Ndërlidhjet

JOHNSON:”10 DHJETORI ËSHTË AFATI I FUNDIT ABSOLUT”


A.Ross JOHNSON, Hoover Institute

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Johnson, negociatat e reja për të ardhmen e Kosovës pritet të fillojnë nga fundi i këtij muaji. Çfarë prisni prej tyre?

A.ROSS JOHNSON
Pres shumë pak nga këto negociata dhe madje nuk jam i sigurtë nëse duhet të quhen si të tilla. Do të kemi 120 ditë bisedime të imponuara në fakt nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, si mundësi përpara të dyja palëve që të bisedojnë sërish. Askush në fakt nuk pret që ndonjë marrëveshje të dalë nga këto bisedime. Madje edhe zëdhënësi i zotit Koshtunica, zoti Simiq e ka thënë një gjë të këtillë. Megjithatë, unë e shoh si një mundësi për Serbinë që të negociojë ndonjë garancë shtesë për të drejtat e pakicës serbe në Kosovë, nëse Serbia e pranon pra pavarësinë e kushtëzuar për Kosovën. Por, nuk pres që kjo të ndodhë. Mendoj se do të shohim edhe 120 ditë të tjera zvarritjeje dhe pastaj gjërat do të lëvizin drejt pavarësisë së kushtëzuar, të imponuar të paktën nga shumica e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, por jashtë procesit të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Dhe kështu do të ndodhë për shkak të Federatës Ruse, e cila ka zgjedhur të bllokojë Këshillin e Sigurimit. Pavarësisht nga kjo, procesi do të shkojë përpara jashtë kornizave të Kombeve të Bashkuara.

RADIO EVROPA E LIRË
Grupi Ndërkombëtar i Krizave, në raportin e fundit, ka thënë se Bashkimi Evropian duhet ose ta mbështesë pavarësinë e Kosovës ose të rrezikojë që rajonin ta fundosë në dhunë. Si e shihni ju përgjegjësinë e Evropës në këtë drejtim?

A.ROSS JOHNSON
Unë pajtohem me rekomandimet e Grupit Ndërkombëtar të Krizave. Në fakt, tani është koha e Evropës. Kishim edhe një herë një kohë të Evropës në vitet e 90-ta dhe Evropa pat dështuar në formë të mjerueshme. Por, nuk mendoj se një gjë e këtillë do të ndodhë kësaj rradhe, shumica e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian e kuptojnë se çka është e përfshirë në këtë proces dhe gjithashtu kanë një përkushtim mbi përmbajtjen e pakos së Ahtisaarit. Madje, edhe nëse një, dy apo më shumë vende të Bashkimit Evropian nuk pajtohen me diçka të këtillë, tashmë ekziston një procedurë në mes të shumicës së vendeve anëtare që procesi të shkojë përpara. Në të vërtetë kjo është një përgjegjësi e Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, pra qeveria jonë, do të bëjë çmos në fuqinë e saj që ta mbështesë atë. Nënsekretari amerikan i shtetit, Nicholas Burns, ka thënë këtë javë në një takim të zhvilluar në zyrat e Radios Evropa e Lirë në Washington, se politika zyrtare e qeverisë së Shteteve të Bashkuara është që ta mbështesë pavarësinë e kushtëzuar dhe pret që Kosova ta fitojë atë në vitin 2007 dhe kjo do të thotë para 31 dhjetorit.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se kjo është e mundshme?

A.ROSS JOHNSON
Unë besoj se kjo është e mundshme dhe mendoj se 10 dhjetori afati i fundit absolut. Bisedimet 120 ditëshe do të marrin fund, përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë do t’i paraqesin një raport sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara dhe duke supozuar se të dyja palët nuk do të arrijnë marrëveshje, atëherë mendoj se shumica e anëtarëve të Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara do të mbështesin zbatimin e përmbajtjes së planit të Ahtisaarit, të cilin vazhdimisht e quajmë kështu, por ai në fakt është plan i sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara.

RADIO EVROPA E LIRË
Gjatë qëndrimit në Kosovë, treshja ndërkombëtare e Grupit të Kontaktit ka thënë se do të pranojë çdo zgjidhje, përfshirë këtu edhe ndarjen, nëse të dyja palët pajtohen mbi të. Edhe pse për arsye të ndryshme, të dyja palët e kanë hedhur poshtë këtë ide. Sipas mendimit tuaj, sa real është ky opsion?

A.ROSS JOHNSON
Ndarja apo ajo që ne mund ta quajmë përshtatje kufijsh, është një mundësi, por aktualisht një mundësi e largët. Mund të jetë në interest ë të dyja palëve, por unë nuk besoj se do ta shohim një gjë të këtillë. Ka zëra nga disa politikanë jo në pushtet, si në Kosovë ashtu edhe në Serbi, se kjo ide do të mund të merrej në konsideratë. Në këtë drejtim, për Serbinë kjo ide mund të ketë peshë potenciale, nëse e pranon sovranitetin e Kosovës, për të qenë në pozitë që të negociojë ndoshta përfshirjen e pjesës veriore në Serbi. Dhe nëse palët pajtohen mbi këtë çështje, atëherë edhe komuniteti ndërkombëtar do të ishte dakord. Por, në rrethanat aktuale dhe duke marrë parasyshë retorikën e rëndë që vjen nga Beogradi, nuk pres që një gjë e këtillë të ndodhë.

RADIO EVROPA E LIRË
Sipas disa politikanëve në Prishtinë, ky opsion, në rast të zbatimit të tij, do të mund të hapte dyert pë këmbime të mundshme territoresh. Ju çfarë mendoni?

A.ROSS JOHNSON
Aktualisht ka shumë situata hipotetike dhe ekziston një histori e gjatë e përmirësimeve territoriale, jo vetëm në Ballkan, por edhe një pjesë të ndryshme të botës. Megjithatë, situata përreth Kosovës është unike dhe nuk është precedent. Prandaj, unë nuk pres ndryshim kufijsh, sigurisht jo me Shqipërinë dhe as me Maqedoninë. Por, a mund të ketë përshtatje të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë? Në mënyrë hipotetike, është e mundshme, por nuk besoj se do ta shohim një gjë të këtillë të ndodhë në vitet e ardhshme.

INTERVISTOI ARBANA VIDISHIQI
XS
SM
MD
LG