Ndërlidhjet

logo-print

KATHER FTON PËR ZGJIDHJE TË SHPEJTË TË STATUSIT


Zijadin Gashi

Statusi i Kosovës duhet të zgjidhet sa më shpejt, ngase këtë e presin qytetarët e saj, ka thënë sot komandanti i KFOR-it, gjenerali gjerman Roland Kather, në konferencën e tij lamtumirëse për media, pas një viti sa qëndroi në kreun e komandës së forcës shumëkombëshe të KFOR-it. Kather tha se atij si ushtarak nuk i takon t’i komentoj zhvillimet politike, por e pranoi se kishte pritur edhe vetë që procesi i statusit tashmë të ishte një çështje e kryer. Gjenerali gjerman tha se i dinte mirë aspiratat dhe pritjet e qytetarëve të Kosovës në lidhje me statusin, por sidoqoftë, ai i ftoi të gjithë që të kenë besim në proces dhe të ruajnë qetësinë. “Bazuar në përgjegjësitë e mia si komandant i KFOR-it, mund ta them se ne kemi nevojë që vendimi për statusin e Kosovës të merret sa më shpejt që të jetë e mundur. Apo, ashtu siç e ka thënë presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, më shpejtë para se të bëhet vonë”, tha gjenerali Kather. Ky vendim, tha gjenerali gjerman i duhet Kosovës për sigurinë e saj dhe për zhvillimin ekonomik, si dy komponente që ndërlidhen ngushtë mes vete. Ndërkohë që, sipas tij, nuk ka indikacione të përkeqësimit të gjendjes së sigurisë, KFOR-i megjithatë, shtoi Kather është i gatshëm të ballafaqohet me të gjitha sfidat e mundshme, duke rikujtuar se dhuna nuk do të jetë zgjidhje për asgjë. “Absolutisht mendoj se të gjithë qytetarët e kanë kuptuar mesazhin tim që e kam përsëritur aq shpesh, se dhuna është një qorrsokak, dhuna nuk shpie askund dhe se përmes dhunës nuk do të arrihet asgjë”, theksoi Kather. Ai i siguroi kosovarët se KFOR-i do të vazhdoj me misionin e tanishëm në Kosovë për një mjedis të sigurt, të qetë e paqësor, për aq kohë sa të jetë e nevojshme.
“KFOR-i do të qëndroj në Kosovë në këtë mision, në këtë përbërje përderisa të mos zgjidhet statusi, ngjashëm do të jetë edhe në fazën e tranzicionit, ndërkaq pas kësaj faze, NATO-ja do t’i bëj planet se si do të vazhdohet në fazat e ardhshme”, theksoi Kather. Por, ai tha po ashtu se mund ta konfirmonte qysh tani se KFOR-i nuk do të pësoj asnjë ndryshim në mandate dhe përbërje këtë vit si edhe vitin 2008.
Kather më pas rikujtoi kohën kur kishte mbërri për herë të parë në Kosovë më 1999, atëherë kur në Kosovë, sipas tij, gjithçka ishte e shkatërruar dhe njerëzit ishin të dëshpëruar dhe të pashpresë. Ndërkaq sot, ai tha se po e lë Kosovën si një vend normal, të bukur, e të gatshëm të bëhet pjesë e familjes evropiane. Pas gjeneralit Kather, komandën e KFOR-it për një vit do ta merr gjenerali francez, Xavier Bout de Marnac. Ceremonia e ndërrimit të komandës do të bëhet të premten, më 31 gusht, në prani të strukturave më të larta udhëheqëse ndërkombëtare dhe vendore.
XS
SM
MD
LG