Ndërlidhjet

logo-print

PAVARËSIA NUK ËSHTË MË OFERTA E VETME E PARTIVE POLITIKE


Zijadin Gashi

Partitë politike në Kosovë janë në përgatitje e sipër të ofertave të tyre programore për elektoratin. Për dallim nga fushatat e kaluara zgjedhore, kur pavarësia e Kosovës ishte premtimi numër një dhe gati i vetëm drejtuar qytetarëve, tani përqendrimet e partive kosovare, përveç zotimeve për finalizimin e statusit me pavarësinë e Kosovës, kryesisht kanë të bëjnë edhe me ofertat e tjera që ndërlidhen me zhvillimin ekonomik, shëndetësinë, arsimin si edhe mirëqenien sociale. Zëdhënësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vehbi Miftari thotë se programi zgjedhor i kësaj partie është në hartim e sipër, por ai beson se bazë e tij do të jetë përmbyllja e statusit dhe zhvillimi ekonomik.
“Ne konsiderojmë se përmbyllja e procesit të pavarësisë, pastaj programet konkrete për zhvillim ekonomik, mirëqenie sociale, integrimi i Kosovës në strukturat evropiane dhe evro-atlantike, si edhe fusha tjera që kanë të bëjnë me jetën e drejtpërdrejtë të qytetarit, do të jenë pikat themelore të programit të ardhshëm”, tha Miftari.
Ndërkohë, Partia Demokratike e Kosovës, sipas nënkryetarit Hajredin Kuçi do të përqendrohet në fusha të caktuara të zhvillimit ekonomik, sundimit të ligjit, në shëndetësi dhe sistemin arsimor, duke besuar se këto fusha janë edhe interesi më i madh i Kosovës në zhvillimin e saj si shtet. “Ne do të fokusohemi në çështjet që janë më të përafërta me qytetarët dhe ne më herët kemi vënë edhe disa prioritete që nënkupton rendin dhe ligjin, pastaj ekonominë, shëndetësinë dhe arsimin. Në kuptimin e kësaj mendoj se ndërkohë mund të ketë pika plotësuese, por natyrisht duke mos i ikur asnjëherë çështjes së statusit final të Kosovës”, thotë Kuçi.
Në anën tjetër, Ahmeti Isufi, nënkryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës thotë se programi i AAK-së fokusohet në interesat e qytetarëve të Kosovës për një jetë më të mirë. “Në veçanti ne do të interesohemi në zhvillimin ekonomik dhe në rimëkëmbjen e vendit, po ashtu edhe në politikat sociale dhe po ashtu në shëndetësi, në arsim, në mbrojtjen e ambientit dhe në të gjitha ato interesa që drejtpërdrejtë lidhen me qytetarin e Kosovës”, theksoi Isufi. Ndërsa pavarësia e Kosovës tani nuk është e vetmja më në ballë të agjendës programore te partitë aktualisht në të mëdha në Kosovë, megjithatë zyrtarët e këtyre partive, thonë se pavarësia mbetet synimi kryesor që do të realizohet para apo pas zgjedhjeve. Ahmeti Isufi beson se Kosova është në prag të pavarësisë, andaj edhe AAK do të përqendrohet në çështjet tjera zhvillimore.
“Kësaj radhe do të konsumojmë më pak termin pavarësi, sepse ne edhe po shkojmë drejt saj, por do të fokusohemi në mirëqenien sociale dhe në një jetë më të mirë të qytetarit të Kosovës, duke qenë shumë të fokusuar në realizimin e qëllimeve në institucionet e vendit”, pohoi Isufi. Ndërkaq Hajredin Kuçi thotë se mos shpallja e deritashme e pavarësisë, ndonëse ishte synim numër një i partive politike në zgjedhjet e kaluara, nuk ishte vetëm çështje e Kuvendit, por reflektim i mungesës së përkrahjes së nevojshme ndërkombëtare për këtë hap. “Duhet të jetë e qartë se nuk ka qenë vetëm në dorën e Kuvendit të marrë apo të mos marrë vendim për statusin final të Kosovës, ka qenë më shumë mungesa do të thoja e bashkësisë ndërkombëtare në këtë drejtim, për ta shpallur, por mendoj se kjo është çështje që mund të ndodhë ndërkohë, para apo pas zgjedhjeve, tha Hajredin Kuçi. Përderisa Vehbi Miftari i LDK-së vlerëson se procesi i statusit ka hyrë në fazën finale, andaj sipas tij, tani LDK-ja synon të dalë me një ofertë konkrete për qytetarët lidhur me zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të Kosovës.
“Procesi për përmbylljen e statusit tashmë ka hyrë në fazën finale dhe është drejt realizimit, kështu që realisht konsiderojmë se në zgjedhjet e ardhshme do të duhej të garonim me një program i cili do të ofronte mundësi për qytetarin e Kosovës që të prekë ofertën e secilës prej subjekteve politike për të gjitha fushat shoqërore të cilat i interesojnë”, tha Miftari.
Zgjedhjet e ardhshme, në të dyja nivelet, bazuar në rekomandimet e lidershipit të Kosovës, pritet të caktohen për muajin nëntor. Ndërkaq nga dita e sotme ka filluar procesi i aplikimeve për certifikimin e subjekteve pjesëmarrëse në këto zgjedhje.



XS
SM
MD
LG