Ndërlidhjet

logo-print

STATUSI I PAZGJIDHUR DHE FONDET E KUFIZUARA NDIKOJNË NË KTHIMIN E TË ZHVENDOSURVE


Arton Konushevci

Mos zgjidhja e statusit të Kosovës rritë tensionet politike, pamundëson kthimin e të zhvendosurve serbë dhe krijon pasiguri. Kështu ka thënë sot zëvendës kryeministri i Kosovës, Lutfi Haziri, gjatë një takimi në të cilin janë shqyrtuar çështjet që kanë të bëjnë me lirinë e lëvizjes dhe kthimin e komuniteteve. Megjithatë, zoti Haziri ka vlerësuar se megjithë propagandën që vjen kryesisht nga Beogradi në këtë drejtim, kthimi i zhvendosurve është duke u realizuar në mënyrë të vazhdueshme, në përputhje me rrethanat që ekzistojnë.
"Mos zgjidhja e statusit dhe vonesa rritë tensione politike rritë pamundësinë që të ketë kthime te qëndrueshme, rritë pasigurinë tek komunitetet etnike. Përkundër vështirësive që kanë të bëjnë me rolin e Qeverisë së Serbisë e cila e lidhë këtë proces politikisht, për ne nuk është proces politik dhe nuk lejojmë manipulim politik. Ai është proces humanitar dhe e drejtë e qytetarëve të Kosovës, që në rrethana të luftës dhe për shkak të konfliktit e kanë lëshuar Kosovën. Ata mund të kthehen në pronën e tyre", ka thënë Haziri.
Nga ana tjetër përfaqësuesi i administratës së Kombeve të Bashkuara, Shahzad Bangash, i cili merret me çështjen e kthimit të personave të zhvendosur, tha se aktualisht po bëhen përpjekje për krijimin e kushteve për ata që tashmë janë kthyer dhe për ata që synojnë kthimin. "Të gjitha institucionet e Kosovës, siç janë, Ministria për Kthim dhe Komunitete, vetë komunat dhe Qeveria Kosovës, me ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë, po mundohemi që të krijojmë kushte për serbët e kthyer dhe atë që do të kthehen, por edhe për minoritaret tjerë, te cilët i përkasin Kosovës. Në standardin që ka të bëjë me lirinë e lëvizjes dhe kthimin e të zhvendosurve, deri më tash ka përparime, por sidoqoftë ende kemi mungesë të fondeve për rindërtimin e shtëpive për të kthyerit”, ka thënë zoti Bangash.
Edhe zëvendësministri për Komunitete dhe Kthim, Ibish Bajrami ka thënë se prioritet i kësaj ministrie është kthimi, por vështirësitë në këtë drejtim kanë të bëjnë me buxhetin e kufizuar.
"Nga buxheti i konsoliduar i Kosovës, me pesë milionë e dyqind mijë Euro nuk jemi në gjendje që ta zbatojmë planin dhe programin e kthimit, pasi që janë të tjera specifika sa i përket shumës së një shtëpie. Për shembull, me 16 mije euro nuk mund ta ndërtosh një shtëpi në zonat urbane", ka thënë Bajrami.
Sidoqoftë, në takimin e sotëm, autoritetet vendore dhe ndërkombëtare janë zotuar se përpjekjet në përmbushjen e plotë të standardeve do të intensifikohen edhe më shumë, pavarësisht nga të gjitha vështirësitë.

XS
SM
MD
LG