Ndërlidhjet

PETTIFER:”ZGJIDHJA E STATUSIT DUHET TË SHKOJË PËRMES PARLAMENTIT TË KOSOVËS”


James PETTIFER, Instituti Mbretëror për Marrëdhënie me Jashtë

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Pettifer, bisedimet e reja midis Prishtinës dhe Beogradi pritet të fillojnë këtë javë. Duke marrë parasyshë qëndrimet e kundërta të të dyja palëve, a besoni se bisedimet mund të kenë rezultat?

JAMES PETTIFER
Jo. Në të vërtetë mendoj se çdo opsion i mundshëm dhe çdo aspekt i mundshëm rreth kësaj çështjeje është ngritur në raundet e mëparshme të bisedimeve. Dhe në terren, asgjë fare nuk ka ndryshuar. Prandaj, nuk mendoj se ka gjasë të shohim ndonjë gjë thelbësore nga bisedimet. Në fakt mendoj se është shumë e mundshme që bisedimet të bëhen jofunksionale, sepse ka shumë pak hapësirë për dialog midis të dyja palëve.

RADIO EVROPA E LIRË
Ideja e ndarjes së Kosovës së fundi është ngritur nga i dërguari i Bashkimit Evropian, Wolfgang Ischiner, duke thënë se komuniteti ndërkombëtar do të pajtohet me çdo zgjidhje, përfshirë këtu edhe ndarjen, nëse të dyja palët pajtohen mbi të. Sa mendoni se është “i gjallë” ky opsion, duke marrë parasyshë kundërshtimet që kanë ardhur nga palët e përfshira?

JAMES PETTIFER
Mendoj se të dyja palët kanë shumë të drejtë dhe mendoj se deklarata e zotit Ischinger ka qenë mjaft e papërgjegjshme. Kjo për faktin se një prej çështjeve të pakta rreth të cilave komuniteti ndërkombëtar pajtohet me pothuajse secilin në terren, nga të dyja grupet e mëdha etnike, është se ndarja e Kosovës është një ide e keqe dhe se do të kishte ndikim destabilizimi në mbarë rajonin. Diçka e këtillë do të hapte edhe çështjen e ndryshimit të kufijve në Preshevë, Maqedoni dhe gjetkë. Kam qenë shumë i befasuar me faktin se dikush në nivelin që ka ai, në Ministrinë e Jashtme Gjermane, i cili ka një reputacion shumë të mirë si njohës i rrethanave në Ballkan, të bëjë një deklaratë të këtij lloji.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se deklarata e zotit Ischinger mund të ketë lidhje me ndonjë ndryshim politikash në kuadër të Grupit të Kontaktit dhe parimeve të njohura të këtij Grupi mbi Kosovën?

JAMES PETTIFER
Mendoj se Grupi i Kontaktit duhet të mendojë nëse është “shërbyes” apo “zotërues”. Grupi i Kontaktit nuk është qeveri, askush nuk e ka zgjedhur atë. Është thjesht një grup zyrtarësh të cilët përpiqen të gjejnë një zgjidhje për këtë problem. Roli i tyre nuk është të prodhojnë politika të reja të cilat janë në kundërshtim me pikëpamjet e kahmotshme të komunitetit ndërkombëtar dhe pjesës më të madhe të popullatës në Ballkan. Grupi i Kontaktit është thjesht një metodë për të zhvilluar diskutimet dhe duhet të rikujtojmë edhe origjinën e tij; ai është themeluar për t’i mundësuar Rusisë të futet në procesin paqësor në Ballkan, gjatë periudhës së luftës në Bosnjë. Mund të argumentohet gjithashtu se e gjithë struktura e Grupit të Kontaktit i ka dhënë gjithnjë Rusisë një rol me ndikim disproporcional në atë që ndodhë.

RADIO EVROPA E LIRË
Ndërkohë, përfaqësuesit e treshes ndërkombëtare janë duke dhënë vlerësime të ndryshme mes vete rreth datës së përcaktimit të statusit. Si mendoni se do të ndikojë kjo në procesin e zgjidhjes së statusit në përgjithësi?

JAMES PETTIFER
Nuk mendoj se më takon mua apo cilitdo nga jashtë që të flasim shumë për detajet, por mendoj se do të flitet shumë në vendosjen e një date përfundimtare. I gjithë procesi është shumë destabilizues. Unë sapo jam kthyer nga vizita në Kosovë dhe mua më duket se ka tension të konsiderueshëm rreth kësaj çështjeje në tërësi. Dhe siç e dimë, tensionet në terren, në vendet e Evropës Juglindore, mund të shndërrohen shumë shpejtë në akte dhe pasoja negative. Unë mendoj se sa më shpejtë që këtij procesi t’i vijë fundi, aq më mirë do të jetë për stabilitetin rajonal.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju sapo përmendët tensionet dhe në këtë kuadër, diskutimet në Prishtinë rreth shpalljes së mundshme të pavarësisë në mënyrë të njëanshme janë intensifikuar. Si e shihni ju një hap të këtillë?

JAMES PETTIFER
Lidershipi politik në Kosovë, nga ana shqiptare, ka një problem të madh. Të gjithë ata, çdonjëri prej tyre, në kohë të ndryshme, kanë dhënë premtime për pavarësinë e shpejtë. Kjo pra vlen për zotin Thaçi, presidentin Sejdiu, gjeneralin Ceku dhe të tjerët. Dhe është dëshmuar se të gjithë ata e kanë pasur gabim. Secilën herë që kjo ndodhë, dëmtohet kredibiliteti i tyre politik. Vonesat dhe vështirësitë në këtë proces janë gjithashtu duke dëmtuar lidershipin e përgjegjshëm shqiptar, prandaj mendoj se është e natyrshme pse njerëzit si kryeministri Ceku ndiejnë se ka ardhur koha që të flitet për një datë përfundimtare të procesit. Mendimi im është se kjo çështje duhet të jetë e përqëndruar në Parlamentin e Kosovës, sepse duhet të ndërtojmë një demokraci parlamentare, me parti të forta politike. Dhe kjo në fakt është një nga aspektet pozitive të Kosovës që nga viti 1999, pra zgjedhjet e lira, megjithë mungesën e pjesëmarrjes së pakicave, zhvillimi i rrespektueshëm partiak dhe parlamentar. Prandaj mendoj se procesi dhe zgjidhja duhet të shkojnë përmes Parlamentit dhe jo nëpërmjet disa përpjekjeve të komunitetit ndërkombëtar, që për synim kanë të manipulojnë me lidershipin.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Pettifer, kur mendoni se do të mund të përmbyllet çështja e Kosovës?

JAMES PETTIFER
Jam shumë i shqetësuar në fakt pas vizitës në Kosovë, sepse mendoj se edhe pse në letër asgjë e re nuk do të ndodhë deri në fund të nëntorit apo fillim të dhjetorit, ka mjaft gjasë që bisedimet do të mund të përjetojnë kolaps dhe në këtë rast, diçka e këtillë mund të çojë deri tek një vakuum shumë të rrezikshëm. Gjithashtu mendoj se është e mundshme që për ekstremistë të papërgjegjshëm nga cilado anë, të krijohen rrethana ideale për të vepruar. Mund të jetë se ka rrezik që të ketë incidente, të dizajnuara për të destabilizuar bisedimet.

INTERVISTOI ARBANA VIDISHIQI
XS
SM
MD
LG