Ndërlidhjet

SHKAKTARËT E INFLACIONIT


Nadie Ahmeti

Çmimet e produkteve ushqimore, në Kosovë, janë shtrenjtuar për 3.2 për qind, në krahasim me korrikun e vitit të kaluar. Këto të dhëna janë bërë publike nga Ilir Berisha, drejtor i statistikave ekonomike në Entin e Statistikave të Kosovës. Sipas tij, deri tek ky inflacion i çmimeve ka ardhur për shkak të temperaturave të larta, që kanë mbretëruar këtë vit në Kosovë, e të cilat kanë ndikuar në shtrenjtimin e çmimit të drithërave. “Çmimet e ushqimit në korrikun 2007, krahasuar me korrikun 2006, kanë një rritje prej 3.2 për qind. Në këtë kuadër, 8.8 për qind është rritur çmimi i bukës dhe i drithërave; rritja më e madhe ka qenë tek kjo pjesë”, thotë zoti Berisha. Ai shton se ngritje çmimesh të produkteve ushqimore ka edhe në vendet e tjera të rajonit dhe meqë Kosova eksporton një pesë të madhe të mallrave nga vendet fqinje, ngritja e çmimeve ka ngritur në tërësi edhe indeksin e konsumit në Kosovë. “Gjithsejtë, indeksi i konsumit ka një rritje prej 1.5 për qind. Rritja vërehet në pjesën e ushqimit. Kjo ngritje nuk është vetëm në Kosovë, kjo ngritje vërehet edhe në vendet fqinje. Kjo ka ardhur për shkak të thatësisë”, pohon zoti Berisha. Flamur Keqa, nga Oda Ekonomike e Kosovës, ndërkaq thotë se pas rritjes se këtyre çmimeve, do të ketë edhe rritje të inflacionit. “Inflacioni ka qenë një ndër indikatorët makroekonomikë më të volitshëm në Kosovë dhe nuk kemi pasur shtim të inflacionit. Shtimi i inflacionit, vitin e kaluar, ka qenë 0.7 për qind dhe në këtë drejtim, më se tepërmi na ka ndihmuar adoptimi i euros si valutë nacionale në Kosovë. Përndryshe, po të kishim ndonjë valutë tjetër nacionale, me siguri që ekonomia e Kosovës do të ballafaqohej me sfida edhe më të mëdha”, vlerësoi zoti Keqa. Ndryshe, Agim Shahini, drejtor i Aleancës Kosovare të Biznesit, thotë se duke marrë për bazë faktin se nuk ka rritje të përgjithshme ekonomike, ngritja e çmimeve të produkteve ushqimore është shumë e lartë për shoqërinë kosovare. Edhe zoti Shahini thotë se ngritja e çmimeve nuk e ka origjinën në Kosovë, por është një fenomen i diktuar nga vendet e rajonit, prej të cilave furnizohet tregu vendor. Për këtë arsye, zoti Shahini thotë se Qeveria e Kosovës urgjentisht duhet të gjejë politika, në mënyrë që të kthejë gjendjen e mëparshme të çmimeve. “Qeveria duhet urgjentisht të ulet dhe t’i shikojë politikat kyçe ekonomike, që kanë të bëjnë me avancimin e pozicionit të bizneseve kosovare dhe rritjen e investimeve drejt prodhimit”, tha zoti Shahini. Megjithatë, Qeveria e Kosovës tashmë ka deklaruar se nuk ka ndonjë strategji për kthimin e gjendjes së mëparshme, posaçërisht për faktin se, siç thuhet, Kosova është një treg i lirë dhe autoritetet në pushtet nuk kanë mundësi intervenimi në raste të tilla.
XS
SM
MD
LG