Ndërlidhjet

PATRICK MOORE: JAM SKEPTIK NDAJ TEORIVE TË DOMINOS NË BALLKAN


Patrick Moore, analist i REL

RADIO EVROPA E LIRË
Kjo javë në Kosovë dhe rreth saj u shënua me diskutimet lidhur me sugjerimet e të dërguarit të BE-së, Ischinger për ndarjen e Kosovës. Më vonë ai tha se nuk e mbështet ndarjen. Kjo ide është kundërshtuar fuqishëm nga institucioent e Kosovës. Fillimisht, ajo është refuzuar edhe nga Grupi i Kontaktit. Pra, si e shihni ju këtë situatë?

PATRICK MOORE
Ai qartazi e tha atë që e tha dhe çdokush e di këtë. Unë dyshoj se ai, me gjasë, vetëm po e bënte një testim se çfarë reagimesh do të kishte. Bashkësia ndërkombëtare, në diplomacinë tradicionale, e mbështeste ndarjen si mënyrën e marrjes me probleme. Na kujtohet se në vitin 1947, India nën sundimin britanik, u nda në Indi dhe Pakistan. Në vitin 1948, mandati britanik i Palestinës, u nda në shtetin izraelit dhe në ato arabe. Por, në vitet e fundit, ndarja sikur ka dalë jashtë modës dhe Bashkësia ndërkombëtare e ka refuzuar këtë koncept, jo vetëm për Kosovën, por në përgjithësi. Pra, çka po bën tash zoti Ischinger? Ai qartazi po përpiqet t'i shqyrtoj mundësitë që do të mund të paraqiteshin si realiste. Nëse i hedhim një sy situatës aktuale në Kosovë, e shohim se ndarja e dhimbshme tashmë ekziston në praktikë. Sipas mendimit tim, ka një lloj logjike në këtë propozim dhe sinqerisht mendoj se nëse krijohen dy njësi të ndara, as shqiptarëve e as serbëve nuk do t'u mungonte njëri tjetri. Por, shtrohet pyetja se si do të funksiononte kjo në praktikë. Këtu kam parasysh, kryesisht, çështjen se a do të duhej që shqiptarët në veri të shkojnë në jug dhe të gjithë serbët nga enklavat do të ishin të obliguar të lëvizin në veri ose do të shqyrtohej vazhdimi i regjimit me sigurimet për minoritetet, që parashihen me planin e Ahtisaarit, për të dy palët. Kjo do të jetë shumë e konplikuar dhe e vështirë.

RADIO EVROPAE LIRË
Disa analistë thonë se opsioni i ndarjes së Kosovës do të kishte domino efekt në Ballkan. A pajtoheni me këtë qëndrim?

PATRICK MOORE
Jam skeptikë ndaj teorive të dominos. Veçanërisht jam skeptik ndaj kësaj teorie në Ballkan, pasi njëri nga mbështetësit e saj më të mëdhenjë është kryeministri i Serbisë, Vojisllav Koshtunica. Jam dyshues dhe skeptik ndaj çdo gjëje që ai e thotë. Le të përkujtojmë se para disa vitesh ai tërhoqi vërejtjen se nëse Mali i Zi bëhet i pavarur, atëherë do të intensifikoheshin lëvizjet secesioniste dhe separatiste në Ballkan. Mendohej në Bosnjë, në Preshevë, Maqedoni e pjesë të ndryshme. Por, asgjë nga kjo nuk ndodhi. Republika serbe në Bosnjë nuk do të synoj bashkim me Serbinë pasi kjo do të thoshte humbje e autoritetit dhe e statusit për njerëzit që tash e udhëheqin Republikën Serbe në Bosnjë.

RADIO EVROPA E LIRË
E shtrova çështjen e efektit domino në Ballklan në aspektin se disa analistë e shohin atë në formën e këmbimit të territoreve?

PATRICK MOORE
Kjo është çështje tjetër. Sigurisht, çështja e ndarjes së Kosovës do ta përfshinte edhe çështjen e Luginës së Preshevës. Por, kjo do të involvonte edhe lëvizjen e kufijve ndërkombëtar, të padiskutueshëm, të Serbisë. Presheva nuk e ka statusin, që e kishte Kosova dhe Vojvodina nën Kushtetutën e vititi 1974. Pra, unë nuk jam shumë optimist se nëse pjesa veriore e Kosovës shkon me Serbinë, atëherë Kosova do të pretendonte në Luginën e Preshevës. Mendoj se ribërja e kufirit ndërkombëtar, siç është ky, do të mund të ishte pak si e tepërt për disa fuqi, veçanërisht në Bashkimin Evropian, që ta pranojnë.

RADIO EVROPAE LIRË
Tash kemi periudhën shtesë 120 ditëshe për negociata për statusin e Kosovës. Diplomatët perëndimor thonë se gjasët për arritjen e marrëveshjes janë shumë të vogla. Pas katër muajsh, sipas jush, a do ta shohim çështjen e statusit prap në Këshillin e Sigurimit apo procesi do të përfundoj me deklaratën e njëanshme të pavarësisë?

PATRICK MOORE
Kjo formulë e 120 ditëve ishte diçka që Shtetet e Bashkuara u pajtuan për këtë periudhë, me qëllim që Bashkimi Evropian të mbahej së bashku me Shtetet e Bashkuara në front të përbashkët diplomatik. Siç e dimë, disa vende të BE-së nuk janë domosdoshmërisht shumë të guximshme në aspektin politik. Para do kohe isha në një takim ndërkombëtar në Romë, ku ishin të pranishëm ekspertë amerikanë dhe italianë dhe disa zyrtarë. Shumë liderë politikë italianë kërkonin nga Shtetet e Bashkuara, që t'u jepej më tepër kohë. Nuk e dij se çka presin ata të bëjnë në këtë periudhë shtesë 120 ditëshe, që e kërkuan, por ata ia dolën ta kenë atë. Kur këto 120 ditë të kalojnë, nëse marrëveshja nuk arrihet – unë mendoj se kurrfarë marrëveshjeje nuk do të arrihet – pres që së paku pjesa më e madhe e Bashkimit Evropian do të veproj me sinqeritet dhe do t'a paguajnë kredinë politike ndaj Shteteve të Bashkuara dhe t'i bashkohen Uashingtonit në njohjen e Kosovës së pavarur. Shtetet e Bashkuara qartazi kanë vendosur se kjo është mënyra më e mirë për ti bërë gjërat, duke e mbajtur BE-në në bord, se sa që Uashingtoni ta njihte Prishtinën në korrikun e kaluar.

Intervistoi Fatmir Bujupi

XS
SM
MD
LG