Ndërlidhjet

logo-print

ISMAJLI:”REZULTATI I BISEDIMEVE DO TË JETË DËSHTIMI”


Rexhep ISMAJLI, Akademik

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Ismajli, bisedimet në mes të Prishtinës dhe Beogradit me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtarë pritet të fillojnë në javën e ardhshme, si i shihni ju këto bisedime dhe çka prisni nga to?

REXHEP ISMAJLI
Po, mendoj se këto bisedime janë të pa nevojshme, të pa dobishme dhe nuk ka qenë fare e nevojshme të bëhen, sepse një proces ndërkombëtar dhe ndërkombëtarisht i drejtuar dhe i orkestruar nga Kombet e Bashkuara ka përfunduar ashtu si ka përfunduar. Tani një proces tjetër shtesë që do të kërkonte kompromise shtesë është fare i pamundur dhe i pakuptueshëm. Bashkësia ndërkombëtare e ka dashur këtë por rezultati i këtyre bisedimeve do të jetë dështimi përsëri.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa është në gjendje pala kosovare që t'i përkushtohet zotimeve se në këtë raund bisedimesh nuk do të diskutohet për pakon e Ahtisarit, nuk do të diskutohet për statusin me palën serbe dhe as për ndarjen?

REXHEP ISMAJLI
Unë nuk e di se sa është në gjendjë pala kosovare ta bëjë këtë, duhet t’i pyesni ata. Unë mendoj që realitetet janë të atilla që nuk lejojnë. Kosova ka arritë në një fazë te atillë dhe e gjithë çështja e zgjidhjes, e shpërbërjes së ish- Jugosllavisë është në një fazë të atillë që nuk ka kthim mbrapa dhe nuk ka zgjidhje të tjera. Këto ndarjet e këto diskutimet janë një “biqim pazari” , që kanë krijuar një atmosferë me kërkesa për bisedime shtesë dhe tashti po marrin turr të gjithë të japin nga një zgjidhje edhe kur kanë edhe kur s'kanë kompetenca. Por ndarja eshte një çështje shumë e rrezikshme, shumë serioze. Ndarja e bartë gjithë shthurjen e ish- Jugosllavisë nga binarët e shthurjes përmes entiteteve që ka pas Jugosllavia në binarët e shthurjes etnike. Është një tjetër zgjidhje e cila e vë në dyshim gjithë procesin që ka përfunduar deri tash, sigurisht do të shoqërohej me dhunë dhe me probleme të tjera, prandaj pa u zgjidhur ky proces nuk ka mundësi që diçka të tillë të ndërmarrësh. Natyrisht unë besoj se institucionalisht janë vënë kornizat ashtu që Kuvendi i Kosovës është ai që do të vendos në një procedurë shumë transparente, se këto janë situata shumë vendimtare se çka do të bëhet më tutje. Nuk ka mundësi Ekipi i Unitetit ose kushdoqoftë të marrë vendime krye në veti, sepse ato vendime pastaj popullata mund të mos i rrespektojë, këto janë gjëra me shumë rrezik dhe nuk ka mundesi ashtu thjesht të zgjidhen.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Ismajli, a mendoni se pas këtyre bisedimeve do të arrihet synimi i politikanëve kosovarë dhe popullit të Kosovës, deri te pavarësia?

REXHEP ISMAJLI
Populli i Kosoves i ka caktuar vetes synimin për pavarësi, kur populli i cakton synimin për pavarësi ai duhet të arrihet, tani unë nuk mund të flas në emër të politikanëve. Procesi është komplikuar me këtë procedurë ndërkombëtare, por ne kemi shpresë se megjithatë instancat e rëndësishme ndërkombëtare si SHBA-të, Komuniteti Evropian, ashtu siç janë deklaruar do t'i përmbahen parimit të zgjidhjes me pavarësinë dhe nuk do t’i bien mohit përmes këtyre shtyerjeve, zig-zageve të vogla, asaj që kanë thënë njëherë sepse ndryshe çështja është pjekur në atë shkallë që nuk ka zgjidhje tjetër.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa ka qenë dhe sa është e angazhuar Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës në procesin e përcaktimit të statusit?

REXHEP ISMAJLI
Procesi i përcaktimit të statusit është një proces ndërkombëtar që ka inkuadruar instancat shtetërore të Kosovës. Kryetari i Kosovës ka caktuar një ekip i cili ka qenë i përbërë nga partitë politike dhe grupet e tjera. Akademia nuk ka qenë zyrtarisht asnjëherë e involvuar dhe as që është pyetur gjatë gjithë këtj procesi. Ka pasur disa reagime disa vërejtje, të cilat nuk e di se sa janë marrë parasysh. Akademia ka qenë shumë e angazhuar për këtë punë me konferenca dhe botime të veta, ka pasur dy tre botime për çështje të statusit që janë rezultat i disa konferencave që janë mbajtur për çështjen e statusit. Ju e dini se anëtarët e Akademisë kanë qenë drejtpërdrejt shumë të angazhuar në gjithë procesin që nga vitet e 90'ta e këtej, edhe i ndjeri Gazmend Zajmi, edhe Fehmi Agani të cilin e vranë, edhe Ibrahim Rugova, edhe Rexhep Qosja, Hivzi Islami, Mehmet Kraja, Ali Aliu edhe unë, të gjithë kemi qenë në faza të ndryshme në procesin e lëvizjes. Akademia nuk është abstrakte, por institucionalisht në këtë proces nuk ka qenë e ndërlidhur.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe për fund, këto ditë është aktualizuar edhe çështja e mbajtjes së zgjedhjeve në Kosovë. Cili është vlerësimi juaj?

REXHEP ISMAJLI
Po, lidhur me zgjedhjet mund të këtë vlerësime të ndryshme patjetër, sepse këto do të ishin zgjedhjet që mbahen me Kornizën Kushtetuese ekzistuese e cila është e autorizuar nga Rezoluta 12 44 dhe natyrisht që këto zgjedhje pastaj mund të kenë implikime të tjera. Përveç kësaj ka edhe një rrezik tjetër që zgjedhjet bien paralelisht me vendimin për statusin dhe shtrohen problemet e ekipit përfaqësues, nuk e di a ka gjëra që mund të implikojnë në këtë punë. Çështja e dytë është se pa u zgjidhur statusi, zgjedhje të mirëfillta nuk do të ketë, sepse të gjithë do të përqëndrohen tek statusi dhe problemet e tjera që vlojnë në Kosovë nuk mund të shqyrtohen, nuk mund të paraqiten alternativat e politikanëve për zgjidhjen e atyre problemeve. Pra menjeherë pas zgjidhjes së statusit do të jetë e nevojshme të ketë zgjedhje të reja për legjitimim tjetër. Domethënë ka shumë probleme, sado që estabilishmentet aktuale e kanë kaluar mandatin dhe është e nevojshme të legjitimohen sërish.

INTERVISTOI ARTON KONUSHEVCI
XS
SM
MD
LG