyre për zgjedhjet e sivjetme, në të dy nivelet. Ndërsa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në bazë të një urdhërese ekzekutive të zëvendësshefit të UNMIK-ut, po i përcakton përgatitjet teknike, partitë politike po i kryejnë përgatitjet programore për të filluar fushatën gjatë vjeshtës së këtij viti. Subjektet më të mëdha politike në Kosovë ndajnë mendime të ndryshme lidhur me mundësinë që zgjedhjet të krijojnë dhe ndonjë vakuum institucional, në kohën e vendimit për statusin e Kosovës. Sidoqoftë, ato shprehen të gatshme që të marrin pjesë në këtë proces zgjedhor. Për Lidhjen Demokratike të Kosovës, mbajtja e zgjedhjeve në të dy nivelet nuk paraqet ndonjë problem në kuptimin e organizimit dhe mbajtjes së tyre, përderisa besohet se lidershipi i Kosovës e ka pasur parasysh që data e zgjedhjeve të mos interferojë me afatin e përmbylljes së bisedimeve për statusin e Kosovës, thotë zëdhënësi i LDK-së, Vehbi Miftari. “Shqetësimi ynë i vazhdueshëm ka qenë - nëse hyrja në një proces të ri elektoral mund të interferojë apo mund të ketë ndonjë ndikim të ndjeshëm në procesin e përcaktimit të statusit. Sidoqoftë, pajtueshmëria është arritur midis subjekteve politike dhe ne e kemi respektuar atë që e kemi quajtur normë demokratike”, ka thënë Miftari. Mbajtja e zgjedhjeve të lira është një proces demokratik dhe do ta ndihmojë edhe vetë procesin politik të statusit, pasi që nga zgjedhjet do të dalin strukturat e legjitimuara politike e demokratike, vlerëson në anën tjetër, Partia Demokratike e Kosovës. Zëdhënësja e PDK-së, Vlora Çitaku, vlerëson se zgjedhjet nuk do të pengojnë dhe as krijojnë vakuum në procesin e statusit. “Zgjedhjet janë procedurë demokratike. Përmes tyre, ne vetëm sa e dëshmojmë që jemi demokraci në funksion, që ne jemi shtet në veprim, në funksion dhe sfidat që e presin Kosovën, menjëherë në këtë fazë, janë sfida që kërkojnë lidership të fuqishëm, që kërkojnë vendime të rëndësishme dhe ato vendime mund të merren vetëm nga një lidership që ka legjitimitetin qytetar”, ka vlerësuar Çitaku. Ndërkaq, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ndryshe nga partitë tjera, mbështet mbajtjen e zgjedhjeve të ndara në nivelin lokal dhe më pas ato në nivelin qendror. Këtë pozicion, AAK-ja e ndërlidh me procesin përmbyllës të statusit të Kosovës. Zëdhënësi i AAK-së, Besnik Tahiri, vlerëson se partitë politike nuk do të mund të dalin me programe të qarta në mungesë të statusit. “Pa status të Kosovës jemi mjaft skeptikë që oferta e partive politike do të jetë reale dhe do të reflektojë nevojën në terren, pasi që pa status, programet e partive politike do të jenë ende abstrakte dhe nuk do të reflektojnë rendin e ri shoqëror”, është shprehur Tahiri. Ai tha se AAK-ja i ka bërë me dije edhe Ekipit të Unitetit, që data e zgjedhjeve në nivelin qendror të mos përputhet me afatin përmbyllës të procesit të negociatave, pasi që kjo do të shkaktonte vakuum institucional në Kosovë. “Posaçërisht Ekipi i Unitetit duhet të jetë shumë i kujdesshëm, që të mos bëjë veprime që do të ishin kundërproduktive për përcaktimin e statusit final të Kosovës. Kështu që AAK-ja gjithsesi që është shumë e brengosur dhe do të insistojë që data e zgjedhjeve të reflektojë momentumin e nevojshëm dhe të mos e dëmtojë Kosovën në rrugëtimin e vet”, ka theksuar Tahiri. Ndryshe, AAK-ja mbetet pranë pozicionit që edhe pas zgjedhjeve të ardhshme të vazhdojë koalicionin me partnerin aktual, LDK-në. Mirëpo, partneri aktual i AAK-së, Lidhja Demokratike e Kosovës, sipas zëdhënësit Vehbi Miftari, nuk hyn me paragjykime për koalicionet. LDK-ja, tha ai, do të presë rezultatin e zgjedhjeve dhe më pas, pa paragjykime, do të kërkojë partnerët eventualë për koalicion. “Parimisht e mbështesim idenë që fillimisht të shkohet në zgjedhje dhe pastaj, mbi bazën e rezultateve të atyre zgjedhjeve, të shihet pozicioni jo vetëm i yni, por edhe i subjekteve tjera politike dhe pastaj të rishikohen apo shikohen koalicionet eventuale”, ka thënë Miftari. Në anën tjetër, partia, aktualisht më e madhe opozitare, PDK-ja, sipas zëdhënëses Vlora Çitaku, nuk e ka shqyrtuar ende çështjen e koalicioneve, por përcaktimin e saj për partnerët eventualë do ta bëjë në bazë të afërsisë programore me subjektet tjera politike. “PDK-ja, koalicionet do t’i ndërtojë mbi bazën e afërsisë programore, megjithatë një vendim i tillë nuk është marrë ende”, tha Çitaku. Sidoqoftë, konkluzion i përbashkët i subjekteve politike është se Kosova ka kapacitete që të organizojë zgjedhje dhe se, sipas tyre, kjo është dëshmuar me proceset e kaluara zgjedhore, përmes të cilave Kosova ka dëshmuar një pjekuri politike dhe demokratike.
XS
SM
MD
LG